Alarm në Mal të Zi, mesazhe kërcënuese në emailet e shkollave për vendosjen e disa bombave! Disa mbyllen, fëmijët evakuohen! Gjykanoviç kërkon hetim urgjent

Alarm në Mal të Zi, mesazhe kërcënuese në emailet e shkollave për vendosjen e disa bombave! Disa mbyllen, fëmijët evakuohen! Gjykanoviç kërkon hetim urgjent

Shkollë në Mal të Zi

Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka pezulluar mësimin në të gjitha shkollat. Kjo pasi më herë u ndërpre mësimi në 41 shkolla që kanë marrë mesazhe anonime kërcënuese se në to janë vendosur bomba.

Në Mal të Zi ka 162 shkolla fillore dhe 50 shkolla të mesme. Pjestarët e policisë tashmë gjenden në terren. Kërcënimet arritën gjithashtu në qeveritë lokale në Nikshiq dhe Berane, nga ndërtesat e të cilave u evakuuan njerëzit.

Siç njoftoi edhe më herët nga Drejtoria e Policisë, “në shkolla janë marrë masa sigurie, pas paralajmërimeve për mjete shpërthyese, si dhe aktivitete për verifikimin e këtyre pretendimeve”.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të zbardhen kërcënimet, të gjenden autorët, organizatorët dhe ekzekutorët.

“Siguria e fëmijëve, si kategori më e cenueshme e shoqërisë, si dhe të gjithë qytetarëve, duhet të jetë prioritet absolut i shtetit dhe secilit individ”, tha Gjukanoviq.

Ai në llogarinë e tij në Twitter e ka lidhur këtë ngjarje me zgjedhjen e ardhshme të qeverisë së re, e cila është caktuar për të enjten, më 28 prill.

“Ne nuk duhet të lejojmë që arsimi të vuajë për shkak të atyre që synojnë të provokojnë situata emergjente dhe të destabilizojnë shtetin përpara zgjedhjes së një qeverie të re, në prag të sezonit turistik”, tha Gjukanoviç.

Emailet me një paralajmërim për bomba të vendosura, arritën në shkolla pothuajse në të gjitha qytetet malazeze, duke përfshirë Podgoricën, Nikshiqin, Tivarin, Cetinjen, Herceg Novin, Bijelo Poljen dhe të tjera.

Në tekstin e emaileve kërcënues thuhet se “në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba”.

“Gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrjen. Do të hakmerremi, do të vijmë në shkollë. Do t’i vrasim të gjithë. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedh gjak”, thuhej në përmbajtjen e emailit.

Shkollat në Cetinjë, si dhe objekti i Komunës janë kontrolluar dhe është konfirmuar se aty nuk ka mjete shpërthyese, ka deklaruar kryetari i Komunës së Cetinjës, Nikola Gjurashkoviq.

“I bëj thirrje autoriteteve që të ngrenë nivelin e sigurisë së përgjithshme në maksimum dhe të parandalojnë situata të ngjashme në të ardhmen, duke zbuluar autorët”, tha Gjurashkoviq.

Policia nuk zbuloi se kush dërgoi kërcënime të ngjashme përmes emaileve në disa shkolla në Mal të Zi, më 1 prill. Asokohe, Drejtoria e Policisë bëri të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga domenet, serverët e të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e dërguesve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:59
Mesazhet kërcënuese për bomba në shkolla, reagon Abazoviç: Nuk ka vend për panik

1650465909_dritanabazovic.jpg

Dritan Abazoviç ka reaguar pasi Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka pezulluar mësimin në të gjitha shkollat. Më herët u ndërpre mësimi në 41 shkolla që kanë marrë mesazhe anonime kërcënuese se në to janë vendosur bomba.

"Nuk mund t'ia lëmë rastësisë. Është vetëm një përpjekje për të sjellë tensione dhe trazira në mesin e qytetarëve, nuk ka përçarje në sektorin e sigurisë. Asgjë nuk ka ndodhur.

Policia duhet të bëjë punën e saj. Nuk ka arsye për panik. Është një shaka e pakëndshme, thjesht një dëshirë për ta bërë sistemin të paqëndrueshëm”, tha Abazoviç.

J.GJ./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë