Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë me një propozim të ri prej 8 pikash për de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Nëpërmjet një videoje të postuar në facebook, Kurti ka parashtruar 4 pika të cilat Kosova është e gatshme t’i ndërmarrë për shtensionimin e situatës. Nga ana tjetër ai caktuar edhe 4 pikat që pret të zbatohen nga Serbia për të bërë të mundur uljen e tensioneve.
Ai shkruan se 8 pikat ia ka parashtruar edhe kryediplomatit të BE-së Josep Borrell duke i theksuar se është i gatshëm për t’u angazhuar në gjetjen e një zgjidhje.
Në hapat e Kurtit për uljen e tensioneve, përfshihen reduktimi i pranisë së policisë në veri të vendit, zgjedhje të parakohshme të cilat mundësohen pas peticionit të firmosur nga 20% e serbëve në 4 komunat e veriut. Mes kërkesave është edhe ajo për një proces gjyqësor të drejtë ndaj personave që kanë ushtruar dhunë ndaj forcave të policisë, proces që do të ndiqet nga EULEX dhe OJQ-të e interesuara.
Por edhe nga Serbia ai kërkoi respektimin e 4 pikave, mes tyre tërheqja e protestuesve të dhunshëm në veri të vendit, tërheqja e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën si dhe që serbët të mos pengohen për të votuar në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen.
Plani 4 pikësh i Kurtit që do të zbatohet nga Kosova:
1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
4 pikat që pret të zbatohen nga Serbia:
1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;
2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;
3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.
4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
Në përfundim të propozimit të tij prej 8 pikash, Kurti tha se duhet të ketë një rikthim të Serbisë dhe Kosovës në tryezën e bisedimeve për një dialog intensiv dhe të pakushtëzuar.
“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra. Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim”-shkruan Kurti.
Në 13 qershor, Kurti i propozoi Bashkimit Europian një plan prej 5 pikash për uljen e tensioneve në veri si dhe refuzoi draftin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kujtojmë se dy ditë më parë Bashkimi Europian ka paralajmëruar marrjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës duke nisur që nga pezullimi i financimit të programeve të BE-së.
Autoritetet me te larta te bashkimit Europian kane mbeshtetur propozimin e kryeministrit dhe diplomatit te shquar shqiptar Edi Rama per mbajtjen e nje Konference Nderkombetare per Kosoven.
PërgjigjuAlbini eshte artist