NEW YORK – “Amerika më tërheqëse se kurrë”, sipas presidentit Donald Trump, në realitet duket një vend nga i cili turistët po qëndrojnë larg.

Në vitin 2025, SHBA-të kanë humbur katër milionë vizitorë krahasuar me një vit më parë: rënia e turizmit ndërkombëtar është 5.5 për qind, sipas CNN. Edhe shpenzimet janë tkurrur: në arkën amerikane kanë hyrë 8 miliardë dollarë më pak. Duke përjashtuar rënien e lidhur me pandeminë e Covid-it, kjo është tkurrja më e madhe e turizmit ndërkombëtar në njëzet vitet e fundit.

Bojkoti vjen nga shumë vende, mes tyre Gjermania, India, Franca, Australia, Kili dhe Kina, por rënia më domethënëse lidhet me Kanadanë, vendin që Trump do të dëshironte ta kthente në shtetin e 51-të amerikan. Sipas të dhënave të kompanisë së gjurmimit celular Cuebiq, udhëtimet e kanadezëve drejt qyteteve kryesore amerikane kanë rënë deri në 42%.

Shumë udhëtarë deklarojnë se po shmangin Shtetet e Bashkuara për shkak të retorikës së ashpër të Trump, politikave të forta mbi emigracionin dhe tensioneve politike të lidhura me konfliktin me Iranin. Por nuk ndihmon as frika se mund të përfundosh në qeli vetëm sepse nuk je i bardhë ose ngjall dyshime.

Las Vegas është një nga destinacionet që ka vuajtur më shumë nga rënia e turistëve kanadezë: prania e tyre ka rënë me 17%.

Sipas një sondazhi të Politico, shumica e kanadezëve i konsiderojnë sot Shtetet e Bashkuara një partner dhe aleat jo më të besueshëm. Por rënia e turizmit në SHBA shkon në kah të kundërt me pjesën tjetër të botës: në vitin 2025, udhëtimet ndërkombëtare janë rritur me rreth 80 milionë persona krahasuar me vitin e kaluar, vetëm se një pjesë e konsiderueshme ka zgjedhur destinacione të tjera përveç SHBA-ve.

Edhe eventi i FIFA World Cup 2026, që do të organizohet nga SHBA, Meksika dhe Kanadaja, nuk i ka përmirësuar shifrat. Dhjetëra mijëra bileta kanë mbetur të pashitura, ndërsa hotelet nuk janë mbushur plot.

“Ishim një vend që të tjerët donin ta merrnin si shembull. Kjo ide nuk ekziston më”, komentoi për CNN Juliette Kayyem nga Harvard Kennedy School.

“Dëmi afatgjatë – shtoi ajo – është se bota nuk do ta njohë më Amerikën në të njëjtën mënyrë. Sot narrativa për Shtetet e Bashkuara është ajo e një vendi që, në rastin më të mirë, nuk respektohet dhe, në rastin më të keq, shihet si një demokraci në vështirësi.”/ La Repubblica