AKSHI ka reaguar pas publikimit të një artikulli që vë në dyshim mënyrën se si funksionon Diella, duke pretenduar se nuk është identifikuar një sistem i Inteligjencës Artificiale që qëndron pas saj. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i cilëson pretendimet që ngrihen në artikull si të pasakta dhe thotë se analiza është bërë vetëm mbi pjesën e sistemit që është e dukshme për përdoruesit.

Sipas AKSHI-t, faqja ku qytetarët shohin dhe komunikojnë me Diellën është vetëm ndërfaqja, ndërsa sistemi i Inteligjencës Artificiale që përpunon kërkesat funksionon në infrastrukturën e brendshme qeveritare.

Agjencia argumenton se adresat e serverëve, çelësat dhe elementë të tjerë të backend-it nuk duhet të jenë të dukshëm në kodin publik pikërisht për arsye sigurie dhe se mungesa e tyre vetëm në sytë e publikut, sipas saj, nuk provon se Diella nuk ka një sistem AI pas saj.

AKSHI thotë se Diella është në shërbim në portalin e-Albania që prej janarit 2025, është zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft duke përdorur modele të OpenAI në Azure dhe deri tani ka vulosur elektronikisht mbi 120 mijë dokumente zyrtare.

Sqarimi i plotë i AKSHI-t lidhur me pasaktësitë e publikuara mbi funksionimin e Diellës

Në respekt të informimit të saktë të publikut, AKSHI sqaron disa pasaktësi teknike të publikuara së fundmi lidhur me Diellën dhe mënyrën e funksionimit të saj. Faqja që sheh përdoruesi është ndërfaqja e sistemit, jo vetë sistemi. Kur një qytetar i kërkon Diellës një dokument, kërkesa përpunohet në infrastrukturën qeveritare, ku funksionon sistemi i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft, duke përdorur modele të OpenAI në Azure.

Faqja është ajo që shihet; sistemi që kryen punën ndodhet pas saj. Pikërisht për arsye sigurie, një sistem i ndërtuar sipas standardeve nuk ekspozon në kodin publik adresat e brendshme të serverëve, kredencialet apo çelësat sekretë. Fakti që këto elemente nuk gjenden në kodin e faqes nuk provon mungesën e sistemit; përkundrazi, tregon zbatimin e masave bazë të sigurisë. Po ashtu, emërtime të përgjithshme adresash në internet, si “aibot-api”, nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e sistemit të Diellës apo e infrastrukturës së AKSHI-t. Për rrjedhojë, sjellja ose përgjigjja e tyre nuk mund të përdoret si tregues për funksionimin apo mosfunksionimin e Diellës. Analizimi vetëm i kodit të ndërfaqes publike nuk mund të përcaktojë arkitekturën, modelet apo logjikën që funksionon në backend.

Faktet mbi Diellën janë konkrete dhe të verifikueshme:

-Në shërbim brenda portalit e-Albania që prej janarit 2025;

-Mbi 120,000 dokumente zyrtare të vulosura elektronikisht, numër që vijon të rritet;

-E zhvilluar nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft, duke përdorur modele të OpenAI në Azure;

-Sistemi operon me mekanizma të dedikuar logimi dhe monitorimi.

Një imazh, një avatar apo një faqe statike nuk mund të përpunojë dhe të vulosë dokumente zyrtare. AKSHI mbetet i hapur ndaj analizës, pyetjeve dhe debatit profesional. Kritika është e mirëpritur kur mbështetet në fakte dhe metoda që mund të provojnë përfundimet e pretenduara. Informimi i saktë i publikut është një përgjegjësi që na përket të gjithëve.