TIRANË- Pas dy vitesh, Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur verifikimin për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka dhe rezulton se ajo ka qenë e dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim vize, dënim të cilin nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit. Ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme e cila vetëm një ditë më parë ia ka kaluar rezultatin e verifikimit KLGJ-së.

Tashmë do të jetë Këshilli i Lartë Gjyqësor që do të vendosë mbi fatin e Gjokës, si organi që duhet të vlerësojë nëse Gjoka është ose jo në kushtet e ndalimit si gjyqtare,  sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme i ka kaluar KLGJ-së vendimin autentik të dënimit të Gjokës, bashkë me të edhe vendimin e autoriteteve greke për arkivimin e dënimit për shkak të mos ekzekutimit. Vendimi i arkivimit është marrë nga prokurori grek për shkak të mos ekzekutimit të dënimit të dhënë ndaj Gjokës.

"Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme. 

Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë prej kohësh nën sulmin e opozitës dhe kreut të PD, Sali Berisha lidhur me këtë dënim nga autoritetet greke. 

Pjesë nga formulari i vetëdeklarimit të Irena Gjokës ku deklaron se nuk është e dënuar

Kliko këtu për të lexuar dënimin e Gjokës (greqisht)

Kliko këtu për të lexuar dënimin e Gjokës në shqip

Kliko këtu për të lexuar formularin e vetëdeklarimit të Gjokës

Lajm në përditësim....