Akuzat ndaj Olsi Ramës për Xibrakën, Balla i përgjigjet Bardhit: Shko poshtë ballkonit dhe pyet Saliun kush është bruni 45-vjeçar, i lidhur me një deputet të PD

TIRANË- Akuzat e Gazment Bardhit se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, është i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë u zhvendosën sot (4 prill 2024) në Kuvend. Kreu i qeverisë, i cili dje refuzoi edhe interpelancën, nuk ishte i pranishëm në seancë ku demokratët i akuzuan të vëllanë, por përgjigjjet iu erdhën në bllok nga socialistët të cilët u kërkuan që të presin vendimin e SPAK, ku Bardhi është paditur nga Olsi Rama për shpifje.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, hodhi poshtë të gjitha akuzat se 45-vjeçari brun i përmendur në dosjen e Xibrakës është Olsi Rama. Madje Balla tha se identitetin e këtij personi e di mjaft mirë Sali Berisha dhe me ironi i tha Bardhit që ta pyesë poshtë ballkonit. Ministri po ashtu thotë se 45-vjeçari brun është i lidhur me një prej deputetëve të Partisë Demokratike.

“Më vjen mirë që keni hapur arkivat e vjetra të baltë së SHQUP për t’iu shmangur debateve të brendshme edhe brenda vetë grupit tuaj parlamentar. Rikthimi në diskursin politik të parafolësit apo ndonjë folësi tjetër të foltores për një çështje që e kemi stërdebatuar me njëri tjetrin që nga janari 2015. Më 13 janar 2015 Policia e shtetit në bashkëveprim me Prokurorinë organizoi një operacion në Xibrakë, ku sipas asaj ëqë është bërë publike është zbuluar laborator kokaine. Atë ditë pasdite, në PD në godinën e rë të SHQUP, njëri prej folësve të PD u thirr me urgjencë, me urdhër të pronarit, jo të drejtorit të SHQIP, dhe deklaronte se fabrika e xibrakës ishte e taulant ballës. Deputeti i PD i shkruan Berishës, pronari të SHQUP-it, i thotë që Balla është në Librazhd. S’ka problem i thotë doktori, duhet të dalë urgjentisht duhet ta fajësojmë një nga PS.

Ky diskutim vijon për disa minuta dhe del PD dhe akuzon Ramën, Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli para. Jo ju që keni mbetur këtu, ata që kanë qenë këtu e dinë kush është ai bruni flokëshkurtër 45 vjeç. E di fare mirë ti. Shko pyet Saliun, shko sot poshtë ballkonit, dhe thuaj Sali kush është ai. E di Saliu, e ka thënë këtu në sallë kush është. Është i lidhur me një deputet të partisë tënde. Nëse ju keni besim, pse nuk keni durim ta hetojë edhe këtë çështje SPAK. Kreu i grupit të PD është detyrë shumë e rëndësishme. Shko bëj kallëzim, mos bëj njoftim. Bëje kallëzim. Për kallëzim të rremë shko në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim. Sot në orën 6 shko thuaj Sali kush është ai 45-vjeçari ta thotë ai, ta thonë edhe shokët e rreshtit të fundit”, tha Balla.

Nga foltorja e Kuvendit, Gazment Bardhi hodhi akuza se një person i paidentifikuar në dosjen e Xibrakës, brun dhe 45 vjeç, është Olsi Rama. Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë çështjen, ndërsa nga ana tjetër Balla i tha se duhet të bëjë kallëzim. Deputeti demokrat tha se e ka depozituar kallëzimin, ndërsa akuzoi ministrin e Brendshëm se po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit, pasi deklaroi se 45-vjeçari është i lidhur me PD.

“Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS-i që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO-s guxoi të ngrejë laborator kokaine”, tha Bardhi.

Ministrja Elisa Spiropali aluduoi për një çorbë të gatuar nga Sali Berisha, i cili sipas saj, do ta marrë nga drejtësia.

“Supa u gatua nga Berisha, u ngroh nga Basha e risillni dhe ju, është shumë e vjetër dhe bajate, ju që jeni edhe kallëzues edhe I kallëzuar do e merrni përgjigjen nga spak. dy mënyra ka ose I kallzuari në burg ose ju", tha Spiropali. 

