Në teatrin politik të Partisë Demokratike, ku tragjedia dhe komedia shpesh ndajnë të njëjtën skenë, dy momente do të mbeten gjatë në memorie si kulmi i hipokrizisë dhe pragmatizmit cinik. Janë dy momente kur brenda selisë blu u gëzuan sinqerisht, jo për ndonjë fitore përballë kundërshtarit politik, por për eliminimin e një rivali të brendshëm.

Herën e parë, buzëqeshjet shpërthyen kur Ervin Salianji mori rrugën drejt qelisë. Për një parti që kishte kohë që vuante nga mungesa e kauzave dhe e frymëzimit, burgosja e tij erdhi si një dhuratë nga qielli. E shpallën "hero" me një shpejtësi marramendëse, por ky nuk ishte një nderim, ishte një kalkulim i ftohtë.

Salianji u shndërrua në një çështje të dobishme për të justifikuar betejat e radhës, ndërsa ata që e përcollën mediatikisht deri tek dera e burgut, kishin mendjen te letrat që mbanin në xhep. Ndërsa ai humbiste lirinë, "shokët" e tij siguronin vendet e ngrohta në listat e mbyllura.

Sot, ata që e duartrokisnin si dëshmor të kauzës janë deputetë, të ulur komod në karriget e parlamentit, të garantuar nga vota e mbyllur dhe kompromisi, duke e eliminuar atë de facto nga çdo opsion gare apo lidershipi brenda PD-së.

Herën e dytë, gëzimi erdhi nga një skenë tjetër, më pak publike por njëlloj e dëmshme: ajo e tavolinave të kafesë. "Dil ti e merre PD-në, sepse vetëm ti je hero dhe mund ta bësh. Kështu siç jemi, nuk fitojmë dot," i pëshpëritën në vesh. Ky nuk ishte thjesht një inkurajim, por një shtysë drejt një prite politike.

Kushdo që e thirri në atë kafe e dinte mirë se duke e nxjerrë përballë "legjendës" së partisë, po siguronte largimin e tij përfundimtar, me idenë se nuk do të kishte më as mundësinë të ishte fizikisht i pranishëm, edhe pse pa asnjë post. Ishte një skenar ku ai guximtar që doli kundër liderit historik do të vuloste fatin e tij. Dhe ashtu ndodhi; sot, ata që e nxitën nga prapaskena kanë marrë shpërblimet e tyre, ku dikush kërkon një bashki e dikush tjetër është bërë kryetar dege, duke u sistemuar të gjithë përveç "heroit".

Megjithatë, Salianji nuk e mori betejën brenda PD-së thjesht sepse e inkurajuan për ta keqpërdorur. Sfondi i lëvizjeve të tij është shumë më i thellë; siç ka konfirmuar përmes artikulimeve të tij të vazhdueshme publike, ai beson sinqerisht se Partia Demokratike duhet të ndryshojë rrënjësisht strukturën dhe mendësinë e saj për të qenë një forcë politike fituese. Beteja e tij nuk lindi nga intrigat e kafeneve, por nga bindja se statuskuoja aktuale vetëm sa zgjat agoninë e opozitës.

Sot, ndaj tij lansohen aludime dhe sulme se "nuk plotëson kushtet" për të pasur peshë në parti, por ky është një paradoks i madh. Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë, kritikët e tij nuk kanë asnjë betejë të fituar në terren dhe asnjë meritë personale për ngjitjen e shkallëve politike, duke e ndërtuar karrierën mbi servilizmin. Salianji nuk ka kërkuar kurrë asgjë të pamerituar dhe as nuk ka keqpërdorur besimin e kolegëve për përfitime vetjake. Kërkesa e tij ka qenë dhe mbetet e thjeshtë: të ketë garë dhe të fitojë ai që është më i votuari. Por pikërisht nga kjo garë kanë frikë ata që sot drejtojnë, sepse vota e lirë i nxjerr zbuluar ata që fshihen pas listave të mbyllura dhe që refuzojnë reformimin e domosdoshëm për të çuar PD-në drejt fitores.