Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.INTERNATIONAL JAZZ FESTIVAL NË EDICIONIN E GJASHTËMBËDHJETË

“Jazz in Albania” rikthehet me edicionin e tij të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, duke sjellë tre net me muzikë live dhe artistë të njohur ndërkombëtarë nga Spanja, Austria, Italia, Greqia, Shqipëria, Kina dhe Maqedonia e Veriut. Eventi mbahet nga nesër deri më 25 shtator, në orën 19:00 në shkollën artistike “Jordan Misja”.

2. “MUZG NË KOPSHTIN E QERSHIVE”, PREMIERË NË TEATRIN KOMBËTAR

Teatri Kombëtar çel sezonin e ri me premierën e shfaqjes “Muzg në kopshtin e qershive”, me përshtatje dhe regji nga Driada Dervishi nesër në orën 20:00. Në rolin kryesor ngjitet në skenë aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani.

3. SHFAQJA “TE TUMJA E KAJES” NGA GJIMNAZISTËT E KUKËSIT

Një shfaqje teatrale e bazuar në një rrëfenjë të lashtë të eposit të bjeshkëve të Lumës nga cikli i legjendave të ruajtura gojarisht dhe të mbledhura nga nxënësit e rajonit Korab-Koritnik do të vijë e interpretuar në gjimnazin “Havzi Nela” në Kukës nga vetë nxënësit e kësaj shkolle, nesër në orën 17:30.

4. “SHKODRA KA PLOT DASHURI”, VARIETE NË TEATRIN “MIGJENI”

Emocione, muzikë dhe humor në varietenë “Shkodra ka plot dashuri” që do të mbahet nga 23-27 shtator në orën 19:00 në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Regjia është e Zehrudin Dokles, drejtues muzike Ilir Zoga dhe skenografia nga Divni Gushta.

5. EKSPOZITA DHE KONCERT PËR IBRAHIM KODRËN NË MUZEUN E BANKËS

Një ekspozitë kushtuar Ibrahim Kodrës, një prej artistëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX dhe postkubistit të fundit europian vjen në Muzeun e Bankës së Shqipërisë nga 23 shtatori deri më 23 nëntor. Çelja e ekspozitës, nesër në orën 17:00 shoqërohet edhe me prezantimin e “Ascolta Kodra” (Seria Metrosound), një kompozim muzikor interdisiplinor nga Robert Bisha me pjesëmarrjen e aktorëve dhe instrumentistëve në oboe, violinë, violë, violonçel e perkusion.

6. JAVA KULTURORE KINEZE, AKTIVITETE NË TIRANË DHE NË VLORË

Një program i larmishëm që përfshin jazz, muzikë tradicionale, art kukullash, letërsi dhe sport, duke lidhur traditën shekullore kineze me artin bashkëkohor dhe krijuar ura të reja komunikimi do të vijë në Javën Kulturore Kineze që do të çelet sot për të vijuar deri më 25 shtator me aktivitete në Tiranë dhe në Vlorë.

7. TUR VIRTUAL E HISTORI, “NË RRUGËTIMIN E KALASË SË BASHTOVËS”

Një përvojë që ndërthur monumentin historik me teknologjinë digjitale mund të përjetohet përmes turit virtual “Në rrugëtimin e Kalasë së Bashtovës”, nesër prej orës 9:00 deri në orën 17:00. Vizitorët do të mund të eksplorojnë arkitekturën fortifikuese, teknikën tradicionale të ndërtimit dhe lidhjen historike të kalasë me lumin Shkumbin dhe detin Adriatik.