SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.
Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35 vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.
Duke qenë një vepër penale që ndjekja i parashkruhet pas një afati 5-vjeçar SPAK ka nxituar t’i marrë të pandehur anëtarët e KVO, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, dhe po vijon hetimet për implikime të zyrtarëve të tjerë të lartë.
SPAK dyshon se me veprimet apo mos veprimet e tyre, nga dhjetori i vitit 2019 kur u shpall për herë të parë koncesioni e deri në mars 2021 kur u mbyll procedura ata kanë favorizuar fituesit e këtij investimi 104.3 milionë eurosh për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës për 35 vite.
Kontrata me fituesit u firmos nga ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në prill 2021. Një muaj më pas më 17 maj 2021, “Vlora International Airport” u themelua nga koncorsiumi fitues “Mabco Construction” me 58%, “Yda Group” (40%) dhe “2A Group” (2%).
Por disa muaj më pas, me argumentin se investimi ishte jo rentabël, u largua kompania turke e cila i shiti aksionet Behgjet Pacollit. Kjo lëvizje duket se ishte shkaku i një konflikti që do të lindte më pas mes aksionerëve të mbetur, “Mabco Construction” dhe “2A Group” që aktualisht pretendon deri në 49% të aksioneve për shkak të investimit. Kjo situatë ka nisur një konflikt gjyqësor mes aksionerëve por edhe një proces hetimi në prokurorinë e Tiranës mbi një kredi të marrë nga Pacolli në emër të VIA.
Aktualisht çështja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës është kthyer një dosje penale, ndërsa data e hapjes për operim ende nuk dihet edhe pse afatet kanë kaluar.
Komente











As edhe nje akuze per aferat korruptive te Sali Berishes dhe kopese se tij kur ishin ne pushtet. Asnje akuze per vrasjet e 21 Janarit.Asnje akuze per Gerdecin. SPAK eshte kthyer vete ne organizate kriminale ne mbeshtetje te familjes mafioze Berisha.
PërgjigjuO Psaku nuk le vend pa future hundet.C fare ke ndritur deri tani me tipa gjysmake Si Dado
PërgjigjuTu i rras mbrenda tipat e shpifur si ti