Seanca e radhës (30 prill) për aferën “Partizani”, dosje në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi e të tjerë, pritet të nisë me dëshmitë e 7 personave, i pari në radhë është thirrur deputeti i PS, Taulant Balla në cilësinë e kallëzuesit. Në total SPAK bëri kërkesë për thirrjen e 11 personave, mes tyre dhe Paro Laci në seancë në cilësinë e dëshmitarit, që u pranua nga treshja gjykuese Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
GJKKO ka pranuar kërkesën e depozituar nga mbrojtja e Berishës dhe Malltezit për thirrjen në gjykatë si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas avokatëve, Rama është person kyç në këtë proces, duke pretenduar se ishte ai personi që përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e të pandehurve për thirrjen së dëshmitar të oficerit të OPGJ Besmir Karanxha, i cili sipas avokatëve të Berishës, është aktivist i Partisë Socialiste dhe se është i paguar për të hetuar kryetarin e opozitës.
Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtjës i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se thirrja e Ramës si dëshmitar është një domosdoshmëri. Gjokutaj tha se GJKKO nuk i ka pranuar provat tona ku dëshmohet qartë se kjo çështje në ngarkim të Berishës, është politike dhe jo ligjore.
“Duhet të ishte thirrur që në fillim. GJKKO për të lehtësuar Ramën, s’ka pranuar provat që kemi paraqitur, që vetëtojnë thirrjet që Rama ka bërë për këtë çështje që të procedohet Berisha. Kjo është një vendim i padrejtë i gjykatës, sepse GJKKO ka marrë një vendim dhe që do të shprehet për kërkesat tona, ndërkohë që nuk pranoi të marrë këto prova që vetëtojnë pretendimin tonë se kjo çështje është politike dhe e nxitur nga Rama. Thirrja e kryeministri ishte domosdoshmëri se SPAK ka thirru njerëz që kanë marrë urdhër nga Rama dhe s’ka thirrur Ramën vetë. sipas radhës, do të presim që edhe ai të japë dëshminë e tij”, tha Gjokutaj.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










