Juristi Rezart Kthupi, duke komentuar kritikat e BE-së për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, e ka cilësuar të drejtë këtë shqetësim.
Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Kthupi tha se me vendimin e sotëm të Sokol Sadushit, Gjykata e Lartë do të rishikojë praktikën gjyqësore, në mënyrë që gjykatat kur të vendosin masën e sigurisë ‘arrest me burg’, të jenë në gjendje edhe ta argumentojnë atë.
Kthupi tha gjithashtu se nëse ti nuk je një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore, nuk ka arsye që për një çështje të caktuar për të cilën je nën hetim, të shkosh menjëherë në paraburgim.
“Gjykata e Lartë do rishikojë praktikën gjyqësore. Kur ta marrin masën e ‘arrestit me burg’, gjykata duhet ta argumentojë masën. Kam pasur në praktikë raste me 28 të pandehur, kur arsyetimi i gjykatës për masën e ‘arrestit me burg’ për të 28 të pandehurit është identik. Nëse ti je pak i rrezikshëm, nuk mund të shkosh direkt në ‘arrest me burg’”, tha mes të tjerash Kthupi.
Ndërkohë shqetësimin për numrin e lartë të të paraburgosurve e ngriti edhe gazetari i Report TV, Isa Myzyraj, por ai shtoi se momenti në të cilin Sadushi po reagon, i shkon për shtat kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut (për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin).
“Unë mendoj se ka dy shina mbi të cilat duhet ecur, fillimisht vjen rasti politik dhe pastaj rasti juridik. Të gjithë personat ndaj të cilëve ka një vendim të shkallës së parë në Shqipëri, kalojnë detyrimisht nga Gjykata e Lartë. Sepse kanë shkuar në Apel dhe pastaj në Gjykatë të Lartë. Pra është kjo gjykatë që u’a ma miratuar masat e arrestit me burg. Momenti kur Sadushi vendosi për ta rihapur procesin vjen pas një operacioni shumë të madh të Ramës dhe qeverisë shqiptare për t’ju kundërvënë paraburgimit. Sepse në raportet ndërkombëtare edhe më parë ka pasur shqetësim për paraburgimin dhe askush nuk është marrë me to. Pra pas disa muajsh që këta e trumbetuan shumë paraburgimin, lindi edhe një opinion i Sadushit. Pra ajo vendimmarrje do jetë e paragjykuar. Gjyqtari nuk mund të japë mendime personale për një çështje. Unë jam dakord për të gjitha raportet. Çështja e paraburgimit është absolutisht shqetësuese në Shqipëri. Ka vendime të gjykatave që e argumentojnë masën e ‘arrestit me burg’ duke thënë se ‘është natyra njerëzore që kërkon të ikë’”, tha Myzyraj.
Nga ana tjetër, politikani Arjan Galdini tha se problemi me numrin e lartë të të paraburgosuve në Shqipëri është i vjetër. Galdini shtoi se reagimi i Sadushit në këtë moment bëhet pas presionit të ushtruar nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij po përpiqet të mbrojë Belinda Ballukun nga arrestimi.
Galdini vijoi më tej duke thënë se shqiptarët kanë kohë që e vuajnë represivitetin e kryeministrit Edi Rama, me arrestimet për mos-pagime të dritave, të ujit dhe për riparimin e çative të shtëpive.
“Unë nuk e diskutoj që vendimi që po mendohet të ndërmerret nga Kolegji, synon që të njehsojë një praktikë europiane. Por gjithmonë djalli fshihet pas detajeve. Narrativa e muajve të fundit është narrativa e Ramës, që ka dalë dhe po u thotë shqiptarëve që ‘ne kemi krijuar popullin e të paraburgosurve’. Unë nuk e di që ky është një shqetësim popullor. Shqiptarët kanë kohë që e vuajnë represivitetin e Ramës me dritat, ujin, me informalitetin, me avllinë, me çatinë, për 2 tulla dhe për shezlongë. Ata e vuajnë represivitetin sepse kur takohen me çdo zyrtar të administratës, përballen me rreptësi dhe nuk u’a zgjidhin problemin. Në oborrin e Ramës është rritur temperatura, ka trokitur drejtësia. Ka trokitur shumë afër, është te paradhoma. A e di sa është kosto e një të paraburgosuri? 14.6 euro. A e di sa është kosto e hajdutëve? Është shumë më e madhe”, tha Galdini.
Lajmi kryesor:
Vendimi i kreut të Gjykatës së Lartë për të riparë praktikën e ‘arrestit me burg’, Ndreca: Veliaj s’do ishte në paraburgim nëse kjo procedurë do zbatohej më herët










