5 orë zgjati raportimi i fundit i Altin Dumanit në Kuvend si kryetar i SPAK. Ai i parashtroi punën e institucionit për vitin 2024, teksa vlerësoi si arritje goditjen e krimit të organizuar në veçanti. Dumani kërkoi nga ligjvënësit zgjidhje se çdo të ndodhë me mandatin e prokurorëve të SPAK, teksa njoftoi se ai vetë nuk do të rikandidojë më dhe s’do të jetë pjesë e prokurorisë së posaçme pas 2028-s. Akuzave të opozitës iu përgjigje se për të dhe çdo koleg të tij s’ka rëndësi asnjë emër por vetëm prova. 

***
Kur i duhen edhe 2 muaj nga largimi si drejtues i SPAK, Altin Dumani raportoi për 5 orë punën e tij dhe kolegëve të tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në raportimin e fundit, një apel e kishte të drejtpërdrejtë për ligjvënësit, kur i foli për çështjen e mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të SPAK, ndërsa u dha lajmin se vetë edhe 3 vite do të jetë prokuror i posaçëm.

 “Nuk është çështje personale, sepse unë nuk do të rikandidoj më për prokuror. I mbaron mandati 11 prokurorëve të posaçëm në një vit. Unë nuk besoj se kemi kaq shumë kapacitete. E kuptoni boshllëkun që krijohet. Është e pamundur t’i zëvendësosh. E kam përsëritur në çdo raportim dhe nuk e kam një përgjigje, qoftë edhe që prokurorët të përgatiten emocionalisht”, tha Dumani.

Fillimisht një koment Dumani e kishte mbi shqetësimin për teprinë e masave të arrestit me burg. Vetëm 9.7% e të paraburgosurve tha ai janë të SPAK dhe se problemi duhet parë diku tjetër.

 “Duhet një kujdes më i shtuar te prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. 90% e masave arrest me burg që ne vëmë e zënë subjektet e krimit të organizuar. Dhe për këto subjekte është gati e pamundur të kërkosh masë tjetër sigurie”, nënvizoi ai.

Teksa prezantoi sukseset në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Dumani radhiti pastrimin e parave dhe shkeljet në tendera si krime në rritje, dhe në këtë drejtim u ngriti një shqetësim deputetëve.

“Sekuestrojmë llogari në kriptovaluta, por as ne, as Agjencia e Pasurive të Sekuestrua nuk ka llogari për t’i ruajtur këto vlera.  Janë 11 milionë euro kripto të sekuestruara, nuk kishim si ti ruanim, morëm ndihmë nga një agjenci e huaj partnere që po i ruan për ne. Kemi edhe një shumë më të madhe se kaq dhe nuk dimë ku ta ruajmë”, shtoi kreu i SPAK.

Sipas Dumanit, nga 65.5 milionë euro, 28.7 milionë euro janë të sekuestruara kurse 36.7 milionë euro janë të konfiskuara.

Kreu i SPAK theksoi se gjatë vitit 2024, hetimet kundër pastrimit të parave janë rritur me me 34% në raport me vitin 2023, ndërsa në krahasim me vitin 2023 këto procedime janë trefishuar.

Altin Dumani evidentoi se 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin zyrtarëve të lartë.

"Gjatë vitit 2024 SPAK ka patur ndjekjen e rekomandimeve të BE, rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Numri i prokurorëve u rrit në 20, u rritën dhe trajnimet ndërkombëtare. U rritën me 8% çështjet në hetim. Në nëntor 2024 u miratua udhëzimi për masat administrative dhe procedura për kryerjen e hetimit pasuror dhe financiar, që i zhvillon paralelisht me hetimin penal. Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, bankare dhe kriptovaluta", u shpreh Dumani.

Për veprën penale të korrupsionit, Dumani sqaroi se  janë hetuar 33 ish-zyrtarë, nga të cilët 19 janë në gjykim dhe 10 të tjerë janë dënuar me formë të prerë.

Në lidhje me terrorizmin, janë shqyrtuar 9 çështje, nga të cilat 1 për financim terrorizmi është dërguar për gjykim. Pjesa tjetër janë në hetim paraprak.

Sa i përket grupeve kriminale shqiptare që veprojnë ndërkombëtarisht, Altin Dumani sqaroi se SPAK ka identifikuar 16 të tilla, duke goditur 10 prej tyre. Këto grupe kriminale shqiptare, të angazhuara në trafikun ndërkombëtar të drogës, kryesisht kokainë e kanabis, veprojnë në disa shtete të BE-së, teksa kanë lidhje direkte në vendet e Amerikës Latine.