Pas akuzave se është i lidhur me laboratorin e drogës të zbuluar në 2015 në Xibrakë, Olsi Rama e paditi Gazment Bardhin në SPAK për shpifje. Nga ana tjetër, Rama refuzoi interpelancën duke thënë se ajo kërkohet vetëm duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Xibraka/ ’45-vjeçari brun i lidhur me PD’, Bardhi i përgjigjet Ballës: Po kryen veprën penale të moskallëzimit të krimit! Ministri: Po përdoresh

 

Gazment Bardhi ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Taulant Balla, i cili tha se personi brun 45 vjeç, i përmendur në dosjen e Xibrakë,s nuk është Olsi Rama, por një person i lidhur me një deputet të PD. Bardhi tha se ministri i Brendshëm po kryen krim të rëndë, dhe po konsumon veprën moskallëzimi i krimit.

Bardhi: Në asnjë rast nuk do të dëgjoni nga grupi i PD të sulmojë punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit që janë lënë në baltë nga kupola drejtuese. Nuk mund të mbështesim atë që ka thënë drejtuesi i SPAK se në raste të caktuara nuk mund të bashkëpunojmë me policinë pasi na rezulton se ka policë të përfshirë edhe në nivele të larta. Ne nuk mbështesim dot punonjësit e policisë që prishën provat në laboratorin e Xibrakës. Ua vura re sikletin për të folur për këtë çështje. Iu pyeta nëse ka raporte vëzhgimi. Pse nuk tregoni pamjen e 45-vjeçarit të paidentifikuar? Ju e ditkeni identitetin e këtij personi dhe nuk përcillini në prokurori se kush është ky person. Ky është krim i rëndë. Prokuroria e ka në kërkim këtë person, dijenia ju vendos përballë përgjegjësi për moskallëzim krimi.

Balla: Që të sqarohemi. I vetmi moskallëzim krimi po ndodh nga ana juaj se u zotuat që do bëj kallëzim dhe s’ke bërë

Bardhi: Kam bërë kallëzim. Ku e di ti ca kam dorëzuar.

Balla: Bëni mirë të mos përdoreni. Gazi po përdoresh. Ti Albana ca ke, pse e mbron gazin. Para 6 muajsh për ty ishte djall, tani engjëll. Ku i dihet bëhet djall prapë.

Dash Sula: Ministër bërë deklaratë publike, ku thatë se personi i lidhur me laboratorin e Xibrakës është i lidhur me një deputet të opozitës. E thotë ministri i Brendshëm. Ju keni konsumuar një vepër penale, moskallëzimi i krimit. Keni dijeni dhe s’keni raportuar, denoncuar në organet e shtetit dhe i kërkoni llogari për kallëzim të rremë Bardhit.

Ora 13:03
Akuzat ndaj Olsi Ramës për Xibrakën, Spiropali- Bardhit: Kjo çorba jote shumë e vjetër, prit SPAK-un! Deputeti i PD: Kam bërë kallëzimin

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur Bardhit për akuzat që ka bërë ndaj Olsi Ramës se është i lidhur në laboratorin e drogës që u zbulua në Xibrakë. Spiropali tha se duhet të presë SPAK për përgjigjen, nëse ka shpifur apo jo.

“Ju duhet të jeni shumë i qetë. Se çorba që u gatua së pari nga Berisha për konsum publik, u soll e ngrohur nga Basha dhe tani e risillni ju akull fare sërish këtu për ta konsumuar, për të goditur kryeministrin duke u marrë më familjarët. Kjo është një shumë e vjetër. Ka hyrë në laboratorin e SPAK ku do ti bëhen analizat. Këtë sulmin tuaj të përsëritur është shumë bajat. Ju që jeni edhe kallëzues, edhe i kallëzuar do keni mundësi që në SPAK i nderuar të merruni përgjigjen e duhur nga drejtësia, nëse jeni kallëzues i vërtetë apo i rremë, siç keni dalë si familje politike. Përfshirë edhe Bashën që e ka bërë këtë akuzë kur ishte zgjuar. Kjo çorba juaj s’ka lidhje me seancën plenare. Ju nuk jeni prokuror dhe lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj. Shumë prej jush janë fshehur kur keni shkuar atje, jo po më tha partia, jo po ishte deklaratë politike”, tha Spiropali.

