Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“TCHAIKOVSKY & RAVEL”, KONCERT NË SKENËN E TEATRIT TË OPERËS

Romantizmi i Tchaikovsky-t, eleganca e Ravel-it dhe energjia plot ritëm e Milhaud-it bashkohen në një mbrëmje simfonike. Me solistet Laura Llozi në violinë dhe Rejsi Prosi në piano, Orkestra Simfonike nën dirigjimin e Beatrice Venezi do të vijë me një koncert të martën në mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

2.“KËNGË DHE RITUALE – SUITË JAZZ”, KONCERT NË LICEUN ARTISTIK

Një udhëtim etno-jazz mbi tre histori të kujtesës shqiptare vjen për publikun në Tiranë me koncertin “Këngë dhe rituale – Suitë Jazz”, me koncept dhe përpunime muzikore nga Andi Kongo, në një koncert mbrëmjen e nesërme, 23 qershor, në orën 19:00, në Sallën e Koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në skenë ngjiten Ermal Rodi në fyell dhe klarinetë, Elona Islamaj në violinë dhe vokal, Iris Sula në vokal, Arbin Alimeri në bas, Emiljan Dhimo në bateri dhe Andi Kongo në piano. Narratorë të mbrëmjes do të jenë Eno Basha dhe Iris Sula.

3.KONCERT LIVE NGA “OFFCHESTRA” NË SHESHIN “LIRIA” NË DURRËS

Grupi “Offchestra” do të performojë ‘live’ në sheshin “Liria” në Durrës mbrëmjen e së martës në orën 20:00. Artistët ftojnë publikun të bëhet pjesë e një mbrëmjeje me muzikë dhe atmosferë festive në zemër të qytetit bregdetar.

4. “BALKAN FILM FOOD FESTIVAL”, KINEMA DHE USHQIM NË POGRADEC

Pogradeci mirëpret edicionin e radhës të “Balkan Film Food Festival – Kinema pa kufij”, që do të zhvillohet nga 23 deri më 27 qershor. Festivali sjell një program me filma, aktivitete kulturore dhe takime artistike, duke promovuar dialogun kulturor dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit përmes kinemasë dhe gastronomisë.

5. ROMANI “SLOGAN” NË ITALISHT, BISEDË ME AUTORIN YLLJET ALIÇKA

Me rastin përkthimit në italisht të romanit “Slogan” të shkrimtarit Ylljet Aliçka, botuar nga Castelvecchi Editore, në Bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, të martën me 23 qershor, në orën 18:00 do të zhvillohet një aktivitet, ku të pranishëm do të jenë drejtori i Institutit, Alessandro Ruggera dhe autori Aliçka.