Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. JAVA KULTURORE ITALIANE, NATA E MUZIKËS JAZZ NË GJIROKASTËR

Tingujt e “Canzone Italiana” vijnë sonte në orën 19:30 në teatrin “Zihni Zako” në Gjirokastër në kuadër të Javës Kulturore Italiane. Koncerti është konceptuar si një udhëtim muzikor mes jazz-it, soul-it dhe këngëve klasike italiane, të riimagjinuara në një stil modern dhe emocional nga Duo Jazz Giovanna Magro dhe tingujt e kitarës së Carlo Proto.

‘FREE ZONE’ I REGJISORIT AMOS GITAI NË KINEMA MILLENIUM

2. “Free Zone” është filmi që do të shfaqet nesër në mbrëmje në kinema “Millenium” në Tiranë me praninë e veçantë të regjisorit të mirënjohur, Amos Gitai, i cili gjatë pritjes së mirëseardhjes do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse.

3.  FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I TEATRIT PËR FËMIJË NË BERAT

Bashkia Dimal është ajo që çel siparin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”, që do të mbahet mbrëmjen e sotme, më 1 qershor, në orën 19:00 në Portën e Pashait në Berat.

4. FESTIVALI I FILMIT “DEA OPEN AIR” NË EDICIONIN E 13-TË

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” shënon edicionin e tij të trembëdhjetë nga 1 deri më 5 qershor. Ai do të çelet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve në Tiranë.