Institucionet shëndetësore në Shqipëri vijojnë të çojnë analiza dhe imazhe të ndryshme laboratorike, përfshirë dhe grafi, përmes kanaleve të hapura të komunikimit, si Whatsapp. Një praktikë në dukje e shpejtë dhe e lehtë, por që Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e sheh me shqetësim.

Një praktikë  e tillë konsiderohet e paligjshme për shkak se shkelen të dhënat personale ku hyjnë edhe analizat dhe gjendja shëndetësore e një individi.

Në raportin vjetor të Komisionerit depozituar në parlament, vërehen një sërë problematikash me trajtimin e të dhënave personale. Mungesa e politikave të qarta, e procedurave të standardizuara dhe e burimeve të mjaftueshme njerëzore e financiare, pengojnë zbatimin efektiv të Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit, vlerësohet në raport. Një situatë e tillë, sipas Komisionerit, vështorëson identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve për konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e informacionit si dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore.

Edhe të dhënat e tjera mbi transparencën e institucioneve publike, nuk ofrojnë ndonjë panoramë shumë premtuese, ndonëse ka një rënie të numrit të ankesave.  Zyrtarisht me një nivel transparence të lartë janë 149 autoritete publike, ndërsa pjesa tjetër, gati gjysma, ndahen me një nivel transparence mesatare 102 institucione, me nivel transparence të ulët 32 autoritete dhe me një nivel transparence minimale 1 autoritet publik.

Gazetarët vijojnë të jenë kategoria që kërkon më shumë informacion me 2979 kërkesa dërguar gjithsej pasuar nga Shoqëria Civile me 1051 kërkesa gjatë vitit 2025. Komisioneri deklaron se nga 13029 që janë dërguar, 11017 kërkesa kanë marrë përgjigje.

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë