Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj në një intervistë për Report Tv tha se nga 11 000 mijë familje që ishin në çadra aktualisht janë 865 të tilla. Ahmetaj tha se po punohet me një ritëm të shpejtë me shkollat, ku në një vit janë ndërtuar më shumë shkolla se ç'janë bërë në 30 vite.
Ai tha se me procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 është punuar 3 herë më shpejt nga sa mund të imagjinohet në prokurimin dhe dokumentet që duheshin për të nisur nga procesi. Ministri Ahmetaj i bëri ftesë opozitës duke thënë se le të shkojë ta shoh dhe vërtetojë në terren rindërtimin dhe jo të bëjë politikën e ‘biftekut’ por atë të realitetit. Ai tha se programi i rindërtimit mbyllet plotësisht në maj 2022.
Lexoni intervistën e plotë
Zoti ministër, si po shkon procesi i rindërtimit për sa u takon banesave kolektive, atyre private, por gjithashtu edhe njësive e institucioneve arsimore publike? Sa përqind e programit është realizuar deri më tani?
Siç besoj e dini, tashmë janë disa programe brenda programit të rindërtimit. Programi i parë janë grantet DS1-DS3. Për qytetarët, për ta shpjeguar më thjeshtë me DS1-DS3 presupozohet për dëmet nga më të lehtat deri te të mesmet, pra jo strukturore siç janë DS4-DS5. Është programi i shkollave, është programi i banesave individuale dhe programi i banesave kolektive. Për sa u përket granteve, procesi kalon në një vlerësim në njësitë administrative, pra nga qeverisja vendore. Deri sot janë vlerësuar 29 100 familje me grante rikonstruksioni, të cilat kalojnë në kesh në llogari të familjeve. Shuma shkon deri në 100 milionë dollarë, plus afërsisht 21 milionë dollarë janë edhe grantet për ambientet e përbashkëta, të përfshira në këtë program. Ambientet e përbashkëta presupozoj që, në qoftë se në një pallat janë dëmtuar disa apartamente, p.sh. 10 apartamente, por edhe shkalla, praktikisht do të rikonstruktohet edhe shkalla. Ju e keni parë që është program ku edhe pjesa e ambienteve të përbashkëta ka ecur shumë mirë dhe dua të ndaj me ju, që besoj se e keni edhe pyetje por edhe kuriozitet legjitim, praktikisht ne sot kemi në çadra vetëm 865 persona.
Po pse vijon qëndrimi i tyre në çadra?
Do t’jua them. Kemi pasur 11 000 persona, në fakt mbi 11 000. Duke përparuar programi dhe duke u futur në shtëpi, duke dhënë grante dhe duke u riparuar shtëpitë, banesat individuale kanë ecur në shumë njësi administrative apo në bashki dhe sigurisht që kjo redukton numrin e familjeve që rrinë në çadra dhe siç jua thashë, tani janë 865 dhe në të njëjtën kohë redukton edhe shumën e bonusit të qirasë sepse familjet rikthehen në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo në pallatet e tyre të rindërtuara, qoftë apartamentet qoftë ambientet e përbashkëta. Siç e theksova, vlera e miratuar është 100 milionë dollarë, pa përfshirë 21 milionë dollarët e ambienteve të përbashkëta dhe nga 100 milionët rreth 76 milionë dollarë që janë disbursuar në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë ne e hapëm sistemin përpara rreth një muaji për një vlerësim të dytë. Arsyeja është shumë interesante. Kur i pyesim njerëzit përse nuk kanë aplikuar rëndom thonë që nuk kanë pasur besim, por tani nuk kanë më asnjë dyshim që do të përfitojnë aty ku dëmi verifikohet në mënyrë legale, pra që është legjitim, i kontrolluar nga të gjitha hallkat që kërkon ligji. Pra jemi duke folur për besim 100%. Unë e kam parë edhe ndryshimin e njerëzve në terren. Praktikisht, unë personalisht për çdo site do të kem shkuar të paktën rreth 10 herë në secilin. Për shkollat praktikisht është më shumë, pra më shumë se 10 herë dhe njerëzit kanë ndryshuar në reagim, në themel. Deri dje, pra deri nga korriku kanë pasur ato dyshimet e veta ndërsa sot nuk kanë asnjë dyshim. Kur marrin çelësat janë të emocionuar, le të themi se e shprehin atë vlerësimin për kryeministrin, për procesin, për qeverinë. Por gjithsesi unë po jua numëroj programet një e nga një. Ky ishte programi i granteve. Programi i shkollave është spektakolar. D.m.th. dua t’ju them që unë ndihem shumë krenar kur sot, pas pak më shumë se 11 muaj nga fillimi i punës sepse në shkurt u hartua buxheti, u mblodh konferenca e donatorëve, doli e gjithë llogaria e dëmeve nga donatorët, pastaj ne që kaluam në detaje, pra në më pak se 11 muaj ne kemi ecur me një shpejtësi që kur e përllogarisim me të gjitha proceset administrative qeveritare, praktikisht ne kemi ecur me një shpejtësi tri herë më të madhe. Pra, në qoftë se për një proces të ngjashëm administrativ duhen 30 ditë, në procesin e rindërtimit brenda 10 ditëve është kryer e gjithë xhiroja administrative burokratike, është aprovuar aksioni apo projekti apo masa, dhe është kaluar në terren. Dhe duhet ta dini, duhet ta dinë qytetarët, që ka qenë një punë dhe është një punë kolosale, që nga përllogaritja e dëmeve dhe deri te fillimi i punës në terren. Janë 157 shkolla. Kemi disa shkolla ende pa financim, të cilat do të financohen tani në muajt janar-shkurt. Këtu e kemi programin të kombinuar me donatorët. Donatori kryesor i shkollave është Komisioni Evropian.
Sa është fondi i lëvruar prej tij?
Fondi i lëvruar prej tyre, pra angazhimi është 115 milionë. Ata bëjnë procedurat e tyre, bëjnë prokurimet e tyre. si njësi zbatuese kanë caktuar Kombet e Bashkuara, pra agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe numri i shkollave është rreth 73, që ata do të bëjnë. Ndërkohë ata sapo kanë filluar, pra kanë rreth një muaj e gjysmë që kanë filluar ndërtimin e shkollave. Ndërkohë që ne, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në fund të janarit, me përjashtime të vogla deri në mesin e shkurtit, i mbarojmë të gjitha shkollat me buxhetin e shtetit. Tirana është pak më mbrapa sepse ndoqi një procedurë tjetër prokurimi dhe zbatimi, por siç e keni parë, edhe në Tiranë tashmë shkollat janë të gjitha me katin e parë të ndërtuar dhe në katin e dytë. Praktikisht ne do të ndërtojmë deri në qershor të gjitha shkollat, përveç atyre të donatorëve që do të vazhdojnë deri në shtator të vitit tjetër dhe ndoshta KFV-ja edhe pak më shumë. KFV-ja është Agjencia e Zhvillimit të Republikës Federale Gjermane. Ne mund të krenohemi, unë mund të krenohem, të themi që ne kemi ndërtuar gjatë procesit të rindërtimit më shumë shkolla se ç’janë ndërtuar në të gjithë Shqipërinë në 30 vite. Për sa i përket programit të tretë, që janë njësitë individuale, puna në terren është intensive. Janë prokuruar, me përjashtime shumë të vogla, të gjitha njësitë individuale të vlerësuara DS4-DS5 për t’u rrëzuar, për t’u shembur dhe për t’u rindërtuar në bazë të modeleve. Në përllogaritjet tona besoj se deri në fund të marsit do të jenë mbi 1 500 njësi individuale të mbaruara të dorëzuara. Por njësi indoviduale ne kemi 4 500 dhe sigurisht që puna vazhdon.
Konkretisht në Laç, në Kurbin, në Thumanë, në Fushë Krujë, në Shijak, aktualisht u pritet që të përfundojë më shpejt procesi i rindërtimit? Ku ka përparuar më shumë?
Nuk do të jetë një. Po jua them, p.sh., në Fushë Krujë kanë avancuar njësitë individuale jashtëzakonisht shumë dhe shumë bukur. Në Shijak kanë avancuar njësitë individuale shumë mirë. Ndërkohë që në Durrës, në fillimin e javës që vjen, hap pas haapi me fondin e Abu Dabit, pra me 2 000 banesat. Besoj se do të fillojmë me një nga korpuset e Spitallës dhe pastaj të gjitha të pikëzuara. Ndërkohë unë isha në Thumanë në mëngjes, bashkë me kryeministrin. Sapo kanë filluar të 14 pallatet që do të ndërtohen nga buxheti i shtetit. Dje ishim në Kamëz ku inspektuam përfundimin e kopshtit qëishte realisht spektakolar. Ju keni parë besoj shkollat, por për kuriozitetin tuaj do t’ju duhet që të bëni një tur, jo vetëm ju se nuk e kaam fjalën vetëm për ju, por për të gjithë gazetarët, në mënyrë që të gjitha fjalët që ne themi, si unë ashtu edhe kryeministri apo çdo anëtar tjetër i kabinetit apo deputetë, t’i prekni vetë, të shikoni që ajo që ne kemi premtuar dhe që themi është bërë, ta prekni me dorën tuaj. Iu referova Kamzës sepse atje do të ndërtohen 21 pallate, do të bëhet një qendër e re e Bashkisë së Kamzës, në krah të shkollës kopshti, në krah të kopshtit shkolla, 21 pallatet dhe e gjithë qendra sportive, që është qendër komunitare.
Kjo është planifikuar, por kur do të fillojë?
Ka filluar. Po të shkoni në terren në Fushë Krujë, në Durrës, në Kavajë, në Golem, në Tiranë, iu referova Thumanës sot, në Laç, ka filluar ndërtimi i pallateve. Dhe ndërtimi i pallateve merr maksimumi 7 muaj, po llogarisim edhe ndonjë surprizë gjatë ndërtimit dhe them 8 muaj. Në krye të 8 muajve qytetarët do të jenë në pallatet e reja. “5 Maji” ka filluar, pra këtu në Tiranë te Njësia nr. 4, që do të jetë një poliqendër shumë interesante. Aty kemi konceptuar që do të zhvendoset edhe dy institucione në një godinë të përbashkët, Tatimet dhe Doganat, një qendër IT-je që do të ndërtohet me kontributin italian, një gjimnaz që do të ndërtohet me kontributin grek. Unë i mora të dy programet, atë të njësive individuale dhe atë të njësive kolektive dhe i bashkova në një program. Për kuriozitetin e qytetarëve, por jo vetëm për këtë, po them se ne i kemi angazhuar të gjitha grantet e rindërtimit, të cilat janë angazhuar në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel. Të gjitha. Ne po mbyllim përfundimisht edhe marrëveshjen e fundit me qeverinë greke, për 2,5 milionë euro, shumë e cila do të shkojë për ndërtimin e gjimnazit te “5 Maji” në Bashkinë e Tiranës. Pra është vendosur, është dakordësuar dhe besoj që muajin tjetër fillon zbatimi edhe në terren. Pra këto ishin katër programet. Unë besoj që, sigurisht në raport me atë urgjencë që kanë qytetarët çdo ditë, është një ditë më shumë larg shtëpive të tyre, në krahasim me çdo proces tjetër. Është procesi më i shpejtë i mundshëm. Ju mund të kërkoni procese të tilla të ngjashme në botë dhe në vendet e G7-s, që marrin me vite e vite, e s’mbarojnë. Dhe e dyta, qytetarët nuk marrin shtëpi falas, qytetarët detyrojnë që të shkojnë e të marrin kredi. Imagjinoni për një sekondë, se media ka këtë qejfin për të gjetur gërvishtje, dakord, puna e saj është, por imagjinoni për një çast që të kishte dalë qeveria e Shqipërisë në dhjetor dhe të thoshte: “Qytetarë të nderuar, ju do të merrni kredi në bankë”. Sot nuk do të kishim asnjë shtëpi të bërë.
Zoti ministër, deri më tani u jemi referuar banesave kryesisht kolektive dhe private, por edhe njësive të banimit, gjithashtu institucioneve, si edhe veprave publike. Çfarë ndodh ndërkohë me aktivitetet private? A është menduar që edhe për ato të ketë një fond qoftë edhe kompensimi apo rikonstruksioni të bizneseve të tyre?
Në ligj ne kemi vendosur një korsi, korsinë e rimëkëmbjes së bizneseve, që është program më vete. Në kuadër të Covid-19 dhe të rindërtimit, ne praktikisht avancuam dy instrumente kredie me garanci sovrane, të cilat po ecin shumë mirë. Me të mbaruar i gjithë prokurimi dhe fillimi në terren, siç po ndodh tashmë i njësive kolektive, sepse njësitë individuale janë në ndërtim e sipër me shpejtësi, do të ulemi me kryeministrin për të menduar ndoshta edhe një program për të ndihmuar rimëkëmbjen e bizneseve që janë dëmtuar nga tërmeti.
eferuar fondit të buxhetit të shtetit, sa lekë janë përdorur deri më tani që i kanë shkuar procesit të rindërtimit?
Nuk është mbyllur llogaria e vitit 2020, por besoj që do të shkojë rreth 20 miliardë lekë apo pak më shumë.
Ndërkohë, ky është viti i rimëkëmbjes, kështu e ka nënvizuar kryeministri. Por kemi edhe një vit elektoral, kemi zgjedhjet më 25 prill dhe sigurisht që fokusi është rimëkëmbja ekonomike si pasojë e pandemisë, si edhe procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Në fakt, duket se kjo është edhe shënjestra ku sulmoheni shumë edhe nga ana e opozitës, kryesisht ajo jashtëparlamentare, pra PD-ja dhe LSI-ja. Përfaqësuesit e tyre shkojnë në terren dhe ju akuzojnë që nuk keni bërë sa edhe siç duhet në lidhje me këtë proces dhe e cilësojnë gjithçka propagandë që shfaqet në medie. Si i sfidoni kundërshtarët tuaj?
Nuk ka nevojë fare për sfidë, nuk i sfidoj fare. Unë i ftoj në terren, d.m.th. të mos përtojnë sepse unë jam ditë për ditë në terren. Mjafton që të vijnë një javë bashkë me mua, do të lodhen por nuk ka punë pa lodhje. Sfida do të jetë e bukur se ndërkohë që diskutimi do të përfundojë me fjalët “sa e bukur është bërë kjo shkolla, si nuk e kemi bërë ne më parë”. S’e kanë bërë dot më parë se nuk e kanë pasur as në mendje as në zemër. Ju besoj se e mbani mend përmbytjen e Shkodrës, një ditë e zezë dhe ne i kompensuam. Por duhet ta mendosh edhe ta ndjesh. Nuk e di se cila vjen e para, por nuk ka rëndësi, kur janë të dyja si në rastin konkret për rindërtimin dhe për antikovidin, bën këtë që bën. Unë nuk po them që kemi bërë mrekulli, por më besoni, nëse krahasoni procesin e rindërtimit me shumë e shumë vende të tjera. Është realisht nga proceset më të shpejta dhe më sociali, është unik. Po japim shtëpi falas për qytetarët dhe për familjet e dëmtuara. Nuk ndodh, edhe në vendet e G7-ës, nuk ndodh. E diskutuam atëherë, shumë të djathtë na thoshin: “Ç’është kjo histori, si do të jepni shtëpi falas, çfarë do të thotë kjo, pse në komunizëm jemi?”. Dhe ne thamë: “Jo, jemi në kapitalizëm social”, që do të thotë se këta qytetarë që s’kanë mundësi dhe këta qytetarë që janë dëmtuar nga tërmeti, do të marrin shtëpi falas. Kështu vendosi kryeministri, qeveria dhe kjo po ndodh, po marrin shtëpi falas. Është program unik social. Dhe në fakt shkon mot à mot me profilin tonë social, pavarësisht dërdëllitjeve poshtë e lart.
Në fakt është një platformë me të cilën do të paraqiteni edhe përpara elektoratit për zgjedhjet e 25 prillit. Mendoni se do të fitoi një mandat të tretë, edhe në kuadër të këtij procesi që pritet tashmë të finalizohet?
Unë nuk e diskutoj mandatin e tretë, d.m.th. dua ta ndaj me ju dhe me qytetarët që, ajo që është e rëndësishme, është hera e parë që qytetarët e shohin mandatin e tretë fare të natyrshëm për një forcë politike. Nuk e debatojnë fare. Por pse? Sepse shohin punën. Asnjë qeveri nuk është perfekte. Ndërlohë që në anën tjetër shohin një opozitë që bën politikë bifteku. Kështu që këtu matet puna, aty bëhet politika e biftekut. Shqiptarët nuk janë budallenj, përkundrazi, janë të mençur, e vlerësojnë punën. Propagandë, propagandë, propagandë, mund të thonë çfarë të duash për propagandën, por shkollat janë atje, shtëpitë janë atje, beteja antikovid është atje, vaksina është atje, reforma në drejtësi është atje, reforma në energji është atje, reforma në FISK është atje. Nuk ka rëndësi ajo që thonë ata që bëjnë si analistë apo si propagandistë të së djathtës. Njerëzit i prekin. Ajo që thatë ju që ata na sfidojnë, si i sfidojmë ne. Unë nuk kam nevojë që t’i sfidoj, unë i sfidoj me të vërtetën. Pse nuk e marrin këtë shifrën, se thonë vetëm çadra, çadra, çadra, e mbani mend. Kanë qenë 11 000 dhe janë 865 në çadra. Le të shkojnë t’i numërojnë me gishta dhe pastaj do të thonë që para një viti kanë qenë 11 000 dhe tani janë 865. Pastaj, le të marrin letrat dhe të shkojnë të pyesin qytetarët nëse kanë marrë bonus qiraje. E keni idenë se çfarë ndodhi me propagandën e tyre të fillimit dhe e ndaluan se u llahtarisën? Shkonin te qytetarët. Disa jetonin në çadra sepse kishin zgjedhur, për shkak se ishin afër me bagëtitë, afër me tokat, por bonusin e qirasë e kishin marrë. Dhe u shkonte kryetari i opozitës apo opozitarët e tjerë dhe u thoshin: “Ti po jeton në çadër ë? Vështirë. E ke marrë bonusin e qirasë? Jo, nuk e ke marrë”. Të nesërmen dilte që atij qytetari përveçse ishte vlerësuar, që po i ndërtohej shtëpia, por edhe që kishte marrë bonusin e qirasë. E vërteta të ndjek nga pas. Kjo është sfida.
Viti 2021 do të jetë viti kur do të finalizohet i gjithë procesi i rindërtimit? Nuk do të kemi më njerëz në çadra dhe shtëpi të dëmtuara?
Për të qenë më realistë, unë mendoj që deri në maj të vitit 2022 ne do t’i kemi zhdukur të gjitha pasojat e tërmetit, të gjitha. Për kuriozitet shkoni në Thumanë, në Fushë Krujë. Do të shikoni jo rindërtim, por rikrijim. Shkoni te “5 Maji” të shijoni se çfarë po ndodh dhe se çfarë do të ndodhë. Rikrijim.
Jeni të kënaqur se si ka ecur deri më tani? E keni marrë fitbekun e palëve tuaja të cilat ju kanë mbështetur në këto projekte? E kam fjalën për ndërkombëtarët.
Me ndërkombëtarët kemi një bashkëbisedim gati të përjavshëm. Kemi një skemë transparence. Ata janë pjesë e sekretariatit që kemi ne si njësi, ku ata mund të shohin të gjitha vendimet që ne kemi, mund të pyesin, mund të auditojnë, mund të rikthejnë dosje të tëra. Pra ndërkombëtarët, unë nuk do të them se janë të kënaqur se është e tepërt, nuk besoj që shkon kjo gjë për të thënë, por mund të them që me ndërkombëtarët jemi në harmoni të plotë. Ata ndjekin procesin, e vlerësojnë ecurinë e procesit dhe besoj që këtu s’kemi qenë vetëm, kemi qenë me ta, në çdo gjë. Qeveria turke në Laç, qeveria e Abu Dabit në Durrës, qeveria gjermane me shkollat, KE-ja me shkollat dhe me trashëgiminë kulturore, qeveria kroate dhe ajo sllovene me kopshtet dhe me shkollat, qeveria zvicerane me shumë projekte të tjera, por me grantet gjithashtu, qeveria austriake do të ndërtojë 34 njësi individuale. Ka shumë donatorë. Sot ishim me Behxhet Pacollin që po fillon ndërtimin e pallatit në Thumanë, sot, tani janë duke u hedhur themelet. Shkoni në Thumanë ta shikoni konceptin, thjesht për kuriozitet, që të kuptoni se çfarë do të thotë rindërtim dhe rikrijim.
Çfarë ju thonë banorët kur shkoni dhe inspektoni punimet në kantieret e ndërtimit?
Përtej bolorisë politike, ai është momenti më emocional dhe më i lumtur për mua kur shoh që qytetarët kanë besim ose vijnë aty ku shkon kryeministri apo edhe unë me të dhe shohin punimet, shohin përshkrimin, shohin infrastrukturën, ndërtimet e reja, kuptojnë se çfarë po ndodh, pastaj marrin çelësa. Është një proces emocional shpirtëror fantastik.
Ec ta marrsha Lupeni i shqipnise.
Përgjigju