Altin Dumani e 4 prokurorë të SPAK zbarkojnë në Brazil, Ambasada amerikane: Do çmontojnë bandat shqiptare, transportuese të sasive të mëdha kokaine në Europë

Altin Dumani e 4 prokurorë të SPAK zbarkojnë në Brazil, Ambasada amerikane: Do çmontojnë bandat shqiptare, transportuese të sasive të mëdha kokaine në Europë

Altin Dumani në Brazil

Kreu i Prokurorise së Posaçme kundër Korrupsionit dhe  Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka udhëtuar drejt Brazilit ku dhe ka zhvilluar një takim me zyrtarë dhe prokurorë të polcisë braziliane. I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi, Vladimir Mara, Dumani bisedoi me homologët brazilianë lidhur me bandat shqiptare të cilat i kanë shtrirë “tentakulat” gjerësisht nëpër Amerikën e Jugut.

Gjatë këtij takimi në fokus ka qenë çmontimi i këtyre grupeve kriminale të cilët transportojnë sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Europë.  Lajmin për vizitën e kryeprokurorit e ka bërë me dije Ambasada amerikane.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. 

Z. Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. 

Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. 

Z. Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krimi i organizuar shqiptar është aktiv në Evropë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Azinë. Mafia shqiptare merr pjesë në një sërë sipërmarrjesh kriminale, duke përfshirë trafikun e drogës, armëve dhe njerëzve.

Mediat e huaja me dhjetëra  herë kanë shkruar artikuj të ndryshëm ku dhe kanë theksuar se si bandat shqiptare janë të përhapura në Brazil dhe furnizojnë Shqipërinë e Europën me “pluhurin e bardhë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane 

Delegacioni u informua nga Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, Drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, Drejtori dhe Zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital (PCC) që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil. Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë FBI-në (Byronë Federale të Hetimit), DEA-n (Administratën për Narkotikët), dhe HSI-n (Agjencia e Sigurisë Kombëtare).

“Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar,” tha Drejtuesi i SPAK Dumani. 

“Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së.”  

Zyrtarët brazilianë mirëpritën ngrohtësisht Drejtuesin e SPAK Dumani dhe kolegët e tij, duke e vlerësuar arritjet e SPAK-ut dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm që SPAK mund të luajë në nivel ndërkombëtar në uljen e ndikimit të rrezikshëm të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në Brazil dhe në rajon.

Autoritetet e SPAK dhe ato braziliane ranë dakord të ndihmojnë njëri-tjetrin në ndarjen e informacioneve dhe gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke vendosur kanale jetike komunikimi ndërmjet zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve dhe duke rritur aftësinë e SPAK për të luftuar efektivisht grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Brazil dhe vendet fqinje, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane. 

Drejtuesi i SPAK Dumani gjithashtu theksoi mbështetjen e çmuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nga OPDAT, lehtësimi i të cilit i mundësoi ekipit të SPAK të krijonte këto lidhje të rëndësishme. 

“Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë ka qenë e paçmueshme në fuqizimin e SPAK për të përballuar krimin ndërkombëtar kompleks dhe në pajisjen tonë me mjetet dhe aleancat e nevojshme për të përballuar krimin e organizuar në shkallë globale,” tha Dumani.

G.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Burri i Kamala Harris: Nesër dua t’i them zemër je presidentja e Shteteve të Bashkuara

Burri i Kamala Harris: Nesër dua t’i them zemër je presidentja e Shteteve të Bashkuara