TIRANE, 7 Qershor/ATSH/-Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë njëkohësisht Ambasador jo-rezident në Kosovë, Najeeb Abdulrahman Al-Bader zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, i cili u mbajt në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, Ambasadori Al-Bader bëri me dije se i dorëzoi Ministrit të Jashtëm Thaçi një letër nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kuvajtit Sabah Khaled Al- Hamad Al- Sabah, në lidhje me forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve. Në vijim të takimit, palët biseduan për një sërë çështjesh me interes të përbashkët.
Ndër të tjera, Ambasadori Kuvajtian vlerësoi Qeverinë e Kosovës për punën e bërë në kuadër të njohjes së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ai pohoi se Shteti i Kuvajtit vlerëson hapat e bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se ky dialog, padyshim, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të interesave të përbashkëta ekonomike mes dy vendeve. Al-Bader shprehu dëshirën e tij që të dy vendet, Kosova dhe Serbia, të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme të cilat do të nxisin në përmbushjen e synimeve strategjike të të dy vendeve, si dhe do të shërbejnë në zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Kosovës vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe midis Kuvajtit dhe Kosovës dhe shprehu dëshirën e tij për të zhvilluar më tej intensifikimin e bashkëpunimit konstruktiv, në mënyrë që të arrihen qëllimet e përbashkëtë të të dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Ambasadori Al-Bader realizoi një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të ndryshëm. Al-Bader u takua me Ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi, me të cilin bisedoi rreth mënyrave për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë ndërmjet Kuvajtit dhe Kosovës.
Në vijim,  Ambasadori i Kuvajtit u takua me Myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, Rektorin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji, Edmond Hajrizi, si edhe me zyrtarë të ''Kuwait Society for Relief'' në Prishtinë ku diskutoi me ta mbi projektet e ndërmarra në Kosovë./a.g/