Akademikët Korkuti e Dado, të ngrihet një shtatore për Ismail Qemalin

TIRANË- Të ngrihet një shtatore madhështore, siç i takon themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Kjo ka qenë kërkesa e akademikëve për të kremtuar 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, i cili u shpall edhe viti i tij. Ndërsa që nga janari ende vazhdojnë të kremtohen aktivitetet për këtë 100-vjetor, zëri i akademikëve nuk është dëgjuar.  Akademiku Myzafer Korkuti në një intervistë për “Shqiptarja.com” thekson ndër të tjera se “Duhet të ngrihen përmendore me karakter kombëtar, dhe t’i dedikohen historisë së kombit. P.sh., bulevardi quhet “Dëshmorët e Kombit”, pa asnjë dëshmor.

Ndërsa akademikja Floresha Dado është shprehur se: “Ne të gjithë e kemi mbështetur idenë. Një shtatore për Ismail Qemalin, ashtu si një e një bëjnë dy, patjetër duhet ngritur. Kjo çështje nuk kërkon më diskutim. Madje jemi të vonuar. Duhet të miratohet nga qeveria.”

Në të vërtetë çështja e shtatores së liderit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u ngrit që kur u organizua 100-vjetori i saj, më 2012-n, nën qeverisjen e Partisë Demokratike.

Një konkurs i dështuar, i organizuar nga Komisioni Shtetëror i jubileut, përfundoi me një monument abstrakt që qëndron sot në ish Parkun Rinia. Shtatoret e paraqitura, nuk patën realizime artistike. Tri nga mjeshtrit më të njohur të skulpturës, nuk e thanë arsyen pse në atë kohë dhanë dorëheqjen nga konkursi.   

Në 2012-n, monumenti i 100-vjetorit u prit me protesta, ku një pjesë e akademikëve e quajtën me ironi edhe “kioska e pavarësisë”.

E ndodhur nën presion, qeveria Berisha, që bëri të mundur realizimin e shtatores madhështore të Mbretit Zog, delegatit 17-vjeçar të krahinës së Matit në shpalljen e Pavarësisë, sajoi një zgjidhje emergjente për një shtatore të vetë Ismail Qemalit.

Kjo shtatore që u vendos në një lulishte dytësore pranë sheshit “Nënë Tereza”, për kritikët e artit dhe specialistët e arkitekturës nuk e ka dimensionin e një shtatoreje që duhet.

Improvizimi me gurin e sjellë nga vendlindja e Ismail Qemalit, Kanina, nuk e ngriti dot në piedestal veprën e Odise Paskalit. Ky skulptor i madh këtë shtatore në mënyrë të pagabueshme e kishte përshtatur posaçërisht për një panteon muzeal.

Floresha Dado

Zoti Korkuti, në këtë vit të shpallur si viti i Ismail Qemalit në 100-vjetorin e vdekjes së tij, po vijojnë aktivitetet. Përse këmbëngulni që ky jubile të kurorëzohet me ngritjen e një shtatoreje për Ismail Qemalin?

-Vlerësimi i figurës së Ismail Qemalit nuk do të mjaftonte me një jubile, ndaj  vlerësimi i tij duhet bërë më gjerë. Unë i drejtohem qeverisë që të ngrejë një komision të mirë dhe të korrigjohet gabimi që u bë në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë ku nxorën në një lulishte dytësore një shtatore të Ismail Qemalit që i përkiste Muzeut. Kur them që vlerësimi duhet të bëhet më i gjerë, unë kam parasysh atë që bëri ai. Për vlerësimin e kontributit të tij duhet një shtatore e madhe, siç i takon themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Dhe kjo shtatore do të duhej të ngrihej në këtë 100-vjetor të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit.

Pse mendoni se shtatorja e marrë nga Muzeu Kombëtar nuk është e përshtatshme, si e kujtoni ju vendosjen e saj në atë institucion vite më parë?

-Shtatorja e Ismail Qemalit që e nxorën në lulishte për 100-vjetorin e Pavarësisë u vendos në Muzeun Historik Kombëtar për të përfaqësuar pavijonin e Rilindjes. Historia e shtatores së Ismail Qemalit ka një histori të hidhur me këta politikanët tanë në diktaturë e në demokraci. Në kohën e Enverit, kur u bë muzeu po diskutoheshin përmasat e shtatores së Enver Hohës krahasuar me atë të Ismail Qemalit, dhe kështu që u këshillua që shtatorja e Ismail Qemalit të ishte në një mjedis të brendshëm, sepse në atë kohë s’duhet ta tejkalonte shtatoren e Enver Hoxhës. Kështu që Odise Paskali, skulptori i shquar, u detyrua ta bënte atë shtatore për ta përshtatur sa më mirë për mjedisin e brendshëm. Për 100-vjetorin e Pavarësisë e morën nga muzeu dhe e vunë në një cep lulishteje, ku ai nuk duket fare, dhe është pa njëfarë piedestali. Kjo është një gjë e papranueshme, sepse s’mund të jetë shtatorja e Ismail Qemalit më e vogël se ajo e Adem Jasharit. Janë dimensionet historike ato që përcaktojnë dimensionet e një shtatoreje.

E para e punës, ngritja e një shtatoreje për një figurë të kombit nuk iu duhet lënë politikanëve, të cilët janë gjithnjë provizorë në punën  e tyre. Duhet lënë në dorë të specialistëve që përcaktojnë rëndësinë dhe vlerat e një figure të kombit apo të një ngjarjeje historike. Kush e vendosi monumentin si një kamare atje..?! Ai monument është një shëmti, s’ka të bëjë me historinë tonë. Ato janë krijime provizore dhe duhet të hiqen. Politikanët të heqin dorë nga qëndrimet dhe vlerësimet e tyre subjektive për figurat e kombit.

Monumenti i Ismail Qemalit që u nxor nga Muzeu Kombëtar për t’u vendosur anash bulevardit në 100-vjetorin e Pavarësisë

A ka bërë kërkesë Akademia e Shkencave, ç’ndikim duhet të ketë ajo në ngritjen e shtatores?

-Po ju ishit në konferencën ndërkombëtare që u organizua për 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, asnjë politikan nuk qe. Ata kanë nevojë që të vijnë e të mësojnë se kush është Ismail Qemali. Ata nuk e  njohin këtë figurë të kombit. Në këto debate shkencore, ata duhet të jenë të pranishëm për të mos qenë të njëanshëm e subjektiv në vlerësimin e figurës së tij. Unë e përshëndes vendimin e kryeministrit Rama, i cili në fillimet e qeverisje së tij e bëri vendim vendosjen e portretit të Ismail Qemalit në institucionet shtetërore. Dhe në vijim të kësaj ne i kërkojmë qeverisë që të caktojë një komision të mirë, një grup të mirë pune për ngritjen e një shtatoreje për Ismail Qemalin. Ismail Qemali mbetet shembull i drejtimit në ato kushte që ishte Shqipëria e shekullit të 20-të. Gjithnjë duhet t’i referohemi historisë dhe shembujve dhe modeleve si Ismail Qemali dhe për shumë gjëra; duke nisur që nga thjeshtësia dhe sakrificat e tij për kombin. Ka shumë kontraste mes Ismail Qemalit me politikanët sot.

Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë

Cila ka qenë një nga modelet e qeverisjes së Ismail Qemalit, që duhet të na tërheq sot vëmendjen?

-Vendimi që burimet dhe pasuritë e tokës shqiptare të mos u jepeshin me koncesion të huajve. Por më ka bërë përshtypje edhe një kujdes tjetër, kur kam vënë re sesi Luigj Gurakuqi e ka shkruar Aktin e Pavarësisë në gjuhën shqipe në mënyrë cilësore. Ky është një model për administratën sot, që ende nuk po zbaton drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Por për fat të keq po ndodh e kundërta, kur  zbulon një padrejtësi që i është bërë kësaj figure. Me këtë rast unë doja të theksoja edhe një problem tjetër që bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, të ruajë veçoritë e emrit që mban. Aty duhet të vendosen figurat e kombit dhe asgjë tjetër atje. Sot, përkundrazi në atë bulevard gjen çdo figurë që nuk ka lidhje me figurat e kombit.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë