Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, ka komentuar për Report Tv akuzat e Partisë Demokratike për Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Reagimi i ambasadorit amerikane vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama u shpreh nga foltorja e Kuvendit se nëse akuzat e opozitës do kishin përgjegjësi mbi ministrin, i pari që do fliste do ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu.

Lidhur me këtë qëndrim të kreut të qeverisë, ambasadori amerikan, Donald Lu, jep këtë mesazh:

Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj. 

Ambasadori Donal Lu

Në anglisht:
“The Prime Minister should speak for himself and we will speak for ourselves. We are studying the allegations that have been made regarding Minister Xhafaj's brother." Ambassador Lu. 

Opozita akuzon maxhorancën dhe veçanërisht ministrni e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka mbrojtur vëllain e tij, i dënuar me 7 vite burg për trafik droge në Itali, duke i shpëtuar ekstradimit përmes ndryshimit të nenit 491 në Kodin e Procedurës Penale. 

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi dje në seancën e Kuvendit se akuzat e PD janë avaz i vjetër, ndërsa theksoi se nëse këto akuza për vëllain e Fatmir Xhafajt do kishin përgjegjësi për ministrin, të parët që do flisnin do ishin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe përfaqësuesja e delegacionit të BE. 

Dje ministri i Brendshëm foli dhe nuk tha asgjë të re, përsëriti atë që ka thënë në harkun kohor të 15 viteve të fundit. Fakti është i njohur botërisht. Por fakti është i njohur jo vetëm për ata shqiptarë, por është i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Dhe nëse në këtë zurna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të Brendshëm, asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta, do kishte folur miku ynë ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë për të folur.

Kryeministri Edi Rama dje në Kuvend

Vetë Fatmir Xhafaj tha dy ditë më parë se akuzat e pakicës janë baltosje, pasi historiku i të kaluarës së të vëllait 15 vite më parë, nuk është një çështje që i përket atij. Sipas Xhafajt, ndryshe nga sa pretendon PD, autoritetet italiane nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë zyrtarisht për këtë çështje. 

Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerzëve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qënë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij.

Cilido në këtë vend, përfshi dhe mua apo familjarët e mi nuk është mbi ligjin.

Reagimi i Fatmir Xhafajt dy ditë më parë në përgjigje të akuzave të opozitës.