“Një hakmarrje e Merz-it”. Që mund ta përçajë Evropën dhe jo vetëm të krijojë një krisje me Francën. Nisma italo-gjermane në prag të Këshillit Evropian joformal të sotëm, më shumë sesa të riformatojë raportet e forcës brenda Unionit, po provokon reagimin e pakënaqur të kampit më “europeist” dhe të atyre që janë më të frikësuar nga kërcënimi ushtarak i Rusisë. Një grup shtetesh anëtare të shqetësuara veçanërisht nga mundësia e një hapi pas në integrimin evropian në favor të nacionalizmave.
Nuk është rastësi që kundër vijës Romë-Berlin po shfaqet irritimi i Macronit, i spanjollit Sánchez, i disa vendeve të lindjes dhe i presidentit të Këshillit Evropian, portugezit António Costa. Por jo i presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila ka lidhur një pakt të mirëfilltë me kancelarin Merz, bashkëkombës dhe bashkëpartiak i CDU-së.
Operacioni italo-gjerman, në fakt, lindi nga dëshira për revansh e liderit të Berlinit dhe tani – ky është shqetësimi i disa qeverive të Evropës Jugore – po shndërrohet në diçka më shumë. Pse? Merz është “djegur” nga dy episode në veçanti: eurobondet për Ukrainën dhe bllokimi francez i marrëveshjes me Mercosur-in. Në atë pikë ai nisi të ndërtojë një strategji për t’iu përgjigjur Macronit (që hodhi poshtë marrëveshjen me Amerikën e Jugut), duke shpresuar të qetësojë protestat “e brendshme” që po i japin frymëmarrje të re neonazistëve të AfD-së. Objektivi i tij është të sigurojë dy garanci: ndalimin e eurobondeve të tjera dhe një sistem mbrojtjeje të ndërtuar mbi ushtritë kombëtare. Gjermania, ndërkohë, ka vënë në dispozicion 100 miliardë euro për këtë qëllim dhe synon t’i shpenzojë ato për të garantuar para së gjithash veten. Nuk ka nevojë për mbështetje evropiane.
Meloni, e cila në dhjetor shmangu rreshtimin e hapur në favor të eurobondeve dhe mbështeti – pa shumë entuziazëm – marrëveshjen me Mercosur-in, është bërë kështu bashkëbiseduesja e Berlinit. Merz gjithashtu akuzon Costën dhe Macronin se i kanë ngritur një kurth pikërisht për 90 miliardët për Kievin. Akuzë së cilës banori i Elizesë iu përgjigj duke dërguar një shënim informal, por të ashpër, në Kancelari: «Ishte ai që u ekspozua, e kisha paralajmëruar se për asetet ruse nuk kishte zgjidhje».
Meloni e ka shfrytëzuar rastin për të forcuar boshtin me Berlinin me qëllim mbrojtjen e miqësisë me Donald Trumpin, përpjekjen për të izoluar “armikun” francez, për të arkivuar Green Deal-in dhe për të frenuar rrugën e integrimit evropian. Sepse në propozimet italo-gjermane bie në sy tendenca për t’u rikthyer një rol qendror qeverive kombëtare. Jo rastësisht, kryeministrja, edhe në takimin e fundit në Romë, i bëri të qartë Merz-it se, për të shënuar një pikë në favor të “nacionalizmit” dhe perspektivës ndërqeveritare të Evropës, është e gatshme të mos këmbëngulë në dy pika që kanë qenë konstante për Italinë: eurobondet dhe mbrojtja e përbashkët. Borxhi ynë publik, në fakt, i ka imponuar gjithmonë këto dy opsione. Pra, objektivi politik vlen më shumë se ai ekonomik. Propozimi italo-gjerman shihet nga kampi kundërshtar si një hap pas në procesin e integrimit dhe si një kufizim i kapaciteteve vepruese të Komisionit.
Në këtë kuadër, Merz ka rregulluar marrëdhëniet me von der Leyen përmes ministrit të tij të Kancelarisë, Thorsten Frei, mik i ngushtë i Bjoern Seibert, shefit të kabinetit të presidentes së Komisionit. Një pajtim që bazohet në paktin për qëndrimin e Ursulës në Pallatin Berlaymont deri në fund të mandatit (në ndërhyrjet e saj të djeshme ajo në fakt përsëriti përmbajtjen e letrës italo-gjermane). Macron kishte testuar kancelarin për mundësinë e emërimit të një gjermani vitin e ardhshëm në krye të BQE-së, duke i ofruar në këmbim presidencën e Komisionit një francezi/eje. Hipotezë tashmë e refuzuar nga Merz, i cili në bisedat e tij të rezervuara përsërit shpesh se “kolegu” pas një viti nuk do të jetë më president. Aq sa vetë banori i Elizesë u ka thënë disa eurodeputetëve francezë: «A i kanë shpjeguar Friedrich-ut se në vitin 2027 votohet edhe në Itali?».
Një situatë që rrezikon të riprodhojë përplasjen Veri-Jug, me përjashtimin e Italisë dhe të vendeve të Lindjes që e shohin në rrezik mbrojtjen e përbashkët kundër Moskës. Samiti i sotëm nuk hapet nën ogure të mira.
La Repubblica
Komente










