Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“GOLDEN HOUR”, KONCERT “ME ARTISTË SHQIPTARË DHE GREKË

“Ora e Artë” (Golder Hour), një koncert që bashkon artistë nga Shqipëria dhe Greqia do të mbahet mbrëmjen e nesërme në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë. Publiku do të ketë mundësinë të shijojë vepra të kompozitorëve shqiptarë, grekë dhe ndërkombëtarë, të interpretuara nga kornistë të talentuar nga të dy vendet, të cilët janë pjesë e institucioneve, si: Orkestra Shtetërore e Athinës, Opera e Athinës, Universiteti i Arteve të Shqipërisë, Opera e Tiranës etj.

2. “QYTETI I DEHUR”, EKSPOZITË NGA ANASTAS KONSTANDINI NË POGRADEC

Sot në orën 19:00, në Galerinë e Arteve pranë Qendrës Multifunksionale në Pogradec çelet ekspozita personale “Qyteti i Dehur” e piktorit Anastas Konstandini (Taso). Cikli përfshin 50 punime në pastel, të frymëzuara nga kujtimet, jeta qytetare dhe traditat e vendlindjes, duke sjellë një rrëfim artistik mbi transformimin e realitetit dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 1 gusht.

3. “VALA FEST”, MUZIKË DHE ATMOSFERË VERORE NË DURRËS

Vijon të mbahet edhe sonte në Durrës edicioni i tretë i “Vala Fest”. Festivali sjell muzikë, atmosferë verore dhe aktivitete buzë detit.

4. “KRONIKË NË FESTË”, FESTIVAL KUSHTUAR VEPRËS SË ISMAIL KADARESË

Në Pazarin e Gjirokastrës vijon të mbahet edhe sot festivali “Kronikë në festë”, kushtuar krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Programi përfshin punëtori, shëtitje kulturore, muzikë dhe aktivitete që rikthejnë në vëmendje universin letrar të shkrimtarit dhe lidhjen e tij me qytetin e lindjes.

5. “STUDIOT E HAPURA – SESIONI II” NË “VILA 31 X ART EXPLORA”

“Vila 31 x Art Explora” në Tiranë do të ketë të hapura dyert për publikun edhe sot dhe nesër, në kuadër të “Studiove të Hapura”. Vizitorët do të kenë mundësi të takojnë artistët rezidentë, të njihen me procesin e tyre krijues dhe të ndjekin instalacione, performanca, projeksione dhe prezantime artistike.