Nutricionisti Altin Joka ka shpjeguar në emisionin “Rreze Dielli” ne Report Tv, rolin që kanë probiotikët dhe prebiotikët në organizmin tonë. Joka i specifikoi probiotikët si pro jetës, ndërsa prebiotikët si para jetës.

“Pjesa më e madhe e probiotikëve konkurrojnë me mikrobet e dëmshme dhe fillojnë të prodhojnë substanca të mira për mikrobiomën. Prebiotikët janë pjesë të fibrave që shkojnë drejt zorrës së trashë dhe përdoren nga mikrobet e mira për t'u shumuar”, u shpreh Joka. Nutricionisti Joka shpjegoi se probiotikët ndahen në baktere dhe maja të caktuara. Majatë ndihmojnë që antibiotikët të mos sjellin shumë dëme në organizëm, ndërsa probiotikët ulin nivelin e diarresë që vjen nga çekuilibri i zorrëve për shkak të antibiotikëve. Ata ndihmojnë shumë edhe në tretje dhe lidhen gjithashtu me sistemin tonë inflamator. “Aktivizojnë qelizat vrasëse të tumorit dhe ndikojnë në rregullimin e inflamacionit”, u shpreh Joka.

Natyropati Joka shpjegoi se probiotikët konkurrojnë edhe me mikrobet e dëmshme, duke prodhuar substanca që mbrojnë zorrët. Ata lehtësojnë fryrjet dhe ndikojnë edhe te kolesteroli, duke e ulur atë. Ndikojnë te mishrat e dhëmbëve, te çarjet e gjuhës dhe te dhimbjet e barkut te foshnjat e vogla. Disa prej tyre ndikojnë te çrregullimet hormonale, aknet dhe vezoret policistike. Prebiotikët ndihmojnë edhe në rritjen e sasisë së fibrave dhe mbështesin funksionin mikrobik të zorrës. Ata u japin lëndë ushqyese baktereve të mira që të shumohen, ndikojnë te kapsllëku dhe ushqejnë qelizat e zorrës. Gjithashtu, rrisin nivelin e butiratit, i cili i jep energji zorrës. Joka shtoi gjithashtu se ka prebiotikë që ndihmojnë në përthithjen e mineraleve. Ata përdoren edhe për rënien në peshë apo për të luftuar sëmundjet autoimune dhe diabetin. “Një studim te disa persona mbi 60 vjeç tregon se probiotikët mund të ndikojnë te gjumi kur ai nuk është i mirë. Kombinimi i probiotikëve dhe prebiotikëve ndihmon në rregullimin e problemeve të mëlçisë”, tha Joka.

Për shëndetin e zorrëve, ja çfarë duhet të hani

  • Sallatë me lakër të kuqe dhe të bardhë, rukola ose lakra të egra, vaj ulliri, qepë të kuqe, turshi ose kos dhe kefir.
  • Kos me tërshërë dhe feta bananeje.
  • Fasule ose thjerrëza të kombinuara me lakër turshi.
  • Kos natyral me tërshërë dhe kivi.
  • Kefir me arra dhe banane.
  • Mish ose peshk me salcë ananasi dhe mangoje.
  • Pure me xhenxhefil, pasi rrit nivelin enzimatik.
  • Fiq me arra dhe kos.
  • Kefir, si një nga burimet më të pasura me probiotikë.
  • Lëng kockash.
  • Mjaltë i papërpunuar.

Por kur është e nevojshme t'i marrim si suplemente?

Kur jeni të shëndetshëm dhe i merrni probiotikët në mënyrë natyrale, nuk ka nevojë t'i merrni si suplemente. Por, kur keni marrë një kurë me antibiotikë ose keni probleme me zorrët, mund t'i merrni edhe në formë suplementesh. Kur jeni me grip dhe temperaturë, mund t'i merrni, pasi forcojnë imunitetin, pa marrë fare paracetamol. Në mënyrë natyrale, nëse nuk keni mundësi t'i merrni, përdorini në formë suplementesh.

"Lakra e kuqe dhe e bardhë, si dhe shafran me mjaltë: nuk u sëmurën për 19 vite me grip", tregon Joka rastin e një familje naturapatësh gjermanë.

Enzimat dhe rëndësia e tyre për organizmin

"Enzimat janë ato që zbërthejnë ushqimin, i cili më pas kalon në gjak. Ato ndikojnë te tretja dhe metabolizmi, përmirësojnë funksionin e muskujve, mbrojnë trupin nga plakja dhe sëmundjet, si dhe përmirësojnë imunitetin tonë. Pa to, trupi nuk i tret ushqimet dhe nuk riparon qelizat, gjë që mund të çojë në sëmundje metabolike dhe inflamatore. Pa enzimat nuk mund të jetojmë dot; ato janë baza e funksionimit të organizmit tonë", theksoi Joka.

Enzimat gjenden që te pështyma, në stomak, në gjak dhe në qeliza. Ato vazhdojnë punën deri në nivel molekular.

Baza e enzimave janë proteinat, të cilat vijnë nga mishi, peshku, vezët etj., si dhe nga yndyrnat. Kemi gjithashtu enzima që prodhohen në mëlçi.

Kujdes: kur keni mungesë të citokromit, mund të kuptoni se ilaçet nuk po ju bëjnë efekt. Kjo vlen për personat që kanë probleme me hipertensionin.

Enzimat që gjenden te frutat si ananasi, papaja, kivi dhe fiku janë arsyeja pse ato këshillohen edhe pas ngrënies së mishit, pasi ndihmojnë në tretje.

Mangoja ndihmon në tretjen e karbohidrateve.

Lakra e fermentuar përmban edhe enzima. Kemi gjithashtu xhenxhefilin, i cili redukton fryrjen dhe ul fryrjet pas ushqimit.

Mjalti i mirë përmban enzima që ndihmojnë në tretjen e sheqernave dhe niseshtesë.

Nga se shkaktohet fryrja?

Për fryrjen duhet të kuptojmë se nga vjen. Nëse hani shpejt, fusni shumë ajër. Ushqimet jo të shëndetshme mund të sjellin fryrje dhe gazra.

Fryrja mund të vijë edhe nga niveli i lartë i stresit.

Gazrat prodhohen normalisht në zorrë, ndaj duhet bërë një vlerësim për të kuptuar nëse fryrja lidhet me enzimat apo jo.

Nëse keni diarre herë pas here, rënie në peshë ose dobësi, atëherë mund të keni probleme me enzimat.

Enzimat natyrale çlirohen nga organizmi gjatë tretjes, ndërsa ato që i marrim nga jashtë shërbejnë për të zbërthyer ushqimin. Në disa raste, këto të fundit funksionojnë dhe rekomandohen edhe për rënie në peshë.

Shëndeti i zorrëve: ja çfarë duhet të hani

  • Shtoni ujin.
  • Konsumoni më shumë fibra.
  • Përfshini kefirin në ushqyerjen tuaj.
  • Konsumoni ushqime që përmbajnë probiotikë.