Përgjigjen ia dha të drejtpërdrejtë Bylykbashit të PD-së kur e akuzoi për mosveprim për krimet zgjedhore.

“Ne kemi pasur bashkë edhe komunikim. Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar në kohë reale. Kemi dërguar prokurorin edhe në 2 të natës. Madje ju edhe e keni falenderuar. Por çështja është kjo, ne sapo organizojmë punën për të hetuar rastin, shikojmë në media me titra që në filan vend po blihen vota”, theksoi ai.

Opozitës i dha këtë koment kur u pyet për një çështje shumë të pretenduar prej saj.

 “Lidhur me çështjen Aruba, nuk di të ketë një çështje me këtë emër”, nënvizoi Dumani.

Kryeprokurori i SPAK, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës njoftoi për herë të parë se SPAK ka regjistruar procedime penale për Irena Gjokën, Portin e Durrësit, eko-parkun, çështjen e abuzimeve me fondet e bujqësisë IPARD dhe çështjen “McGonigal”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Arrestimi i Ilir Metës, Dumani: Linte për të dëshiruar, por s’jam unë përgjegjës! Masën e ekzekuton policia

 

Kreu i SPAK Altin Dumani ka komentuar për herë parë publikisht arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili u ndalua rreth një vit më parë me forcë nga dhjetëra policë pasi GJKKO caktoi ndaj tij masën arrest me burg.

Ishin mbi 10 forca policie, pjesa më e madhe me maska, të cilat ndaluan automjetin me të cilën lëvizte kreu i Partisë së Lirisë.

Teksa raportonte te Komisioni i Ligjeve, Altin Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetit Tedi Blushi, mbi ndalimin e ish-presidentit.

“Si e cilëson mënyrën e arrestimit të Ilir Metës?”,- ishte pyetja e Tedi Blushit.

Kreu i SPAK tha se arrestimi në këtë formë i ish-presidentit, “linte për të dëshiruar”, por sipas tij urdhri nuk është ekzekutuar nga ai dhe se është kundër kësaj mënyre. Më tej ai tha se masën për arrestim, e ekzekuton policia.

“Prokurorët e SPAK nuk marrin urdhra as nga Edi Rama dhe as nga askush. Nuk ekzekuton masa sigurimi BKH, ne ja delegojmë policisë së shtetit. Urdhrat e ekzekutimit i bën Policia e Shtetit. Kjo është praktikë e përditshme e ndërtuar ndër vite. Nuk ndihem përgjegjës për mënyrën e arrestimit sepse nuk e kam ekzekutuar unë masën edhe pse ajo lë shumë për të dëshiruar dhe jam kundër kësaj mënyre”, u shpreh Dumani.

Ora 22:34
‘Si mund të bëhet kjo pyetje, Dumani ‘ngre tonet’ dhe i drejtohet Blushit: Keni mbushur opinionin publik sikur kam takuar McGonigal, pa pikë përgjegjësie (VIDEO)

 

Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur nga deputeti i PL, Tedi Blushi nëse ishte takuar me Charles McGonigal, ish-agjentin e FBI-së, të dyshuar për afera të paligjshme që përfshijnë edhe Shqipërinë.

Dumani pyeti se si ishte e mundur që të bëhet kjo pyetje pa pasur një indicie apo të dhënë, ndërsa ngriti tonet duke deklaruar se opinioni publik ishte mbushur “pa pikë përgjegjësie” sikur kreu i Prokurorisë së Posaçme ishte takuar me McGonigal.

Ai theksoi se ka mësuar për figurën e McGonigal për herë të parë në vitin 2023, atëherë kur u publikuan të dhëna mbi një aferë të mundshme të tij.

“Ishte e bukur kjo, a jam takuar me Charles McGonigal. Se si mund të bësh një pyetje të tillë, nuk e di. Që të bësh një puetje t ëtillë duhet një indicie, një e dhënë. Ku është një indicie, një e dhënë?! Ore unë jam Altin Dumani, përfaqësoj prokurorinë e posacme. Opinionin publik e mbushët, ka takuar McGonigal, pa asnjë përgjegjësi, pa pikë përgjegjësie! Edhe emrin dhe figurën për herë të parë në janar 2023 u publikuan të dhëna apo fakte për një aferë të mundshme të McGonigal”, u shpreh Dumani.

Ora 22:31
‘I vjen rrotull Kryeministrisë, por arreston liderët e opozitës’, Dumani ‘përplaset’ me Strazimirin: Ndihem i fyer, se sa patriot jam unë…

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani është përplasur në komisionin e Ligjeve me deputetin demokrat, Gent Strazimiri. Ky i fundit i tha se nuk është i vërtetë në raportimin në komision, deklaratë që Dumani e konsideroi si fyerje.

Strazimiri: Refuzoni të thoni që task-forca e krijuar për zgjedhjet ka qenë dështim, por thoni që mund të kishte qenë më mirë. Në rezulton që blerja e votës është kthyer në sistem dhe ka një bashkëpunim të fortë të pushtatarëve me krimin e organizuar. Ju jeni përfshirë që të parandalohet gjëja. Në fund fare jo vetëm që nuk parandaluam gjë, por krimi i organizuar e mbushi kutinë aq sa deshi. Kjo nuk mund të jetë sukses i pjesshëm.

Dumani: Sa i takon zgjedhjeve, SPAK ka bërë çfarë ka qenë e mundur për të hetuar krimin zgjedhor. Rastet janë konkrete. Ccdo pretendim tuajin e kemi verifikuar, edhe në 12 të natës. Kemi bërë çfarë ka qenë e mundur, duke rrezikuar hetuesit dhe prokurorët. Unë jam përgjegjës për çfarë bëj unë, jo çfarë mendoni ju.

Strazimiri: Thatë që korrupsioni është në rritje, jam dakord. Sa më shumë shtohet represioni ndaj korrupsionit, aq më shumë shtohet.

Manja: Strazimiri iu tërheq vëmendjen se nuk jemi këtu për të vlerësuar kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen. Përmbahuni se ndoshta edhe jeni lodhur. Edhe ata (prokurorët e SPAK) janë lodhur, kanë qenë në punë gjithë ditën.

Strazimiri: Ju keni treguar patriotizëm atëherë dhe kjo detyrë që keni marrë përsipër nuk bëhet pa atdhedashuri dhe pa patriotizëm. Në emër të kësaj ju kërkoj hesap sot. Thatë që jo të gjitha çështjet janë njësoj. Një çështje për armëmbajtje pa leje është ndryshe nga një çështje për kundravajtje rrugore. Tre liderët e opozitës i ke në burg ose ndjekje penale për korrupsion. Ka edhe ministra, i shkoni rreth e qartë godinës së kryeministrisë, arrestoni liderët e opozitës për korrupsion dhe në fund dilni në përfundimin që korrupsioni qenka rritur. Mos ndoshta nuk e bën Mehmeti me kokë të vetë, mos ndoshta e bën Enveri dhe herë pas herë iu jep ndonjë nga këta juve që ti keni për konsum publik? A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që është Enveri dhe jo Mehmeti me kokën e tij? Nuk kam nevojë për përgjigje.

Manja: këto janë konsiderata politike dhe nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucionit që drejtoni. Ju kërkoni nga Dumani atë që e ka përgjegjësi gjithë shoqëria në tërësi. Mos e acaroni këtë dëgjesë pas 5-6 orësh. Pak respekt për të ftuarit këtu. SPAK është shpresë për të gjithë, ti kërkojmë llogari për aq sa ka me kushtetutë.

Dumani: Përgjigje nuk do Strazimiri, por patjetër që kam koment. Ju (i drejtohet Strazimirit) nuk mund të aludoni që në këtë seancë unë vetëm një herë kam qenë i vërtetë. Ju e dini shumë mirë që jam i vërtetë çdo orë dhe çdo ditë të jetës sime. Ndihem i fyer nga ajo që thoni. Sa patriot jam dhe sa e dua këtë vend e pranuat vetë. Të gjithë bashkë me prokurorët kemi një qëllim të vetëm për të kontribuar për ecjen par të këtij vendi. Edhe këtë e dini shumë mirë ju që mua dhe prokurorët e posaçëm nuk na bëjnë shumë përshtypje emrat, ministra, zv.kryeministra, kryeministra, por provat duhen. Sa herë kemi pasur prova kemi ndërtuar ndjekje penale. Për pjesën tjetër nuk dua të përfshihem në diskutimet tuaja.

Strazimiri: Në emër të atij respekti që përmendët, iu fola. Unë me aq sa iu njoh, nuk më duket se jeni njeri që kënaqeni me rezultate minimaliste, ose ta quani gjasme-rezultatin rezultat. Sa i përket patriotizmit, keni parasysh një gjë, burri ka kohë me u fëlliq deri në një minutë para se me vdek.

Manja: Dakord, dakord, nuk jemi për të treguar burrninë e njeri-tjetrit këtu.

Ora 21:24
Raportimi i Dumanit, Ulsi Manja thirrje prokurorëve të SPAK: Të respektohen afatet e hetimit ndaj kujtdo, pavarësisht veprës penale

Në përfundim të mbledhjes maratonë të kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, kreu i këtij komisioni Ulsi Manja u bëri thirrje prokurorëve të SPAK që të respektojnë afatet hetimore.

Sipas tij, kjo është vija në punën e të gjithë prokurorëve, që të respektohen afatet hetimore ndaj kujtdo dhe pavarësisht veprës penale.

“Është në detyrën tuaj proceduriale të respektoni afatet e hetimit. Kjo është vija e demarkacionit në veprimtarinë e prokurorit, të respektojë afatet e hetimeve ndaj çdo subjekti, pavarësisht nga vepra që ka kryer. Ju do duhet të rrisni përpjekjet maksimale që edhe pse janë çështje të komplikuara, ju do duhet të rrisni përpjekjet që të respektoni në maksimum të drejtat dhe liritë e palëve në proces”, u shpreh Ulsi Manja.

 

 

Ora 20:04
Nuk ka deklaruar dënimin në Greqi? Altin Dumani: Kemi nën hetim gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka

Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, është nën hetim paraprak nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.

Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD, Gent Strazimiri, i cili kërkoi nga SPAK-u përse nuk hetohet Irena Gjoka për mosdeklarim të formularit të vetëdeklarimit dhe që ka gënjyer.

Kreu i SPAK theksoi se për gjyqtaren Gjoka është regjistruar procedim penal në qershor 2025 dhe hetimet janë në fazën paraprake.

“Është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të japim informacione. Kemi procedim penal të regjistruar në qershor 2025 dhe po kryejmë veprimet e nevojshme hetimore”, tha Altin Dumani.

Opozita e ka akuzuar vazhdimisht Irena Gjokën se ka një dënim nga Gjykata e Janinës në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dhe se në vitin 1996 është shkarkuar nga detyra.

Por do të jenë hetimet dhe verifikimet e SPAK që do të zbardhin nëse gjyqtarja Irena Gjoka ka fshehur dënimin në Greqi apo nuk është pretendim i vërtetë ai i opozitës. 

Irena Gjoka është edhe gjyqtarja e hetimeve paraprake ndaj Sali Berishës për dosjen “Partizani”.

Ora 19:44
Mbështetësit e Veliajt para GJKKO, Dumani: Nuk duhet të ndodhë më, ishte një moment shumë i vështirë

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, thotë se situata që ndodhi në muajin shkurt 2025 në godinën e GJKKO dhe Prokurorisë së Posaçme ku u mblodhën shumë mbështetës të Erion Veliajt kur ky i fundit doli për vlerësim të masës së sigurisë, nuk duhet të ndodhë më.

Në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, Dumani u shpreh se ishte një moment i vështirë kur eskorta e tij u desh të kalonte mes për mes mbështetësve të Veliajt.

Sipas tij, atë natë pas përfundimit të seancës për masën e sigurisë ndaj Veliajt, Altin Dumani u shpreh se duhet të shkonte në banesë për shkak të një emergjencë familjare.

Por ai e vlerëson si një situatë të vështirë për rojet e tij të sigurisë, që fatmirësisht nuk rezultoi në asnjë rrezikshmëri.

“Rrethimi i prokurorisë dhe gjykatës së posaçme ishte një shfaqje e shëmtuar, e përjetuar nga prokurorët e posaçëm, nga administrata dhe gjyqtarët e GJKKO, një ngjarje që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Ne sinjalizuam institucionet përgjegjëse të cilët nuk kishin marrë masa për mbrojtjen dhe ruajtjen e rendit në SPAK. Pas mbarimit të gjykimit, doja të ikja në shtëpi dhe ishte orë e vonë, nuk e di 21:30-22:00. Me vështirësi kemi kaluar përmes turmës së njerëzve, kisha dhe një emergjencë familjare, sepse mund të prisja dhe 1 orë që të shkoja pak më vonë në Shqipëri, por kisha një emergjencë familjare, isha i detyruar të bëjë atë lëvizje në atë moment, edhe një moment shumë i vështirë, jo për mua, por kryesisht për trupën e shoqëruesve që më mbrojnë, por me shumë profesionalizëm u përpoqën të evitojnë çdo incident. Ishte një moment shumë i vështirë që nuk duhet të përsëritet asnjëherë”, tha Altin Dumani.

Ora 19:24
Altin Dumani: Sulmet politike ndaj SPAK, frymëzojnë elementët kriminalë të na kërcënojnë

 

Deklaratat dhe sulmet politike ndaj SPAK frymëzojnë kërcënimet ndaj prokurorëve të posaçëm nga krimi i organizuar.

Kështu u shpreh kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve.

“Deklaratat politike frymëzojnë dhe elementë të krimit të organizuar. Sa herë shtohen sulmet politike, vihet re shtim i rasteve të kërcënimeve të prokurorëve të posaçëm. Ne qëndrojmë larg retorikës politike”.