Bardhi iu përgjigj duke thënë se ka bërë kallëzimin në SPAK. 

“Gjatë fjalës kokën e mbajte ulur. Është e vështirë t’i dalësh në mbrojtje një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës. Unë jam në Kuvend dhe nuk jam fshehur. Kam edhe një dosje. Nuk vjen për të dhënë llogari për policinë, për vëllain që udhëton me trafikantët e drogës. Unë nuk kam shpikur rrotën, kam nxjerrë dosjen e prokurorisë që ju shpresonit ta zinte pluhuri i harresës. E kam çuar në Prokurori për denoncim siç kam bërë deri më sot për Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun. Me keni thënë të njëjtën gjë por e vërteta ka dal. Nuk fshihem kurrë. Jepi pak zemër atij që ke në krah dhe të vijë ai të japë sqarime”, tha Bardhi.

Ora 12:56
Salianji replikë me Ballën: Kreu i SPAK dha një deklaratë të rëndë, zyrtarë të policisë të lidhur me krimin

 

Deputeti Ervin Salianji bëri replikë në seancën plenare me ministrin Balla duke sjellë në vëmendje edhe deklaratën e sotme të kreut të SPAK, Altin Dumanit në KLP se në raste të krimit të organizuar nuk mund të bashkëpunojë dot me Policinë pasi ka zyrtarë të lartë të përfshirë në krimin e organizuar.

'Nëse ndodhin vrasje kuptojmë që personi ka qenë në kërkim dhe e gjen krimi përpara jush. Ka një deklaratë të rëndë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit sot. Ai thotë që në rastet e krimit të organizuar nuk bashkëpunon dot me policinë se ka të përfshirë policë në drejtim të lartë të lidhur me krimin. Për këtë deklaratë që qytetarët nuk e kuptojnë se ku fillon krimi dhe ku mbaron. Duhet të jepni llogari këtu.', shprehet Salianji.

Ora 11:31
Bardhi kërkon sërish interpelancë me Ramën për akuzat ndaj të vëllait, Nikolla: Nëse ke shpifur, përgjigjjen merre në SPAK

 

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama refuzoi interpelancën e kërkuar nga Gazment Bardhi lidhur me akuzat për vëllanë e tij se është i lidhur me laboratorin e drogës i zbuluar në Xibrakë në 2015. Bardhi insistoi në seancën e sotme plenare për interpelancë, por përgjigja i erdhi nga kryeparlamentrja Lindita Nikolla, e cila i tha se duhet të presë vendimin e organeve të drejtësisë nëse ka shpifur apo jo.

Bardhi: Unë nuk e di ca quani ju veprimtari shtetërore por për mua trafiku ndërkombëtar i drogës është çështje prioriteti kombëtar. Veprimtaria e institucioneve të shërbimeve sekrete në raport me trafikun ndërkombëtar të drogës është çështje e veprimtarisë shtetërore. E kuptoj që trafiku ndërkombëtar i drogës për Edi Ramën është çështje private. Se nëse familjar të tu janë të përfshirë në trafik droge, pa dyshim që luftën ndaj trafikut të drogës nuk e konsideron veprimtari shtetërore.

Nikolla: Ju ndërpres fjalën. Lironi foltoren zoti Bardhi.

Nikolla: Nuk na tremb, prit me qetësi vendimin e organeve të drejtësisë. Do e marrësh përgjigjen atje nëse ke shpifur apo jo. Tani na lë të vazhdojmë.

Çuçi: Ju lutem fillojmë seancën. Për procedurë merret vetëm një herë fjala. Këtu nuk jemi Pazar, as opinioni Fevziut, e as SPAK-u. Këtu jemi në Kuvend. Duhet të funksionojmë sipas rregullores, e ka të qartë flitet vetëm njëherë për procedurë dhe vazhdojmë seancë normale.

Pas akuzave të Bardhit, Olsi Rama e paditi në SPAK për shpifje. Nga ana tjetër, Rama refuzoi interpelancën duke thënë se ajo kërkohet vetëm duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë