Në politikë ka momente kur fitimi i një beteje nuk garanton fitimin e luftës. Përkundrazi, shpeshherë pas një fitoreje të rëndësishme fillojnë sfidat më të vështira. Pikërisht në një moment të tillë duket se ndodhet sot Sali Berisha. Pas disa vitesh në qendër të një beteje personale dhe politike që dominoi jo vetëm diskursin e tij, por edhe një pjesë të konsiderueshme të debatit publik shqiptar, ai gjendet përballë një realiteti të ri. Për herë të parë pas shumë kohësh, pyetja kryesore nuk është më se çfarë i ka ndodhur Berishës, por se çfarë do të bëjë Berisha. Dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje kalon përmes tri sfidave të mëdha që do të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e tij politike, por edhe perspektivën e Partisë Demokratike si alternativë qeverisëse.

Sfida e parë dhe më e rëndësishme është të kapërcejë vetë Berishën. Kjo mund të duket paradoksale për një politikan që ka dominuar politikën shqiptare për më shumë se tre dekada, por shpesh pengesa më e madhe për liderët historikë bëhet pesha e historisë së tyre. Berisha mbetet figura më e fortë e opozitës shqiptare, politikani me aftësinë më të madhe mobilizuese dhe lideri që ka treguar më shumë se një herë se di të rikthehet kur kundërshtarët e konsiderojnë të përfunduar politikisht. Megjithatë, politika e sotme nuk funksionon më sipas rregullave të viteve ’90 apo të fillimit të viteve 2000. Shoqëria shqiptare ka ndryshuar, qytetarët kanë ndryshuar dhe mënyra e komunikimit publik është transformuar rrënjësisht.

Pikërisht këtu qëndron sfida e Berishës. Ai duhet të ridimensionojë mënyrën e komunikimit me publikun, raportin me mediat, qasjen ndaj zhvillimeve politike dhe dialektikën e tij parlamentare. Shpesh ai është perceptuar si një lider që reagon emocionalisht në momente kur kërkohet qetësi strategjike dhe që në raste të tjera nuk arrin të japë mesazhin e duhur në kohën e duhur. Kjo u reflektua edhe në reagimet e para ndaj protestave qytetare, ku deklaratat dhe pozicionimet e tij u perceptuan si të nxituara dhe jo plotësisht të harmonizuara me frymën e zhvillimeve në terren. Nëse këto deklarata hartohen nga bashkëpunëtorët e tij, atëherë problemi qëndron tek cilësia e këshillimit politik që merr. Nëse hartohen prej vetë tij, atëherë nevoja për reflektim dhe ndryshim bëhet edhe më e madhe. Sfida e parë e Berishës nuk është të ndryshojë bindjet e tij politike, por të ndryshojë mënyrën se si i artikulon ato në një realitet të ri politik dhe shoqëror.

Sfida e dytë është të arrijë të kapë trenin e protestave qytetare pa tentuar ta kontrollojë atë. Kjo është ndoshta sfida më delikate e momentit. Protestat e fundit kanë prodhuar një fenomen të pazakontë për Shqipërinë: një lëvizje qytetare që nuk buron nga partitë politike dhe që nuk identifikohet plotësisht me asnjërën prej tyre. Kjo ka krijuar konfuzion si për qeverinë ashtu edhe për opozitën. Deklaratat e shpejtuara dhe qëndrimet e paqarta e kanë futur Partinë Demokratike pothuajse në të njëjtin kurth me shumicën qeverisëse: në vend që të dëgjojnë mesazhin e protestës, kanë tentuar ta interpretojnë atë sipas interesit të tyre politik.

Brenda Partisë Demokratike duket se ekzistojnë dy qasje të ndryshme ndaj këtij fenomeni. Një grup drejtuesish dhe funksionarësh, duke menduar se po i shërbejnë Berishës, kanë zgjedhur të komentojnë protestuesit, protestat dhe kauzat e tyre në mënyrë shpesh të papërshtatshme, duke krijuar perceptimin se opozita nuk po arrin të kuptojë thelbin e revoltës qytetare. Në anën tjetër ekziston një grup tjetër që është në thelb dakord me protestën dhe me shqetësimet që ajo artikulon, por që shmang protagonizmin për shkak të kompleksitetit të mesazheve që protestuesit adresojnë edhe ndaj vetë klasës politike opozitare, përfshirë Berishën. Kjo e dyta është ndoshta qasja më realiste. Protestat nuk kërkojnë thjesht rotacion politik; ato kërkojnë ndryshim të mënyrës se si funksionon politika shqiptare. Për këtë arsye, sfida e Berishës nuk është të përvetësojë protestën, por ta kuptojë atë. Jo ta drejtojë, por ta dëgjojë. Jo ta përdorë si instrument politik, por ta lexojë si një sinjal të fortë të ndryshimeve që po ndodhin në shoqëri.

