Ahmetaj: Konçensionet në vend
do t'i rishohim që nga aspekti juridik

Ahmetaj: Konçensionet në vend <br />do t'i rishohim që nga aspekti juridik
TIRANË – Emisioni “5 Pyetje nga Babaramo” solli në studion e gazetarit Ilir Babaramo, deputetin dhe kandidatin socialist të Gjirokastrës, Arben Ahmetaj. Ahmetaj e vuri theksin tek fusha që ai mbulon në programin e PS-së, ekonomia dhe industria, duke nënvizuar sërish rishikimin e kontratave konçensionare në vend, të cilat janë plotësisht të mundura të ndryshojnë duke filluar nga aspekti juridik i tyre dhe duke u trajtuar sipas standarteve ndërkombëtare për të mos rrezikuar arbitrazhin.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria nuk ka të drejtën sovrane mbi naftën, fakt që e ka publikuar edhe "Forbes", ç'ka do të thotë se asnjë përqind e shitjes së saj nuk hyn në buxhetin e shtetit kur minimalisht duhet të hynin 30%.  Lidhur me faturat e papaguara të punëve publike të shtetit ndaj biznesit, ai llogariti shumën e 350 milionë dollarëve, të barabarta me një rënie prej 2.5% të ekonomisë.

Përsa i përket çështjes së KQZ-së, për të cilën u pyet që në krye, Ahmetaj tha se KQZ duhet të balancohet 3 me 3 dhe një anëtar të pavarur dhe pse jo, nëse duhet, të ndryshojë edhe ligji.

Z.Ahmetaj, le ta nisim bisedën nga përgatitja e zgjedhjeve: Përse nuk i zini vendet bosh në KQZ?

Ne i tërhoqëm anëtarët për dy arsye kryesore e së pari, për t’i treguar gjithë opinionit se Berisha nuk do të respektojë Kodin Zgjedhor. Ajo që ka ndodhur me KQZ-në, grabitja e anëtarit në Parlament me numër të kufizuar votash, është uzurpim i një pozicioni kushtetues.

Po përse nuk çoni njerëzit tuaj të plotësoni vendet bosh kur edhe ndërkombëtarët e kanë kërkuar aq shpesh këtë?

Ndërkombëtarët kur kanë një problem si ky, flasin drejtpërsëdrejti. Por ne jemi faktorët që duhet ta zgjidhim. Institucioni duhet të balancohet, me numër tek, që do të thotë se një anëtar do të jetë i pavaruri.

Pra, të ndryshohet ligji?

Pse jo?! Sot KQZ-ja ka katër anëtarë që marrin vendime si u do qejfi.

A e shikoni fushatën e PD si po zhvillohet dhe rotacionin që kërkoni?

Por, por unë po marr shembullin e Gjirokastrës. Në sheshin Çerçiz Topulli, kishte qytetarë të lirë nga gjithë qarku, rreth 5 mijë vetë e kaq nuk ka pasur aq as në 1978-ën!

Në 1987-ën kur ne ishim fëmijë…

Po pra, se atëherë ishte me detyrim që duhej të ishin. Vetëm nga Tepelena janë nisur 80 veta me autobusa, gjithë administrata e institucionet qëndrore. Vetë unë kam marrë telefonata nga mësues që kanë qënë të detyruar me zor të dalin se i heqin nga puna. U kanë marrë kartat e identitetit dhe firmat për të dalë aty. Kjo është PD-ja.

Dy muaj më parë kur bëtë marrëveshjen e beftë me LSI-në, pati zëra kundër. Kjo situatë është tejkaluar në bazë apo ka tension ende?


Po të thoja se është krejtësisht e kaluar do ta ekzagjeroja. Por do isha realist të thosha se ka problematika të vogla brenda individëve të koalicionit që godasin votat e lehta, votat e majta. Nëse unë vij si kandidat potencial i koalicionit dhe godas votat e PS, ky është gabim strategjik, sepse gris thesin e PS-së. Por këto gjëra janë të vogla dhe beteja është e koordinuar.

A ekziston rreziku që nga kjo “grisja e thesit” në fund të fitojë PD-ja?


Matematikisht, meqë jemi duke folur për vota të majta, është mundësi e vogël. Por nëse në Gjirokastër sot kemi tre mandate dhe dy PD-ja, brenda vetës ne kemi LSI-në tani. Nëse LSI-ja kërkon vota të lehta, konsolidon dyshen andej dhe tenton të marrë shumën e votave të domosdoshme për të marrë të tretin dhe ky është një konfigurim i panevojshëm. LSI-ja vjen të zgjerojë thesin e votave të koalicionit, që nesër të kemi një qeverisje të konsoliduar. Nëse një individ me një taktitë të gabuar mund të godasë numrin tre në Gjirokastër dhe në finale, ngelemi në vend. Logjika është të godasim të katërtin, pra të dy “pistonët” duhet të rrisin numrin e votave në koalicion. Jemi në harmoni të plotë me këtë logjikë dhe e solla si shembull se çfarë mund të bëjë një gabim taktik në terren.

Po për ekonominë, çfarë do thoshit?

Të ardhurat në buxhet kanë rënie serioze. Defiçiti në buxhet është skandaloz. Ndërkohë që nëse ekonomia është rritur kaq shumë, si është e mundur që të dhënat kanë ngelur në të njejtin vend?! E ndërkohë që kanë rritur taksat. Arsyeja është korrupsioni, keqmenaxhimi. Berisha flet lart e poshtë që kam rritur pagat kur raporti i BSH-së i fundit thotë që pagat kanë rënë. Sistemi energjitik është i falimentuar, me 1.2 miliardë lekë borxhe; nafta tërësisht e vjedhur kur del 1 milion ton naftë. Bujqësia ka 10 milionë dollarë mbështetje buxhetore. Po pse, me aq para do bëhet bujqësia?

Si do t’i rishikoni koncensionet e naftës?

E para, juridikisht është plotësisht e mundur.

Po do të shkoni në arbitrazh e do paguajë shteti, shuma të mëdha…

Aspak. Ne do vendosim standartin ndërkombëtar. Kontrata e firmosur nga të të dyja palët është gjë e gjallë dhe kur vjen një forcë politike, është votuar edhe për të parë këtë. Pashë disa ditë më parë “Forbes” që fliste për naftën shqiptare, thoshte se këtu nuk ka as të drejtë sovrane mbi naftën. Kjo do të thotë se nëse ke nxjerrë 100 ton naftë, minus shpenzimet për nxjerrjen, afërsisht 10 ton, pjesa tjetër shkon o në buxhet, o drejtpërdrejtë. 30 është minimumi që e ka Irlanda. Sa e kemi ne? 4%. Atëherë pse e marrim pushtetin? Për t’i kthyer pasurinë e grabitur nga ky njeri, shqiptarëve.

Koncensionet do t’i rishohim, kush i ka zbatuar ligjet. Kemi listën. Si fillim, do marrim shpërndarjen e energjisë. Ka 8 vite që dikush nuk paguan e dikush paguan. Fatura është shitur dyfish. Çekia vetë ka 8 kompani rajonale për shpërndarjen, jo një. Nuk ka nevojë të parapaguajë qytetari, por thjesht atë që konsum dhe shteti të ulë humbjet teknike dhe joteknike.

Po pse, si mendoni ju, se ÇEZ-i nuk donte ta bënte?

Po ja pra, se s’ka shtet në Shqipëri. S’mund të krijosh vatra në Shqipëri si Palermoja dikur: atje s’paguhet energjia, diku s’paguhen taksat, atje shfrytëzohet deti…Pra, nëse vendos ligjin kudo të barabartë, s’ka pse të ndodhë. Kjo qeveri ka dështuar në vendosjen e ligjit, ka bërë rrëmujë kudo.

Po minierat, si do t’i zgjidhni? Ato kanë kontrata, tregu është stabilizuar

Si qenka treg i stabilizuar? Industria nuk funksionon vetëm për kapitalistin, por edhe për komunitetin paralelisht dhe në mes janë taksat e shtetit. Tani është tamam si në Palermo. Mjafton vetëm t’i detyrosh të zbatojnë kontratat. A mund të bëhet që gjithë vendi të jetë zonë e kontrolluar? Që asnjë makinë me mineral të mos dalë pa numëruar dhe asnjë punëtor të mos trajtohet si skllav e të bëhen varret atje? Kjo po.

Po a e dini ju që Shqipëria s’ka asnjë pikë naftë të re? A e dini në është investuar seriozisht për kërkimet e reja, sepse ka naftë të vjetër dhe ka dhe naftë të re. Do ta koncensionojmë me objektiv që Albpetroli të bëhet pjesë e rrjetit rajonal të energjisë. Situata në Albpetrol është skandaloze, sepse vidhen 800 mijë ton naftë. Albpetrol I ka të gjitha mundësitë për t’u bërë edhe institucion zhvillimi, edhe shkencor.

Berisha ka prioritet bujqësinë dhe turizmin.
..

Berisha ka prioritet xhepin e vet. Çfarë do të ndryshojë ky? A gjen dot një rrugë të standarteve europiane? Rrugën e Kombit, që ka shkarë? Po Levan – Vlorë e ke parë?! Se unë e kam filmuar, ngaqë e bëj çdo javë këtë rrugë. Ky nuk ka prioritet, ka vrarë shqiptarë. Bujqësia është themeli i programit tonë. Do të japim çertifikatën e tokës, që të bëhet dikush pronar, të zhvillohet e të marrë kredi e të krijojë marrëdhënie kontraktuale më të mëdha, për të kaluar në kapitalizëm bujqësor.

Një nga problemet më shqetësuese të biznesit janë faturat e punëve publike të papaguara.

A duhet të bëjmë më parë një inventor se çfarë do t’u lerë ky njeri shqiptarëve? Janë 200 milionë euro për punë publike të papaguara. 150 milionë tvsh e parimbursuar. U bënë 350 milionë. S’po fut këtu gjobat, se janë histori me vete. Pyet Guvernatorin se ç’do të thotë: baraz me 2.5% rritje ekonomike. Pra shkatërrim ekonomik. Si kjo gotë që mund të thuhet dhe ti i thua tjetrit merre fshije me fshesë. Gota është thyer dhe ajo që po bëjmë ne është si të rregullohet që thërrimet mos të çajnë këmbët. Pra, si do rregullohet borxhi? Si negociohet borxhi? Të gjitha faturat e papaguara do t’ia kthejmë biznesit kokërr më kokërr.

Po si do ta bëni këtë që edhe borxhin do ta ulni edhe nga buxheti do nxirrni lekë?

Çdo vit i ikin shtetin 200 milionë euro për shkak të korrupsionit dhe klientelizmit. Aty janë paratë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë