Aktorët rrëfejnë për Shqiptarja.com
meritat dhe kujtimet me Met Begën

Aktorët rrëfejnë për Shqiptarja.com<br />meritat dhe kujtimet me Met Begën
TIRANE- I ngjizur me humorin deri në qelizë, Met Bega, u kthye në një ikonë për publikun shqiptar, kur ende asnjë institucion nuk ia kishte dhënë këtë status. Nëse ishte në skenë apo jo, aktori Met Bega do të kthehej në simbolin e një buzëqeshje të madhe për të gjithë. Trupimët, i shkathët si një atlet, ai nuk pati kurrë të ndalur në përkushtimin ndaj artit të humorit, madje shkroi edhe pjesë humori të cilat ua propozonte regjisorëve të tij. Improvizonte shumë bukur.

E ndali ritmin e aktrimit traumatikisht aty pas viteve 2000, kur nisën shenjat e para të sëmundjes së Parkinsonit. Shpirti i artistit luftonte me sëmundjen për t’u rikthyer edhe njëherë në skenë. Nuk ia doli dot. Mbeti gjysma tjetër: Met Bega njeriu i madh, gjithmonë pranë familjes dhe miqve të dashur...

Ikona e humorit Met Bega, aktori më i dashur për të gjithë shqiptarët u nda nga jeta dje më 21 prill 2015 në moshën 69-vjeçare. Met Bega ka lindur në Tiranë, më 7 gusht 1946. Ai iu përkushtua për 40 vjet me radhë artit dhe skenës shqiptare, ku pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar në Estradën e Tiranës.

Rolet më të njohura, ato që e shndërruan në një ikonë të paharrueshme për publikun shqiptar janë: “Edhe ashtu, edhe kshtu” në në vitin 1989, “Stolat në park” në vitin 1988, “Tela për violinë” në vitin 1987, "Dy herë mat" në vitin 1986, që është edhe roli i tij i parë në filmat shqiptarë, etj. Por të panumërueshme janë edhe rolet në Estradën e Tiranës, përmes të cilave ka bërë të qeshin shumë shqiptarë. 

Marjana Kondi rrëfen ditët e fundit të artistit
Kohët e fundit Met Bega nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Miqtë dhe familjarët janë shprehur se humoristi e përjetoi betejën me sëmundjen me optimizëm. Mikja e tij e ngushtë aktorja Marjana Kondi ka rrëfyer dje se ajo vetë kishte vetëm tri javë që nuk e kishte parë. Marjana Kondi rrëfen se në vizitën e para tre javëve gjendja e aktorit Met Bega ka qenë shumë e rëndë. “Nuk mbante shumë mend. Bashkëshortja dhe vajza e tij kanë qenë pranë Met Begës”, tha Kondi, ndërsa ka rrëfyer se ajo ruan në kujtesën e saj rolet që ka luajtur me Met Begën.

“Më ka humbur një koleg. Ishte një njeri shumë i mirë, një familjar shumë i mirë. Më vjen shumë keq për sëmundjen që vuajti, më vjen për ikjen e tij. Më vjen keq për kolegun tim e për të gjithë ata kolegë që kanë filluar të na ndahen. Ja para dy vjetësh u largua Vasillaq Vangjeli...

Ndërsa Marjana Kondi rrëfeu për marrëdhëniet e shkëlqyera familjare dhe shoqërore të artistit, u shpreh se “Metit i them që të prehet i qetë. Edhe kur diskutonim, ai shpresonte që të kthehej në skenë. Skenën e kishte ëndërr. Të gjitha skenat ku kemi interpretuar bashkë, Meti i ka shkruar vetë. Meti ka dhënë shumë dhe ka bërë shumë për humorin shqiptar. Në humor përdorte finesë, duke mos qenë banal”.

Vlerësime të çmuara kanë bërë për artistin e madh të humorit Met Begën edhe aktori Mirush Kabashi dhe artisti e regjisori Bujar Kapexhiu në intervistat e tyre për “Shqiptarja.com”

Mirush Kabashi: Met Bega, një
humorist i lindur, shumë inteligjent

Aktori i njohur, Mirush Kabashi, rrëfen për “Shqiptarja.com” si e ka njohur artistin Met Bega jo vetëm si spektator, por edhe si koleg në skenë. Mbi të gjitha Kabashi vlerëson talentin e rrallë dhe profesionalizmin e lartë të aktorit të humorit. 

Zoti Kabashi si e keni njohur ju Met Begën?
Unë e kam njohur Met Begën pothuajse në pozitat e spektatorit, edhe pse kemi qenë në gjirin e së njëjtës familje të artistëve të skenës. Met Bega u bashkua me artistët e skenës me olimpiadat e humorit, me Estradën e Tiranës. Ishte një humorist i lindur, me dhunti dhe shumë inteligjent. Bënte humor me vlerë, me batuta të matura dhe me sharm. Nga afër si koleg me Met Begën, unë u njoha para para dhjetë vjetësh në Dibër të madhe.

Me sa më kujtohet duhet të kenë qenë festimet e 28 Nëntorit. Mua më takonte një pjesë në atë aktivitet, ndërsa Met Bega kishte pjesën më të madhe të aktivitetit. Aty unë pashë se kishim të bënim me Met Begën, jo improvizues i thjeshtë, siç mund të krijohej ajo përshtypja e parë, por me profesinistin shumë serioz që e bënte rolin shumë mirë e të planifikuar. Dhe me të vërtetë; serioziteti, disiplina, përgjegjësia ndaj spektatorit e bëri Met Begën të shquhej si profesionist humori kaq energjik e komunikativ me spektatorin.
 
Si e përjetuat humbjen e tij?
Kur u shfaq sëmundja te ai, sëmundja e Parkistonit, ne humbëm gjysmën e një artisti, por sërish e kishim midis nesh. Sot vdekja e ndau nga familja, nga njerëzit, nga miqtë artistë e kolegë të artit, por edhe spektatori. Edhe pse sëmundja e ndau prej ekranit, vdekja na la një dhimbje më të madhe. Jam lënduar tej mase nga vdekja e tij.
 
A mund të na thoni, pse artisti Met Bega ka spikatur në premiera të mëdha vetëm pas viteve ’80, kur dihet se për 40 vjet në Estradën e Tiranës nuk shteri humori i tij?
Në profesionin tonë, jo vetëm neve si aktorë të teatrit, por edhe si aktor i humorit në veçanti duhet një dorë ta evidentojë. Dhe ishte regjisori Bujar Kapexhiu që e evidentoi Met Begën si talent i veçantë dhe e mori nga varitetë dhe shkroi skenarë enkas për të.

Pra, Kapexhiu e mori nga grupi i artistëve të humorit dhe e përveçoi si talent. Met Bega pati ardhur nga grupet amatore të ndërmarrjeve, të cilat shërbenin si burim për trupat profesioniste. I spikatur kryesisht në rolet e karakterit social, ai ka sjellë në ekran pantonimën dhe skicat humoristike. Para viteve ‘90 ai ka qenë pjesë e Estradës së Tiranës, por në fund të viteve ‘80 arriti kulmin me tri kinokomeditë e regjizorit Bujar Kapexhiu: “Dy herë Mat”, “Tela për Violinë” dhe “Edhe kështu edhe ashtu”, që janë mjaft popullore edhe sot. Met Bega u kujdes që të sillte në skenë role plot gjallëri, plot jetë dhe gjetje estetike.
 
 Bujar Kapexhiu: Humorit rallë i vijnë artistë si Met Bega
 Artisti dhe regjisori Bujar Kapexhiu, ka qenë një nga ata që e spikati dhe i dha vlerë talentit të rallë të humoristit Met Bega. Ikjen e tij nga kjo botë e quan humbje për artin e humorit shqiptar.
 
Zoti Kapexhiu, ju keni qenë një nga regjisorët që e përfshitë humoristin Met Bega në premierat tuaja. Si e përjetuat humbjen e tij?
Padyshim është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, miqtë, por edhe për artin shqiptar, artin e humorit shqiptar. Njerëz të humorit si Met Bega janë aq të tillë, të veçantë që vijnë rrallë në jetë. Aktorë si Met Bega i vijnë vetëm njëherë artit shqiptar.

Artit në përgjithësi në botë i vijnë rrallë këta njerëz, që janë të pajisur me talentin e humorit. Ata kanë dhuntinë që me artin tyre, me shpirtin e tyre, i japin kënaqësi spektatorit dhe të qeshurat. Bega ishte një imazh i  madh i humorit shqiptar, që ia përkushtoi të gjithë jetën e tij. Ai ia kushtoi jetën e tij artit dhe humorit. Ishte kënaqësi e tij, kur dilte në skenë. Sapo shfaqej ai, njerëzit buzëqeshnin dhe ai e realizonte çdo rol me cilësi të lartë.

Publiku e shpërbleu me adhurim, brohoritje dhe mirënjohje. Ikja nga kjo jetë e Met Begës është sot një humbje, por ka një gjë që nuk humbet kurrë. Met Bega, megjithëse lë me ikjen e tij dhimbje, sa herë na kujtohet, na bën të buzëqeshim. La buzëqeshjen, mbeti përjetësisht në kujtesë ashtu siç e shikonin spektatorët.
 
Si shpjegohet shpërthimi në skenë e në premiera i Met Begës vetëm pas viteve ’80, edhe pse ishte një humorist i njohur?
Fillimisht ka qenë lëvizja amatore, ku spikati Met Bega. Brenda vetes ai mbartëte një pasuri të madhe. Dalja e tij në skenë ishte një dukuri e rrallë për artin e humorit. Pikërisht këtu, unë pata shansin ta dalloj, ta marr në filmat e mi, jo vetëm si një krijues në humor, por ai kishte një sens humori dhe ndjeshmëri të rrallë ndaj rolit.

E qeshura buronnte nga natyra e tij. Jo të gjithë aktorëve u është dhënë të jenë të pajisur me ndjenjën humorit. Ka me dhjetëra aktorë dramatikë, por ka shumë pak humoristë, ashtu siç ka edhe shumë pak shkrimtarë të humorit. Humori është privilegj i njerëzve të mençur. Meti kishte edhe një veçanti të bukur. Kishte edhe në skenë qasje humoristike. Propozonte edhe të shkruante vetë, dhe i interpretonte, natyrisht në bashkëpunim me regjisorin.

Meti kishte dhuntinë të kapte fenomenet humoristike në jetë. Plastika origjinale arrinte ta evidentonte nga aktorët e tjerë, ishte shumë punëtor, punonte me rolin. Çdo thënie të regjisorëve, ai e adoptonte brenda kapcitetit të tij të aktrimit në mënyrë shumë origjinale. Kam pasur shansin që në filmat e mi kam punuar me të. Dua të shtoj edhe këtë që, Met Bega ishte nga të parët aktorë, i cili në periudhën e diktaturës bëri shfaqje recital, pra shfaqje individuale, si “Edhe Meti pesë”, “Ooh, lekët e mia”, etj. Janë të rrallë ata aktorë që mbajnë shfaqje vetëm. Met Bega ishte i rrallë për vlerat aktoriale në fushën e humorit.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes