Agim Faja, piktori që shkruan
historikun e Shijakut

Agim Faja, piktori që shkruan<br />historikun e Shijakut
TIRANE- Agim Faja, i njohur si një nga piktorët më të mirë shqiptarë ka përgatitur së fundi historikun e ilustruar të Shijakut, qytetit të lindjes. Për disa dekada me radhë ai ka grumbulluar dokumente e dëshmi, të cilat tashmë kanë marrë formën tre vëllimeve të gatshme për botim. “Është një punë shumëvjeçare, në të cilën qyteti ynë i vogël dokumentohet që në periudhën parahistorike-tregon Agim Faja, duke shtuar se libri po i nënshtrohet korrektimit për të kaluar më pas në procesin e botimit.

Piktori i Merituar, Agim Faja është një emblemë në qytetin e vogël të Shijakut, të cilin shumë studiues e identifikojnë me Shën Jakun, duke e vënë në listën e qyteteve të botës me emrin Santiago, nga Spanja në Kili. “Një gur i lashtë kilometrik i zbuluar buzë lumit Erzen, provon lashtësinë e këtyre zonave të banuara-shprehet Agim Faja. Një vend të veçantë zë në librin e tij periudha e Rilindjes Kombëtare dhe e shpalljes së Pavarësisë së vendit.

Piktori dhe studiuesi shijakas, Agim Faja, thotë se, ngritjen e flamurit në ballkonin e nënprefekturës së Shijakut më 26 nëntor të motit 1912 kryetari i bashkisë së asaj kohe, klerikët dhe tërë parësia e qytetit, në shenjë besimi e respekti ia besuan plakut Sali Bej Deliallisi. 69-vjeçari i fisit të Deliallisëve, në vitin 1880 kishte themeluar qytetin e ri të Shijakut, ndërsa djali i tij Xhemaliu, qe zgjedhur si delegat në Kuvendin e Vlorës. Sipas piktorit – studiues, Shijaku dërgoi në Kuvendin e Vlorës tre delegatë, të cilët u përfshinë në grupin e Durrësit.

Agim Faja dhe intelektualë të tjerë shijakas janë bërë nismëtarë që 100 vjet më vonë, me motivacionin “Për kontributin e shquar dhe përpjekjet për liri e pavarësi kombëtare si përfaqësues i denjë i krahinarisë së Shijakut në Kongresin e Vlorës dhe firmëtar i proklamatës për shpalljen e Pavarësisë” Bashkia dhe këshilli bashkiak i Shijakut t’i nderojnë delegatët dhe firmëtarët e Shijakut në Kuvendin e Vlorës, Ymer Deliallisi, Xhemali Deliallisi dhe Ali Shahini (pas vdekjes). Historiku i Shijakut do të jetë një libër – ndryshe.

Autori Faja, në rolin e studiuesit dhe të piktorit ka përgatitur një sërë ilustrimesh, të cilat do të lehtësojnë leximin dhe do të afrojnë edhe më shumë periudhën e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kur siç thotë profesori i nderuar, pavarësisht nga varfëria kishte një jetë të pasur kulturore.
 
Agim Faja
(Në foto: Prof. Agim Faja në studion e tij dhe mëposhtë disa nga pikturat që prof. Faja ka realizuar)

pikturat e agim fajes
Ilustruesi i “Abetares” dhe “Tregimeve të moçme shqiptare”
 Emri i piktorit Agim Faja është i lidhur shumë ngushtë me Shijakun, qytetin ku lindi dhe ku vazhdon të jetojë edhe tani që po i afrohet 75 vjetëve. Edhe shtëpia e tij mjaft e thjeshtë ndodhet vetëm pak metra larg qendrës së zhurmshme, në një nga rrugët e ngushta që shkojnë drejt periferisë. I mësuar me njerëzit, Agim Faja nuk është nga ata artistë që kërkojnë vetminë për të pritur “muzën krijuese”. Megjithëse sëmundja e ka mbërthyer në një karrige me rrota, asgjë nuk të bën të mendosh se prof. Agimi jeton si invalid. Përkundrazi!

Në studion e vogël në hyrje të oborrit ka vazhdimisht njerëz dhe ai ka për të gjithë nga një muhabet të veçantë e shumë të këndshëm. Në tavolinë dallohen dhjetëra fletë të bardha, të mbushura me një shkrim të bukur e të rregullt sikur të ishin përgatitur në një shtypshkronjë të specializuar. E bashkë me to, edhe gotat e rakisë. E pyes për “Abetaren”, librin e parë të fëmijëve shqiptarë, ilustrimet e të cilit për 15 vjet me radhë kanë mbajtur firmën e Agim Fajës. “Ka qenë viti 1976 dhe drejtuesit kishin vendosur që “Abetarja” të punohej nga katër piktorë-tregon Agim Faja. U thashë edhe kolegëve se një gjë e tillë nuk kishte kuptim, megjithatë bocat për pjesën që më ngarkuan i realizova”.

Pas kësaj gjithçka që lidhej me ilustrimet e lanë në dorën e piktorit shijakas. “Kam parë me dhjetëra abetare të vendeve të tjera, duke filluar nga ato të Republikave Sovjetike deri te Franca e Amerika”. Gjeta diku edhe shprehjen e shkrimtarit të madh rus Tolstoi: “Vepra ime më e mirë është Abetarja”. “Nuk ishte detyrë e lehtë-vijon mjeshtri Faja. Dua të kujtoj se abetaret e para pas vitit 1945 në vendin tonë ishin ilustruar nga Abdurrahim Buza dhe Qamil Guranjaku”. Agim Faja sjell ndërmend bisedat e gjata me prof. Kolë Xhumarin, autorin e teksteve të Abetares, e cila u shërbeu vogëlushëve dhe mësuesve të tyre deri në vitin 1991. Ilustrimet janë një nga pikat e forta të Piktorit të Merituar Agim Faja.

Ka filluar të bashkëpunojë me autorë të ndryshëm në vitin 1959. Sapo ishte diplomuar në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës kur u bë bashkautori figurativ i shkrimtarit Vehbi Bala në librin “Një përrallë e vërtetë”. Më pas një përkthim i Majakovskit  dhe në vitin 1962 ilustron librin për fëmijë të Gjergj Vlashit “Përse gomari i ka veshët e gjatë?”.

Në vitin 1966 Agim Faja merr përsipër të ilustrojë “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë me legjendat e Mujit e Halilit, me zanat  dhe orët e malit. “Në fillim përgatita vetëm 15 ilustrime, më pas çdo tregim kishte ilustrimin e vet-tregon Agimi. Gjithsej 35, të gjitha origjinalet e ilustrimeve që janë riprodhuar me mijëra herë në faqet e librit të Mitrushit të madh Agimi i Shijakut i ka vendosur pas xhamave të mbërthyer në mur.

studio e agim fajes

Dëshmitari i Shijakut
Bashkë me to kanë zënë vend tablo të ndryshme, vizatime, studime e punime të hershme. Në 55 vjet karrierë artistike Agim Faja ka hapur 11 ekspozita, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore. Pesë vjet më parë bashkë me djemtë Arditin dhe Ergysin dhe me nipin Francin, edhe ata piktorë, artistët Faja përkujtuan në Shijak 50-vjetorin e ekspozitës së parë figurative në qytetin e vogël.

Një ekspozitë retrospektive që riktheu në vëmendjen e amatorëve një gjysmë shekulli me përpjekje pozitive si dhe emrat e njohur të piktorëve shijakas Agim Faja, Luan Berhami, Dashamir Gurabardhi, Abaz Hado, Aqif  Keçia, Albert Dedja, etj. “Më sollën nga galeria e arteve në Durrës edhe disa nga punimet e viteve 1960-1980, të cilat fillimisht i vendosa në studio, ja këtu ku jemi bashkë – tregon me emocion Agimi. Nuk më besohej që ato tablo i kisha bërë vetë”. Pastaj qesh: -Edhe këtë unë e kam bërë, por në vitin 1972 nuk ma pranuan në ekspozitë. I kisha bërë kooperativistet shumë joshëse, -thotë me humor Agimi, duke rikujtuar kohët kur gjithçka duhet të kalonte në vrimë të gjilpërës. 

E në të njëjtën kohë sjell dëshmi nga veprimtaritë e shumta në pallatin e kulturës, të cilat që nga viti 1968 organizoheshin nën drejtimin e regjisorit Ridvan Malltezi. Në raftet pas tavolinës shihen vëllime të pafund, të gjitha të shkruara me dorë me një kaligrafi për t’u patur zili. “Historia e Shijakut është këtu, në këto pesë vëllime-tregon Agimi, i cili prej vitesh ka grumbulluar kujtime nga të moshuarit, grimca folklori të zonës, dokumente dhe foto, një pjesë e të cilave janë botuar në formën e broshurave. Plot të tjera presin botimin. Agim Faja, piktori i njohur që e ka treguar qytetin dhe natyrën e tij përmes peizazheve dhe kompozimeve të mrekullueshme do t’u dëshmojë bashkëqytetarëve më të rinj edhe të kaluarën e vendit ku kanë lindur.
 
 Shkrimi u publikua sot (27.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar