Kreu i PD-së Sali Berisha u paraqit këtë të hënë sërish në SPAK për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes.
Prej aty, hodhi sërish akuza në drejtim të ish-kreut të SPAK Altin Dumanit, prokurorit të Posaçëm Arben Krajës si dhe gjyqtares Irena Gjoka, ndërsa duke u ndalur në hetimin për dosjen “Partizani”, Berisha tha se për këtë çështje në hetim duhet të ishte edhe kryeministri Rama dhe kërkoi përballje para drejtësisë me të.
“Altin Troplini me Krajën dhe Milonain refuzuan ta thërrasin në proces Edi Ramën, i cili është autori i ndryshimit të destinacionit në të gjitha rastet dhe të çdo centimetri katror të atij trualli. Të dalim, të ballafaqohemi”, tha Berisha.
Berisha po gjykohet në GJKKO për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi dyshohet se në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore në privatizimin e Ish kompleksit “Partizani”, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Bashkë me të, nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash është edhe Jamarbër Malltezi, që dyshohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove.
Komente