Më herët, Dumani deklaroi se prokurorët e SPAK janë kërcënuar seriozisht nga organizatat kriminale gjatë hetimeve për goditjen e tyre.  

Ora 18:56
Altin Dumani: Prokurorët e SPAK janë kërcënuar seriozisht nga organizatat kriminale

 

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, bëri të ditur se prokurorët e posaçëm janë kërcënuar nga organizatat kriminale gjatë hetimeve për goditjen e tyre.

Në fjalën e tij në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Dumani iu përgjigj pyetjeve të deputetit demokrat Klevis Balliu, duke u shprehur se pavarësisht kërcënimeve nga organizatat kriminale.

“Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimit nga organizatat kriminale. Kërcënime serioze jo sa për t’u thënë. Megjithatë prokurorët e kanë përballuar dhe janë përballur me ta duke ndërtuar ngritje penale të suksesshme”, tha drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.

Ky i fundit, më herët gjatë fjalës së tij në raportimin për veprimtarinë e SPAK gjatë vitit 2024, theksoi se Prokuroria e Posaçme evidentoi 16 grupe kriminale shqiptare me veprimtari ndërkombëtare dhe goditi 10 prej tyre.

 

Ora 18:31
A ka nisur SPAK hetim për Arubën? Dumani i përgjigjet opozitës: Nuk njoh çështje me këtë emër

Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet në Komisionin e Ligjeve nga deputetët e opozitës për të ashtuquajturën “Aruba”, ku PD pretendon një takim të supozuar mes kriminelësh në vitin 2019 në ishullin holandez të Arubës me përfaqësues të qeverisë Rama.

I pyetur nga deputetja e PD, Elda Hoti nëse SPAK ka nisur hetim mbi këtë çështje, ku pretendoi se në takim ka qenë edhe Rama, Dumani iu përgjigj se nuk njeh asnjë çështje me emrin Aruba.

Kreu i SPAK tha se “nuk njoh çështje me emrin Aruba, s’kam asgjë për të ndarë me Kuvendin dhe opinionin publik.”

Aruba, blofi i radhës i Berishës

Berisha prej kohësh përdor “Arubën” për të akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të qeverisë për një takim me kriminelë në ishullin holandez të Arubës në vitin 2019. Akuzat bazohen në zbulimet e përfshira në një libër të sapobotuar në Itali, me autor Nello Trocchia. Por, në fakt vetë gazetari shkruan në këtë libër se takimi misterioz në Aruba përmendet në një dosje të quajtur “Enigma”, e hapur nga Prokuroria e Firences në vitin 2018 por që më pas, siç pranon vetë autori, është arkivuar.

Pra, as autoritetet italiane nuk i kanë dhënë peshë ekzistencës së atij takimi, e aq më pak mundësisë që ai të përbëjë provë për ndonjë vepër penale. Ndaj, dosja është arkivuar.

Ora 18:28
Gjiknuri: A do ketë SPAK fatin e dinosaurit? Altin Dumani: Meraku im i vetëm është...

 

“A do ketë SPAK fatin e dinosaurit apo do jetë motor permanent për goditjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Këtë pyetje, deputeti socialist, Damian Gjiknuri, ia drejtoi kreut të SPAK, Altin Dumanit, që raporton në komisionin parlamentar të ligjeve.

Dumani vlerësoi arritjet e deritanishme të SPAK-ut dhe falenderoi prokurorët, hetuesit e BKH-së dhe hetuesit financiarë.

“Ajo që SPAK ka arritur, ato rezultate modeste, janë produkt i punës së prokurorëve të posaçëm, të hetuesve të BKH dhe hetuesve financiarë që i kanë dedikuar këtij profesioni jetën e tyre, kam patur fatin si drejtues të punoj me kolegët prokurorë. Unë jam thjesht dhe vetëm drejtues. Realisht kontributorët realë janë prokurorët”.

Altin Dumani deklaroi se është pozitiv për perspektivën e SPAK-ut, por ka vetëm merakun e 11 prokurorëve të posaçëm mandati 9-vjeçar i të cilëve përfundon në një vit.

“Pespektivën e SPAK e shoh të mirë, institucioni është maturuar, nga pikëpamja profesionale vlerësoj se është në gjendje të ecë para. E vetmja gjë është momenti kur 11 prokurorë ikin njëherësh. Duhet të mendoni si ligjvënës me këtë moment”.

Ora 18:14
Pse s’u arrestua ‘Visi i Pojës’? Dumani i përgjigjet akuzave të opozitës: Detyrë e Policisë, nuk mund ti kërkoni përgjegjësi SPAK-ut

Altin Dumani iu përgjigj akuzave të opozitës në Komisionin e Ligjeve për operacionin Ura, ku u shpall në kërkim Elvis Doçi, i njohur edhe si Visi i Pojës. Akuzave se ka mbajtur në sirtar urdhëarrestet për këtë operacion, që shpesh herë janë artikuluar edhe nga Berisha, sipas të cilit Dumani nuk veproi me qëllim para zgjedhjeve të 11 majit, Dumani iu dha një përgjigje shteruese. Deputetëve të opozitës ju sqaroi se vendimi për caktimin e masave është dhënë më 5 ose 6 maj dhe më pas është koordinuar takimi me homologët e Barit dhe u caktua data 21 maj për ekzekutimin e urdhërarresteve. Pyetjes së përse nuk u arrestuan, Dumani iu përgjigj duke thënë që kjo nuk është detyra e SPAK, por e Policisë së Shtetit.

“Operacionit URA e kam deklaruar publikisht se prokuroria ka depozituar kërkesën për caktim mase sigurimi në muajin mars të vitit 2025. Vendimi i caktimit të masës është dhënë nga data 5 ose 6 maj dhe të njëjtën ditë është komunikuar me kolegët anëtar të barit, është koordinuar takim në shqipërim në datën 7 maj, dhe ata kishin punë përgatitore për të bërë se shumica e autorëve u arrestuan në Itali dhe u fiksua data 21. Pse nuk u arrestuan, arrestimin e di shumë mirë, që nuk është detyra e SPAK. SPAK administron vendimin e gjykatës, nxjerr urdhrin dhe ngarkon policinë e shtetit. Nuk mund të na e kërkosh këtë përgjegjësi neve”, tha Dumani.

Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, është akoma në kërkim në kuadër të operacionit 'Ura' që çoi në çmontimin e grupeve kriminale të trafikut të drogës, në bashkëpunim me autoritetet e Barit. 

Ora 17:50
Mandati 9-vjeçar? Dumani jep 'dorëheqjen e parakoshme': Unë nuk rikandidoj më, por çdo bëhet me 11 prokurorët e tjerë që ikin brenda 1 viti

Vetë Altin Dumani thotë kur t’i përfundojë mandati 9-vjeçar si prokuror i SPAK nuk do të rikandojë sërish. Por, në Komisionin e Ligjeve ku po prezantoi raportin e 2024-ës, Dumani ngriti shqetësimin e tij që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar. Kjo, pasi Dumani tha se vetëm brenda një viti (2028) u përfundon mandati 11 prokurorëve të posaçëm. Dumani tha se është e pamundur që t’i zëvendësosh, aq më tepër që ata kanë çështje që po i ndjekin për vite me radhë.

Dumani tha se kjo cenon hetimet, ndërsa theksoi se nuk e kemi luksin që prokurorë që janë të trajnuar për të hetuar krime të sofistikuara, ti kalojmë në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandioj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa ti zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit. E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment ty bukur ti i thua mandati jot mbaroi s’ke më punë me çështjen, penohen hetimet në këtë drejtim. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për tu rritur profesionalisht për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investimin, i thuhet prokurorit të posaçëm, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm. Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme, dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, tha Dumani.

Ora 17:26
Bylykbashi: Task-Forca për krimet zgjedhore doli fiasko! Altin Dumani: Kam dërguar hetues në mes të natës, madje ti falenderove prokurorin e posaçëm

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve të kreut të SPAK, Altin Dumani, deputeti i PD Oerd Bylykbashi e pyeti në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore. Duke marrë shkasë edhe nga Task-Forca që u krijua për zgjedhjet e vitit 2025, Bylykbashi tha se kjo Taks-Forcë mesa duket rezultoi fiasko.

Por drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, u përgjigj duke folur me shifra konkrete, sipas të cilit, janë regjistruar 44 procedime penale. Dumani iu drejtua edhe personalisht deputetit Bylykbashi, duke i treguar se gjatë zgjedhjeve kanë mbajtur edhe komunikime personale për krimet zgjedhore.

Për çdo ankesë të Bylykbashit, Dumani tregoi se ka dërguar hetues në Durrës në mes të natës.

“Nuk mund të them që Task-Forca ka dështuar. Kemi regjistruar 44 procedime penale. Kemi të pandehur një kryetar bashkie për korrupsion aktiv. Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv. Kemi arrestuar disa persona vetëm për zgjedhjet e 2025, kemi dhe 38 procedime penale që po i ndjekim. Shpresojmë që edhe me këto të kemi rezultate konkrete.

Se tani ca gjëra duhen thënë. Ne kemi patur komunikim edhe bashkë (i drejtohet Oerd Bylykbashit). Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar në kohë reale. Kam dërguar hetues dhe prokurorë në mes të natës. Ju madje edhe e keni falenderuar prokurorin e posaçëm. Ne sapo organizojmë punën për të organizuar rastin shikojmë në media me titra që filan vend po blihen vota.

Ja ku është dhe z.Gjoni, ka bërë denoncim, kemi çuar prokuror, janë bërë verifikime.

Rast në Shkodër, sërish të njëjtën gjë kemi bërë. Ne 20 prokurorë jemi. Jam njësoj i shqetësuar njësoj si ju për blerjen e votës, vota është e shenjtë. Por kapacitetet dhe mundësitë e SPAK këto janë”, tha Altin Dumani.

Ora 17:23
Dumani te ‘Ligjet’ në Kuvend: Janë 2 shtete që duan të ndajnë pasuritë që kemi konfiskuar, duhet ndërhyrje në legjislacion

 

Kreu i SPAK Altin Dumani gjatë përgjigjes për deputetin e PS-së Olsi Komici, ka kërkuar ndërhyrjen në ligjin për konfiskimin e pasurive. Dumani tha se janë dy shtete europianë që kanë kërkuar ndarjen e pasurive të konfiskuar në vendin tonë, pasi shtetas shqiptar kanë kryer veprat penale në vendet e tyre.

“Tani është momenti që të kemi një sektor analize, sepse ato punë që janë bërë ndër vite, kanë nevojë të analizohen. Pasi një njësi analize  e mirë, shërben jo vetëm për të hetuar. Po ta shohësh ndër vite SPAK e ka rritur numrin e çështjeve për pastrimin e parave. Është rritur ndjeshëm vlera e pasurive të sekuestruar dhe të konfiskuara. Ne po kryejmë gjithmonë hetim pasuror kur kemi persona të identifikuar. Një element i rëndësishëm është bashkëpunimi me homologët tanë jashtë Shqipërisë. Ku për shtetas shqiptar që janë dënuar për një cështje që ka të bëjë me krimin e organizuar, ne me partnerët tanë, kemi regjistruar procedime pasurore në Shqipëri. Po flas për shtetas shqiptar që nuk kanë kryer vepra penale në Shqipëri, por kanë transferuar pasuritë në Shqipëri, ne kemi regjistruar procedimet pasurore, ne kemi sekuestruar dhe konfiskuar. Ka ardhur koha që ne të diskutojmë me homologët tani, ndarjen e pasurive të konfiskuar mes shteteve. Këtu ka nevojë të ndërhyhet në legjislacion për të përmirësuar këtë aspekt, pasi janë dy shtete që kanë kërkuar ndarjen e pasurive të konfiskuara”, tha Dumani.

 

Ora 17:06
Dumani te ‘Ligjet: Ekstradimi nga Dubai ka qenë pothuajse i pamundur, 2025-a shënoi përmirësim! Sollëm 8 persona në kërkim nga SPAK

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se vetëm gjatë këtij viti kanë ekstraduar 8 persona ng Emiratet e Bashkuara Arabe që ishin në kërkim nga SPAK. Ky vit, sipas Dumanit ka shënuar një përmirësim, pasi situata e ekstradimeve nga Dubai në vitin 2024 ka qenë problematike.

"Ekstradimi nga Emiratet Arabe, ka qenë problematike për vitin 2024, pasi ishte pothuajse e pamundur ekstradimi i këtyre shtetasve që ishin në kërkim për llogari SPAK. 2025 ka shënuar përmirësim, brenda këtij viti janë ekstraduar nga Dubai rreth 8 persona, as ne vete nuk e kishim imagjinuar që do kishim këtë situatë pozitive në raport me autoritet e Emirateve të Bashkuara Arabe", tha Dumani. 

Ora 16:53
Dumani te Ligjet: SPAK presione nga grupet kriminale, politika e media! Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve, krijon pasiguri

 

Në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurori Altin Dumani foli edhe për vëhstirësit me të cilat janë hasur gjatë vitit 2024. Dumani tha se SPAk përballet me presione mediatike, politike, por edhe nga krimi i organizuar.

“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, theksoi Dumani.

Më tej, Dumani tha se mungesa e paqartë ligjore lidhur me statusin e prokurorit krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimin e hetimeve.

“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimësinë e hetimeve”, tha Dumani.

Dumani ka propozuar që prokurorët e SPAK të kenë mundësi rikandidimi në përfundim të mandati të tyre 9-vjeçar.  

Ora 16:49
Dumani: Na duhet portofol dixhital, nuk kemi ku të ruajmë 11 mln euro kriptomonedhat e sekuestruara! Po sekuestrojmë edhe mbi 11 milionë euro të tjera kripto

 

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 11 milionë euro kriptomonedha gjatë vitit 2024. Shifra është bërë e ditur nga kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në komisionin parlamentar.

Në fjalën e tij, Dumani kërkoi të merren nisma ligjore për të mundësuar një portofol dixhital për mbajtjen e kriptomonedhave të sekuestruara. Shqipëria nuk e ka aktualisht një portofol dixhital.

Dumani theksoi se për mbajtjen e 11 milionë eurove kripto, i ka ndihmuar një vend i BE-së.

Drejtuesi i SPAK bëri të ditur se aktualisht kanë një shumë mbi 11 milionë euro kriptomonedha të tjera, të cilat janë të ngrira.

“Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira”, u shpreh Altin Dumani.

Ora 16:40
Kreu i SPAK: Kemi evidentuar 16 grupet kriminale shqiptare, janë aktive në disa shtete të BE! Blejnë kokainë në Amerikën Latine, 10 prej tyre i goditëm

 

SPAK ka evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në disa vende të botës. Kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij në komisionin parlamentar për veprimtarinë e institucionit që ai drejton për vitin 2024, Dumani theksoi se kanë evidentuar 16 grupeve kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun e kokainës dhe kanabisit.

Sipas tij, kokainën e blejnë në Amerikën Latine dhe ushtrojnë veprimtari në disa shtete të BE-së.

Dumani vuri në dukje se këto grupe janë aktive në Shqipëri në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan e Kukës.

Sipas Dumanit, 10 prej këtyre grupeve kriminale janë goditur.

“Janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Grupet janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre. Karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara, dhe pastrimi i parave. Janë aktive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë”, tha ndër të tjera Dumani.

Ora 16:19
‘Arresti me burg i tepruar’, Dumani te ‘Ligjet’: Vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK! U hetuan 33 zyrtarë të lartë

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani prezanton raportin e vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve. Në të njëjtin Komision u ngrit problemi i masave të tëpuara të arrestit me burg, nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela apo ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Ndalur në këtë pikë, Dumani tha se SPAK ka marrë të gjitha masat për të siguruar aplikimin e standardeve uniforme gjatë hetimeve paraprake, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Vetëm 7.9% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK.

“SPAK hartoi udhërrëfyesin strategjik për çështjet prapambetura, parashikon reduktimin e back log, përmes një metodologjie. Rekomandimi për hetimet financiare, u forcua me miratimin e udhëzimit të përgjithshëm në nëntor 2024.

Sa i takon standardizimit të ndjekjes penale, SPAK ka marrë të gjitha masat për të siguruar aplikimin e standardeve uniforme gjatë hetimeve paraprake, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK, duke shmangur abuzimin me masat më të rënda të sigurisë. Gjatë 2024, SPAK zhvilloi trajnime intensive për hetuesit financiar të BKH. Sa i takon krimeve zgjedhore, në janar 2025 SPAK miratoi strategjinë për zgjedhjet e 2025, duke garantuar hetim proaktiv. SPAK vijoi punë për plotësimi e strukturës, prokuroria numëron 124 punonjës”, tha Dumani.

Dumani tha se SPAK ka ndjekur rekomandimet e BE dhe ka marrë vlerësime për luftën kundër krimit të organizuar. Kreu i SPAK u shpreh se procesi për zgjedhjen e drejtorit të BKH është në fazë përmbyllëse.

Ndalur në Shifra, Dumani theksoi se 33 zyrtarë janë vënë në hetim nga SPAK, ndërsa 19 çështje janë dërguar në gjykatë. Po ashtu, vitin që lamë pas janë regjistruar 2 hetime për terrorizimin dhe 1 çështje është dërguar për gjykim.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Stafeta: 14/10/2025 20:57

    nje opsion mund te ishte stafeta pra rrotacion nga rrethet , keshtu kur mbaron mandati zevendesohen nga rrethet dhe behet si pune rrotacion stafete, opsion tjeter do ishte mire edhe futja e brezit te ri qe po studion jashte mosha 28-38 vjec/e

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 15/10/2025 08:26

      Duman ligji eshte ligj , sipas tij ju duhet te largoheni .kur nuk e zbatoni ju ligjin çfar duhet te presim nga te tjeret ? Ju kerkoni akoma te ruani benefitet tuaja duke lene pa ndeshkueshmerine e krimineleve .Jemi Republike parlamentare dhe je republike prokuroresh .Koha juaj ka mbaruar .

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?