Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“LIRIA IME KA QENË LETËRSIA”, MBRËMJE PËR ISMAIL KADARENË
Një mbrëmje gala me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare do të mbahet sot në orën 18:00 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Aktorë të njohur do të interpretojnë prozë, poezi dhe muzikë me tekste të Kadaresë. Pritet edhe një ekspozitë nga fondi i muzeut dhe një zbulim dorëshkrimi për “Prillin e thyer”. Për të pranishmit do të vijë një kënd vizatimesh i “Pallatit të Ëndrrave” nga Vladimir Llakaj dhe disa dhurime nga Ylljet Aliçka e Bujar Hudhri për fondin e Shtëpisë Kadare.
2.“DJALI” NGA FLORIAN ZELLER E BERISHA, PREMIERË NË TKEKS
“Djali” është shfaqja nga Florian Zeller me regji nga Fatos Berisha, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë edhe sonte dhe nesër në orën 20:00.
3. “ROZA DHE FATI”, SHFAQJA TE “TEATRI I KUKULLAVE” NË TIRANË
“Roza dhe Fati” është shfaqja për fëmijë, që vjen në Teatrin e Kukullave si një rrëfim i fuqishëm për dashurinë, sakrificën dhe forcën e shpirtit njerëzor. Ajo do të ngjitet në skenë nesër në oraret 10:30 dhe 11:30.
4.“IMAGES FROM ASIA” NË GALERINË “NIKOLET VASIA” NË DURRËS
Një udhëtim vizual mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të Azisë, përmes objektivit të fotografit Massimo Saretta vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.
5. “POST BLLOK”, EKSPOZITA E PESË ARTISTËVE BASHKËKOHORË
“Post Bllok” është ekspozita nga pesë artistë bashkëkohorë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë. Fotografitë, fijet, dylli, letra e punuar me dorë dhe objektet e gjetura funksionojnë si gjurmë fizike të historisë dhe si forma për ta rishkruar atë.
6. “SHUMË PAK VRASËS”, KOMEDIA E ZEZË NË TEATRIN “SKAMPA”
“Shumë pak vrasës” është komedia që do të shfaqet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan sot në orën 18:00.
Komente