Sfida e tretë lidhet drejtpërdrejt me dy të parat dhe ka të bëjë me vetë të ardhmen e Partisë Demokratike. Për vite me radhë është folur për rinovim, për figura të reja dhe për ndryshime organizative. Megjithatë, rezultatet kanë treguar se problemi nuk është mosha e figurave politike dhe as mungesa e emrave të rinj. Problemi është modeli. Partia Demokratike nuk ka nevojë për një ripërtëritje kozmetike; ajo ka nevojë për një rikonfigurim të plotë të forumeve, strukturave dhe mënyrës së funksionimit. Ka nevojë për një rimodelim të komunikimit publik, për një kulturë të re politike dhe për një raport të ri me qytetarin.

Kjo është një sfidë që Berisha mund ta realizojë nëse ka vullnetin për ta bërë, por përballë tij qëndrojnë dy dilema të mëdha. Dilema e parë është të largojë nga qendra e vendimmarrjes njerëzit që dikur i kanë qenë të domosdoshëm, por që sot nuk i shërbejnë më as atij dhe as perspektivës së Partisë Demokratike. Besnikëria politike ka qenë gjithmonë një element i rëndësishëm në karrierën e Berishës, por historia tregon se partitë që nuk rinovojnë elitën e tyre drejtuese përfundojnë duke humbur kontaktin me realitetin. Dilema e dytë është të afrojë njerëzit që i duhen partisë për të ardhmen, por që ndoshta nuk duan më të bëhen pjesë e saj. Ka shumë profesionistë, intelektualë, ish-kontributorë dhe figura publike që mund t’i jepnin vlerë Partisë Demokratike, por që sot mbeten skeptikë për shkak të përvojave të kaluara ose mungesës së besimit se partia është realisht e gatshme të ndryshojë.

Por përtej këtyre tri sfidave, ekziston edhe një sfidë më e madhe, e cila në fakt përmbledh të gjitha të tjerat. Berisha duket se ka vetëm një rrugë reale përpara: të ndërtojë një paqe të madhe politike me shoqërinë shqiptare. Kjo nënkupton të tejkalojë kufijtë tradicionalë të Partisë Demokratike dhe të mos mendojë më vetëm si lider i opozitës, por si përfaqësues i një shumice qytetarësh që kërkojnë ndryshim të shpejtë, të thellë dhe të prekshëm në Shqipëri. Kjo kërkon më pak konflikt me kundërshtarët politikë dhe më shumë dialog me grupet shoqërore, me protestuesit, me të rinjtë, me të zhgënjyerit e politikës dhe me ata qytetarë që nuk ndihen më të përfaqësuar nga asnjë forcë politike.

Nëse arrin ta lexojë këtë moment historik dhe të ndërtojë një platformë që shkon përtej interesave të ngushta partiake, Berisha mund ta kthejë Partinë Demokratike në qendrën e një lëvizjeje më të gjerë shoqërore dhe politike për ndryshim. Por nëse vazhdon të mbetet brenda logjikës tradicionale të përplasjes politike dhe i mbyllur në kufijtë e elektoratit të saj besnik, rreziku është që Partia Demokratike të mbetet në të njëjtin kurth me shumicën qeverisëse: larg shqetësimeve reale të qytetarëve dhe larg energjisë së re që po prodhohet në shoqëri.

Në atë rast, ndëshkimi nuk do të vijë nga kundërshtarët politikë, por nga vetë votuesit në zgjedhjet e para që do të zhvillohen. Historia e demokracive moderne ka treguar se qytetarët mund të tolerojnë për një kohë të gjatë mungesën e alternativave, por jo pafundësisht. Kur politika dështon të dëgjojë shoqërinë, është shoqëria që gjen mënyrën për të ndryshuar politikën.

Në fund të fundit, sfida e Berishës nuk është më mbijetesa politike. Ai e ka fituar atë betejë. Nuk është as rikthimi në qendër të vëmendjes publike, sepse ai nuk është larguar kurrë prej saj. Sfida e tij e vërtetë është transformimi. Historia do ta gjykojë jo për aftësinë për të rezistuar, por për aftësinë për të ndryshuar. Nëse arrin të kapërcejë modelin e vjetër të komunikimit, të kuptojë energjinë e protestave qytetare, të ndërtojë një paqe të madhe politike me shumicën e qytetarëve dhe të rikonfigurojë Partinë Demokratike sipas kërkesave të kohës, ai mund të hyjë në histori si lideri që jo vetëm ndërtoi dhe mbajti gjallë opozitën shqiptare, por edhe e përgatiti atë për një epokë të re politike. Nëse jo, rrezikon që fitoret e tij personale të mbeten vetëm kapituj të rëndësishëm të biografisë së tij, ndërsa sfida e madhe e opozitës shqiptare të mbetet