Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Cërrik-Mollas, pranë fshatit Selvijas.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se përplasja e një “Mercedes Benz”-i dhe “Smart”-i ka shkaktuar dy viktima, Qemal Çala, 63 vjeç dhe Drilon Tabaku, 22 vjeç. Të dyja viktimat ndodheshin në automjetin tip "Smart" që drejtohej nga Çala. Ky i fundit ishte mësues në shkollën "Osman Gjini" në Mollas.

Shoferi i makinës tjetër ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital.

Një qen i ka prerë rrugën "Smart"-it që e ka shmangur dhe më pas "Benz"-i dyshohet t'i ketë ardhur nga pas me shpejtësi. Nga përplasja, "Smart"-i ka përfunduar në një tokë bujqësore, kurse "Benz"-i në një kanal anash rrugës, duke dëmtuar barrierën mbrojtëse dhe murin rrethues pranë një banese.

Njoftimi i policisë:

Në aksin rrugor "Mollas–Gostimë", janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin S. M., 38 vjeç, dhe automjeti me drejtues shtetasin Q. Ç., rreth 63 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi Q. Ç., si dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi D. T., rreth 22 vjeç.

Gjithashtu, është dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi S. M., i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Lajm në përditësim...