Një automjet në pronësi të një banori të Korçës, i identifikuar si Gëzim Pasho, 54 vjeç, me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Pyjeve në Korçë, u bë paraditen e së dielës objekt kontrolli kur në të u zbulua një pako që nxiti dyshimet për vendosjen e një lënde plasëse.
Automjeti tip “Audi A6” ndodhej i parkuar në Lagjen 18 në Korçë, zonë që u rrethua menjëherë nga forcat e policisë. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat xheniere antieksploziv, të cilat kryen verifikimet në automjet dhe zbuluan se në të ishte vendosur një pajisje GPS dhe jo lëndë plasëse, duke larguar kështu dyshimet fillestare.
Burime paraprake bëjnë me dije se ndonëse nuk dihet kush e ka vendosur pajisjen në mjet, ka qenë një banor i lagjes që dyshohet se ka parë momentin dhe personin e dyshuar dhe ka njoftuar policinë.
Dyshohet se personi që ka vendosur GPS-in mund të jetë filmuar nga kamerat e sigurisë, ndaj policia i ka sekuestruar ato për verifikime të mëtejshme.
Ndërkohë, pronari i automjetit është shoqëruar në komisariat për të dhënë deklarime lidhur me rastin.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 09.00 të datës 17.05.2026, në lagjen nr. 18, Korçë, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të automjetit në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako, e cila dyshohej se mund të kishte lëndë eksplozive. Policia rrethoi zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Në vendngjarje shkuan Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe për të kryer procedurat e nevojshme.
Nga kontrolli i kryer nga këto shërbime, rezultoi se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur aparatin GPS.
Komente







