Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.PARODISTËT E VLORËS, PJESË E “NJË KURORË PËR DY TRADITA”

Nëse doni të qeshni, të këndoni e të shijoni një natë plot traditë e humor, atëherë mund të ndiqni “Një kurorë për dy tradita” në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, mbrëmjen e nesërme në orën 19:00, me pjesëmarrjen e veçantë të Parodistëve të Vlorës.

2.“MBI FJALË”, SHFAQJA E BLENARD AZIZAJT RIKTHEHET NË TKEKS

“Mbi fjalë” është shfaqja nën drejtimin e koreografit Blenard Azizajt, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë prej ditës së sotme deri më 31 maj në orën 20:00

3. “VJOSA IME”, EDICIONI I KATËRT I FESTIVALIT NË MEMALIAJ

Festivali “Vjosa Ime” rikthehet ndryshe këtë vit. Edicioni i katërt i festivalit do të zhvillohet në Memaliaj më 30 maj në orën 18:00, me një kalendar aktivitetesh të larmishme ku do të marrin pjesë: Fanfara Tirana, artistët e Cirkut Kombëtar, kolonia e artistëve “Plein Air”, do të ketë panair artizanalë të zonës etj.

4. “MACJA QË BËN PAPUÇE”, PREMIERË ABSOLUTE PËR FËMIJËT

“Macja që bën papuçe” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë premierë absolute më 30 e 31 maj në oraret 10:30 dhe 11:30 te Teatri i Kukullave në Tiranë.

5. “PORTRET”, EKSPOZITA E RUZHDI GOSKOVËS NË GALERINË E KORÇËS

“Portret” është ekspozita nga Ruzhdi Goskova, që do të çelet në galerinë “Guri Madhi” në Korçë mbrëmjen e sotme në orën 19:30.

6. PANAIRI I GASTRONOMISË DETARE NË ORIKUM, SHIJE E ARGËTIM

Panairi i Gastronomisë Detare do të mbahet në Orikum më 30 maj. Panairi vjen si një aktivitet dedikuar kuzhinës së detit, gatimeve të freskëta, produkteve lokale dhe atmosferës bregdetare. Për të pranishmit do të ketë spektakël gatimi, markatë peshku, degustime dhe koncert muzikor.