Mbyllja e marrëveshjes nga ana e Albpetrol sh.a është kryer pasi gjatë aktivitetit të saj sipas Marrëveshjes Hidrokarbure, kompania Phoenix Petroleum sh.a. ka akumuluar detyrime te shumta ndaj Albpetrol sh.a. Në këto borxhe përfshihet edhe pagesa që duhet të bëhet për llogari të Fond Pagesës për Kompensim Mujor, në lidhje me 171 Punëtorë të Pushuar nga Puna.
Gjithashtu nga verifikimi në terren rezulton se:
Phoenix Petroleum sh.a kryen operacionet e shitjes së produkteve hidrokarbure ne kundërshtim me marrëveshjen dhe pa një Pikë të miratuar për matjen e sasive që shiten.
Phoenix Petroleum sh.a ka shituar në mënyrë të jashtëligjshme një sasi nafte, e cila ishte lënë në ruajtje nga Albpetrol sh.a në momentin e dorëzimit.
Phoenix Petroleum sh.a ka mbyllur selinë e kompanisë pa njoftuar paraprakisht Albpetrol sh.a.
Pas insistimit të Albpetrol, Phoenix Petroleum sh.a ka deklaruar si seli të kompanisë zyrat e Konsullatës së Nderit të Republikës së Islandës në Tiranë.
Për më tepër, operacionet në vendburimin e Amonicës drejtohen zoti Aleksandër Zenelaj, i cili ka qenë Drejtor i Marrëveshjeve Hidrokarbure në Albpetrol sh.a. në periudhën kur është negociuar marrëveshja me Phoenix Petroleum sh.a. Zenelaj është gjithashtu një ndër personat kryesorë në procedurën e dorëzimit të vendburimit. Ne te dyja këto procedura janë konstatuar shkelje të shumta duke lënë vend për dyshime të bazuara se Phoenix Petroleum ka ushtruar ndikim të jashtligjsheë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe me pas gjatë dorëzimit të vendburimeve.
Në bazë të marrëveshjes Phoenix Petroleum sh.a. ka 120 ditë kohë për të përgatitur dorëzimin
e vendburimit të Amonicës së bashku me gjithë asetet, puset, mjetet, pajisjet dhe infrastrukturën tjetër që ekzistojnë në Zonën e Kontratës ose të vendosura në rajon rreth ose pranë Zonës së Kontratës, dhe që i kanë kaluar Phoenix Petroleum sh.a. nëpërmjet Instrumentit të Transferimit dhe Procedurës së Marrjes në Dorëzim sipas Anekseve E dhe F të Marrëveshjes.
Mbyllja e Marrëveshjes Hidrokarbure nuk do ta lehtësojë Phoenix Petroleum sh.a. nga çdo angazhim i paplotësuar ose detyrime të tjera nën këtë Marrëveshje, duke përfshirë pa kufizim pagesat e detyrimeve monetare për angazhimet e punës të paplotësuara, riparimet sipërfaqësore, përmirësimet e mjedisit dhe braktisjen.
Si u kaluan me koncesion 9 fusha nafte
Këshilli i Ministrave e miratoi në datën 16.8.2013, vendimin me Nr. 699, marrëveshje hidrokarbure, ndërmjet “Albpetrol” dhe “PHOENIX Petroleum”, sh.a, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në disa vendburime të naftës. Kësaj kompanie iu dhanë me koncension nëntë fusha nafte e gazi. Kompania “Phoenix”, që ka marrë me koncesion 9 zona të “Albpetrolit”, ka president Isuf Berberin. Ky i fundit zotëron 94% të aksioneve të një shoqërie të fuqishme në tregun e ilaçeve. Me këtë vendim, praktikisht kompanisë shtetërore “Albpetrol” nuk i mbeti gjë për të menaxhuar, pasi pasuritë e saj naftëmbajtëse u kanë kaluar nën zotërim shoqërive private.
Zona e vetme, ndaj së cilës u bazua edhe vlera e privatizimit të kompanisë në vitin 2012, vendburimi i Amonicës, i ka kaloi me koncesion shoqërisë “Phoenix Petroleum”. Ishin 9 zona ose leje hidrokarbure, për kërkim, zhvillim dhe prodhim të naftës e gazit, duke nisur me vendburimin e naftës Amonicë, Drashovicë, Pekisht–Murriz, Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Krane.
Përgjegjëse për këtë marrëveshje hidrokarburesh ishte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (nw kohwn kur nw pushtet ishte qeveria “Berisha”), e cila duhet thënë se në muajt e verës, ndryshe nga dikasteret e tjera, ka qenë tepër aktive. Kompania Phoenix dhe Albpetrol, negocioi dhe lidhi një marrëveshje mbi termat dhe kushtet e zhvillimit e prodhimit të hidrokarbureve dhe gazit në pesë fusha rezervash në Jug të Shqipërisë. Marrëveshja përbëhej nga dy faza.
Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)