Alain Orsoni, ish-president i ekipit të futbollit të Ajaccio-s dhe më parë udhëheqës nacionalist korsikan, u vra me armë zjarri ndërsa po merrte pjesë në funeralin e nënës së tij. Vrasësi është në arrati, sipas asaj që raporton kanali BfmTv duke cituar disa burime. Lajmi më pas u konfirmua nga prokurori i Ajaccio-s, Nicolas Septe.

Sulmi ndodhi në vendin e quajtur Vero, në jug të Korsikës: Orsoni u qëllua nga një atentator që doli papritur nga pas disa pemëve. Viktima u ekzekutua me një plumb të vetëm, i qëlluar sipas hetimeve të para nga një distancë.

I lindur 72 vjet më parë në Ajaccio, Orsoni ka një të kaluar edhe si militant i formacioneve terroriste. Ai u bashkua me Frontin Nacional Independentist Korsikan që nga themelimi i tij (në 1975) dhe në 1983 dyshohet të ketë qenë pjesë e komandës e caktuar për të vrarë organizatorët dhe ekzekutorët e vrasjes së vëllait të tij Guy, i cili gjithashtu ishte autonomist korsikan.

Gjatë viteve ’80, ai i bashkohet krahut më radikal të lëvizjes, atij që synonte ndarjen e ishullit nga qeveria e Parisit. Në 1986 u zgjodh në Asamblenë Rajonale, por disa vite më vonë u detyrua të largohej nga pozicioni për shkak të një hetimi për shkelje financiare.

Në dhjetvjeçarin pasues, me luftën mes fraksioneve autonomiste që bëhet gjithnjë e më e dhunshme, Orsoni emigron në Nikaragua dhe më pas në Miami.

Që nga viti 2000, ndërsa vazhdonin përplasjet e ashpra midis fraksioneve autonomiste, Orsoni kthehet në Korsikë dhe bëhet president i Ajaccio-s në futboll. Në shtatorin e kaluar ishte detyruar të japë dorëheqjen dhe klubi ishte degraduar automatikisht për shkak të parregullsive financiare.

Në 2008, lideri independentist kishte shpëtuar nga një atentat tjetër. Para këtij sulmi, disa bashkëpunëtorë të afërt të Orsoni-t kishin rënë nën plumbat e kundërshtarëve; për një kohë të gjatë presidenti i Ajaccio-s dhe ish-politikani lëvizte me roje sigurie dhe udhëtonte me një Audi 6 të blinduar. Ai kishte vendosur edhe snajperistë në kodrat përreth stadiumit të Ajaccio-s nga frika të sulmohej gjatë ndeshjeve të ekipit të tij.

Ekzekutimi i ftohtë i Orsoni-t me gjasë i përket feudës që vazhdon prej dekadash mes bandave të ndryshme që garojnë për lidershipin e pretendimeve independentiste të Korsikës./Corriere della Sera