Pas takimit të djeshëm të zhvilluar në Elbasan, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi ish-deputetin Ervin Salianjin për përjashtim nga partia.

Në konferencën për shtyp, Berisha tha se Salianji ka bashkëpunuar me Suel Çelën, kreu i një prej bandave më të forta të Elbasanit, për organizimin e takimit. Berisha tha se bashkëpunimi me krimin është një vijë e kuqe, të cilën ai vetë nuk e ka shkelur as në ditët më të vështira të karrierës së tij politike dhe se Salianji duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

“Në të gjithë karrierën time dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht çmimit që ka pasur, kam bindjen se ka qenë dhe është veprimi më i drejtë. Vija e kuqe e Berishës ndan qartë bashkëpunimin me krimin. Që një anëtar i kuoptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të organizojë, së bashku me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm, një takim të tillë, është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.

Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë ka tejkaluar vijën e kuqe dhe është plotësisht përgjegjës për veprimet e tij. Për sa i përket takimit të Salianjit, kemi pasur disa informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e PD-së të Elbasanit që bojkotuan takimin e tij”, tha Berisha.

Bashkëpunimi i Salianjit me Suel Çelën u iniciua që në mbledhjen e kryesisë të zhvilluar disa ditë më parë. Ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, i cili akuzoi Salianjin se ka bashkëpunuar me Suel Çelën për organizimin e takimit të Elbasanit, e mbi të gjitha për të manipuluar njerëzit me qëllim për të mos shkuar në tubimet e Berishës.

Ndërkohë një një dalje televizive mbrëmjen e djeshme të Nokës, ky i fundit tha se Salianji është i vetëpërjashtuar nga PD pas takimit që zhvilloi në Elbasan.

Ervin Salianji ka dalë “jashtë rreshti” që kur PD organizoi protesta çdo të hënë poshtë zyrës së Ramës. Salianji vetë ka thënë se këto nuk janë takime për favore personale, por për Partinë Demokratike që ka nevojë për një rikonstrukturim rrënjësor.

Theksojmë se orën 17:00 do të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e para që pas disfatës së pësuar në parlamentaret e 11 majit.

Lajmi në përditësim...