Përveç deklaratave në parlament, Taulant Balla ka vendosur t’i përgjigjet Sali Berishës edhe me video, e jo vetëm me fjalë. Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka publikuar sot në Facebook një video nga 8 janari 2022, duke rikthyer në vëmendje sulmin e dhunshëm ndaj selisë së Partisë Demokratike nga foltorja e Sali Berishës.

Mesazhi tij është i drejtpërdrejtë: ata që sot akuzojnë Policinë e Shtetit për përdorimin e gazit lotsjellës në protestën e dhunshme të PD-së, janë të njëjtët që katër vite më parë përdorën dhunë të hapur kundër kolegëve të tyre.

“Hipokrizia më e madhe është të dëgjosh ata që morën varretë, levat, trapanot e çekiçët dhe hodhën gaz lotsjellës kundër kolegëve të vet më 8 janar 2022, e sot sulmojnë Policinë e Shtetit pse zbaton ligjin. Meqë sot bëjnë sikur e kanë harruar, u duhet rikujtuar,” shkruan Balla në reagimin e tij.

Publikimi i videos nga Balla vjen pas protestës së opozitës më 24 janar, ku PD akuzoi Policinë e Shtetit për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar. Akuza u përforcua edhe nga vetë Berisha, i cili foli për përdorimin e “gazit lotsjellës të Lul Pengut”, duke e zhvendosur vëmendjen nga dhuna e protestës te lufta e brendshme politike.

U.D/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 21:48

    A duhet qeveria t’i druhet protestave të opozitës?