Në seancën e sotme në GJKKO do dëshmojnë dy personazhe të rëndësishëm të dosjes së Aferës “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të tjerë. Për të dëshmuar janë thirrur ish ministri i Sporteve në periudhën 2007-2009 Ylli Pango, dhe Drejtoresha e Sporteve atëherë në këtë dikaster, Violeta Shqevi.

Ata janë dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), që synon të zbardhë se si të dy u vunë në dispozicion të urdhrave të Berishës për të bërë gjithçka për privatizimin e “Partizanit”, që dhëndri i Berishës Malltezi të ndërtonte 19 kulla dhe të përfitonte minimalisht 5.4 milionë euro.

Por çfarë thuhet në dosjen e SPAK për rolin e Pangos dhe Shqevit?

Ylli Pango u emërua ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në mars të vitit 2007 dhe e mbajti këtë detyrë deri në pranverën e vitit 2009, në periudhën më intensive të privatizmit të ish klubit Partizani, proces që kishte nisur me intensitet që në 2005-n, vetëm 2 muaj pasi Berisha kishte ardhur në pushtet.

Në dosjen “Partizani”, roli i ish-ministrit Pango lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2008 për “Ligjin për Sportin”, të cilat i hapën rrugë privatizimit dhe ndryshimit të destinacionit të pronave të klubit.

Ligji për sportin parashikonte në atë kohë në nenin 31 të tij se “objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 7973, datë 26.7.1995 "Për koncesionet dhe pjesëmarjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë".

Pra, edhe pse familjet tashmë ishin bërë pronare të truallit nuk mund ta ndryshonin destinacionin. Madje fillimisht ato kishin rëndë dakord që të vijohet aktiviteti sportiv i klubit partizani, thuhet qartë në dosjen e SPAK.

Pra, deri në këtë moment, e vetmja mundësi për vijimin e procedurave të privatizmit ishte që pronarët të gëzonin të drejtën e parablerjes, duke mos ndryshuar destinacionin.

Por ndërkohë, Ylli Pango si ministër i Sporteve kishte sjellë në qeveri një ndryshim ligjor, siç duket në padijeni të këtij synimi nga familja Berisha.

Më 8 maj 2007 ai e përcjell ndryshimet e ligjit, ku më e rëndësishmja është heqja e mundësisë së privatizimit të objekteve sportive. Konkretisht, projektligji i propozuar, në nenin 31 të tij, parashikonte ndryshimin si vijon: "Objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 9663 datë 18.12.2006 "Për koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë".

Pra fjala privatizim hiqet. Relacioni që shoqëron këtë projektligj, e pasqyron qartë ndër të tjera: Është hequr dispozita për privatizimin e objekteve sportive. Objektet sportive të rëndësisë së veçantë janë publike, pronë e shtetit. Këto objekte përdoren lehtësisht për nevoja publike nga organizatat sportive.

Ligji kalon 8 ditë më pas në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sicc duket i pavënë re se sa do të ndikonte te privatizimi i klubit Partizani.

Ligji shkon në parlament dhe madje në procesverbalin e mbledhjes së Komisionit të Edukimit, përfaqësuesja e ministrisë, drejtoresha për sportet Violeta Shqevi e thotë qartë para deputetëve se “Është hequr dispozita për privatizimin e objekteve sportive”. Ligji u miratua në Kuvend dhe hyri në fuqi më 21 nëntor 2007.

Një amendament që e bënte të pamundur realizimin e projektit të pasurive të paluajtshme të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashi mbi truallin e klubit sportiv Partizani.

Por vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 4 janar 2008 Ministri i Turizmit dhe Sporteve  Ylli Pango “e harron” ligjin që vetë e propozoi.

Ministri Ylli Pango, duket se ka vepruar tërësisht në kundërshtim me nenin 31 të ligjit për sportin, i ndryshuar mbi bazë të vetë propozimeve të tij, kur me shkresën Nr. 12248/1 Prot dt 04.01.2008 shprehet dakort për privatizimin e Klubit Shumësportësh "Partizani" dhe kjo shkresë i Drejtohet METE, me Ministër Z. Genci Ruli, i cili miratoi proivatimin”, evidenton SPAK në dosje.

Pra Pango e bëri të paligjshëm privatizimin e ambienteve sportive, ndërkohë që e shkeli vetë këtë ligj, duke dhënë “ok” për privatizimin e “Partizanit”. Se si do ta shpjegojë në gjykatë këtë fakt mbetet për t’u parë.

Por sido që të jetë ligji “duhej rregulluar”. Meqë neni 31 ndalonte privatizimin, për ta zhbërë edhe këtë pengesë qeveria e Berishës propozon edhe një tjetër ndryshim ligjor.

Këshilli i Ministrave, me VKM nr. 906 datë 18.06.2008, e nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha, dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, depozituar në Kuvend me nr. 2344 date 02.07.2008, ripropozon ndryshime në ligjin nr. 9376 date 21.04.2005 "Per sportin" të ndryshuar, ndryshime këto të miratuara me ligjin nr. 9963 date 21.07.2008. Sipas këtyre ndryshimeve, neni 31 rindryshohet në këtë mënyrë: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.".

Interesante për këtë ndryshim të ri të ligjit, është mbledhja që vendosi kalimin e tij në Këshill të Ministrave. Më18 Qershor 2008, Berisha akuzon indirekt ish-vartësin e tij Ylli Pango, se më propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive.

Në vend të Pangos në mbledhje ishte zv. ministri Ekrem Spahia, i cili jep mendimin e tij kur thotë se e shikon të paarsyeshëm faktin se i njëjti nen i ligjit ndryshohej dy herë brenda pak muajve.

Por Berisha i përgjigjej ashpër: “Ta them unë pse bëhen. Sepse ai amendim ishte një lobing i turpshëm që ishte bërë në kurriz të pronarëve (...) Kur ka pronarë sigurisht që privatizohet (...) Që të gjitha t'i marrin pronarët. Nuk ekzistojnë më stadiume brenda qyteteve si në Tiranë. (...) Duhet të keni parasysh një gjë që ndryshime të tilla nuk duhet të bini më në qeveri. Unë mbeta shumë i zhgënjyer.

Pra, Sali Berisha jo vetëm ishte i përfshirë personalisht, por ishte plotësisht dakord që në vend të objekteve sportive pronarët e tokave mund të ndërtonin pallate. Sidomos të dhëndrit të tij.

Ky ndryshim i fundit është botuar në fletoren zyrtare më 01.08.2008, duke hyrë në fuqi më datë 16.08.2008. Pra, një ndryshim ligjor “i qepur si kostum” pikërisht për Malltezin dhe të tjerët që tashmë ishin bërë pronarë të një ambienti sportiv, ndërkohë që hapat e shpejtë për privatizim vijonin. Vetëm një ditë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për propozimin e këtyre ndryshimeve, ekspertët Elbira Aliaj dhe Sali Preçi, përgatisin më datë 19 qershor 2008, raportin e vlerësimit për Klubin e Futbollit "Partizani".

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:29
Si Berisha kundërshtoi propozimin e PS që objekteve sportive të mos u ndryshohej destinacioni dhe kur privatizoheshin

1779189424_saliberisha.jpeg

Ish-ministri i Sportit Ylli Pango pritet të dëshmojë sot në GJKKO për ndryshimin e ligjit për “Sportin” që i hapi rrugë privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’. Në korrik 2008 shtohet “e drejta e privatizimit të terreneve sportive  nga ish pronarët” dhe madje lejohej edhe ndryshimi i destinacionit.

“Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni", thuhej në ndryshimin e ligjin e propozuar nga qeveria Berisha.

Pra kushti për të mos iu ndryshuar destinacioni terreneve sportive ishte vetëm për dhënien me koncesion, ndërsa ish pronarëve u lihej dorë e lirë.

Këto ndryshime u kundërshtuan ashpër nga opozita e kohës në vitin 2008, kur deputeti socialit Erion Braçe propozoi një amendim duke kërkuar që në ligj të specifikohej qartazi se edhe pas privatizimit, komplekseve sportive nuk mund t’iu ndryshohej destinacioni.

Berisha e kundërshtoi personalisht propozimin e Braçes duke thënë se nuk është përgjegjësi e qeverisë së tij se çfarë bëjnë pronarët në Tiranë, por se është përgjegjësi e bashkisë që në atë kohë drejtohej nga Edi Rama. Ndryshimi ligjor i kërkuar nga deputeti socialist nuk u miratua dhe neni 31 i Ligjit “Për Sportet” kaloi sipas formulimit të propozuar nga qeveria dhe hasi edhe kundërshtimin e deputetëve të tjerë, mes të cilëve edhe Ilir Meta si drejtues i LSI në opozitë.

Pjesë nga debatet në Kuvend

Erjon Braçe, deputet i PS: Ajo që më bën përshtypje është fakti tjetër, që fjalia mbyllet këtu: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë. Në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.” Pra kushtin që të mos ndryshojë destinacioni ju e futni në këtë nen vetëm për shoqëritë aksionere apo për klubet, dhe mirë bëni. Por ç’ndodh në rastin kur ka ish-pronarë? E mori pronën pronari, shumë mirë, ia dhatë këtë të drejtë, por pse nuk vendosni kushtin, që normalisht kjo pronë të mos tjetërsohet? Prandaj, zoti Kryeministër, thashë pak më parë që ky nen nuk ka lidhje me sportin. Ky nen ka lidhje me trojet dhe ky është një problem shumë i madh.

Pandeli Majko, deputet i PS: Pyetja, që të jetë më e shkoqur, zoti Kryeministër, është: A dilni garant ju, se pas këtij ndryshimi në terrenet sportive, nuk do të ndërtohen pallate? Po apo jo? Ky është shqetësimi. Nuk po diskutojmë këtu do të shkojë Çiljeta në Kinë apo jo.

Kryeministri Sali Berisha: Do të përgjigjem në mënyrë shumë të thjeshtë. Se çfarë do të bëjnë pronarët, të jesh i bindur që Qeveria ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të nderuar zotërinj, se çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia e Tiranës dhe pronari, jo Qeveria. Në fakt, ju e keni shënjestrën tjetërkund, jo tek unë. Është puna juaj.

Skënder Gjinushi deputet i PSD (duke ju drejtuar deputetëve të PD-së) : U kuptua nga nënteksti i shefit tuaj, i cili tha tani se nëse do të ndërtohet pallat apo jo, kjo varet edhe nga kryetari i bashkisë, apo nga kryetarët e bashkive. Ai e ka të qartë se ku ndodhen dhe cilat janë këto terrene, ku ia vlen të ndërtosh dhe ku jo, pastaj hyrjet i ndan Ndreka.

Ilir Meta deputet i LSI: Shpreh shqetësimin e thellë, jo vetëm kaq, por alarmin se ndoshta pas gjashtë muajsh apo një viti nuk do të kemi më terrene sportive dhe Zoti na ruajt të paktën stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, sepse duket qartë që një plan ogurzi është për të gjitha terrenet sportive, që kanë mbetur në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit tonë, ku, me sa duket, vlera e biznesit të ndërtimit është shumë e lartë. (I drejtohet Berishes). Ju edhe ato pak vepra sportive që kanë mbijetuar nga koha e diktaturës, tani, në marrëveshje të qartë me klanet e ndërtimit, duket se po jepni koncesione, ndoshta edhe në shkëmbim të Kodit të ri Zgjedhor.

Erjon Brace, deputet i PS: Më lejoni, zoti Kryeministër, t’ju them që në fjalinë e parë “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e trojeve, nëse ka të tillë” duhet vendosur patjetër kushti që të mos u ndryshojë destinacioni. Kjo është themelore për të garantuar ekzistencën e klubeve sportive dhe ushtrimin e sportit në këto objekte sportive në vijim. Unë nuk mund ta pranoj konceptin tuaj që ju nuk ndërhyni. Nuk është e vërtetë. Territorin nuk e qeverisin vetëm njësitë vendore, atë e qeverisni edhe ju dhe ju jeni kryetari i KRTRSH-së, jeni ju që, jo më larg se disa muaj më parë, keni ndryshuar me vendim të KRTRSH-së destinacionin e disa zonave sportive në Tiranë. Prandaj, do të ishte mirë që ju, personalisht, ta pranoni këtë kusht për ish-pronarët.