AMF leksion të hapur me studentët e 'Aleksandër Xhuvani' në Elbasan

AMF leksion të hapur me studentët e 'Aleksandër Xhuvani' në Elbasan

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi ditën e mërkurë, më datë 21 mars 2018, ora 10:30, një leksion të hapur me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit/investitorit në tregjet financiare nën mbikëqyrje”, me qëllim kryesor rritjen e edukimit financiar të studentëve për rolin e Autoritetit. Gjatë aktivitetit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi dhe rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Prof. Dr. Skënder Topi.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te publiku është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Për këtë arsye, AMF nisi vitin e kaluar një fushatë informuese, duke zhvilluar takime në disa universitete të vendit, për të vazhduar edhe këtë vit, duke zgjeruar më tej edhe grupet e interesit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së theksoi se në fillim në muajit të ardhshëm Autoriteti do të prezantojë strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve. Bëhet fjalë për një dokument të plotë orientues, i përpiluar me ndihmën e ekspertëve më të mirë që do të shërbejë si një udhërrëfyes për punën e institucionit në drejtim të edukimit financiar, rritjes dhe zhvillimit të tregjeve, si edhe garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së të gjitha vendimet e marra vitin e kaluar kanë qënë në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit, ndërsa Autoriteti mbetet i angazhuar në zgjidhjen e disa problematikave të mbartura ndër vite në treg, siç është rasti i Fondit të Kompensimit.

 Koçi i inkurajoi studentët të bëhen pjesë aktive e Konferencës së parë Kombëtare me titull: “Problemet dhe sfidat e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësia e edukimit financiar”. Ata mund të kontribuojnë me punime të ndryshme për çështje që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.

Nga ana e tij, Rektori Topi u deklarua besimplotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Ajo do ti shërbejë studentëve të universitetit, duke i asistuar me materiale të ndryshme burimore, apo duke i krijuar mundësinë e intershipeve pranë Autoritetit. Në anën tjetër, do të jetë një bazë e mirë për thellimin e bashkëpunimit me qëllim zgjerimin e njohurive financiare të studentëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Në orën e hapur të leksionit, studentët u njohën me rolin dhe funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si një institucion i pavarur, i krijuar mbi bazën e Ligjit 9572 të vitit 2006, që raporton në Kuvendin e Shqipërisë. AMF nuk merr para nga buxheti i shtetit, por financohet nga tregjet nën mbikëqyrje, ndërsa synon rregullimin e tyre duke mbrojtur njëkohësisht interesat e konsumatorëve dhe investitorëve.

e.gj/Shqiptarja.com

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja