Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka ngritur alarmin se grupe të lidhur me Iranin mund të shënjestrojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane shkruan se në shënjestër mund të jenë subjekte të lidhura me SHBA-të ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Po ashtu, sipas Ambasadës, sulmet mund të synojnë edhe vende të zakonshme si qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Kujtojmë se gjatë këtyre javëve luftime, konflikti mes SHBA-së e Izraelit nga njëri krah dhe Iranit nga krahu tjetër, po zgjerohet edhe në shtete të tjera të Lindjes së Mesme, por jo vetëm.

Agjencia për Media dhe Informim pranë Qeverisë shqiptare ka reaguar për Report Tv pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për sulme të mundshme nga grupet e lidhura me Iranin në vendin tonë.
Në reagimin e qeverisë thuhet se paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së është një hamendësim. Po ashtu në njoftim thuhet se Ambasada Amerikane lëshon paralajmërime të tilla edhe për protestat me molotovë që organizon PD dhe Sali Berisha në Tiranë.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Komente











