Amnistia Penale/ Ndreca rrëzon pretendimin e Bashës: S'përfitojnë zyrtarët e korruptuar as të hetuarit e SPAK! 2 ndryshimet që kërkon PD

Kur kanë mbetur disa orë nga seanca plenare e Kuvendit ku do të hidhet në votim Amnistia Penale, duket se nuk është bërë shumica për miratimin e këtij projektligji. Ditën e sotme, kryedemokrati, Lulzim Basha deklaroi se PD nuk do ta votojë amendamentin e socialistëve sepse sipas tij, mundësohet shpëtimi i zyrtarëve të korruptuar.

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, deputeti socialist Plarent Ndreca i cili është edhe relatori i projektligjit për Amnistinë Penale sqaroi se pretendimi i Bashës nuk qëndron për arsye se subjekt i këtij projektligji janë të dënuar deri në 2 vite burg dhe vepra penale si korrupsioni dënohen deri në 14 vite.

“Neni 6 që ka të bëjë me hetimin penal, e ka vënë tavanin 2 vjet. Nuk ka asnjë vepër penale që ndiqet nga SPAK-u që ndiqet për 2 vjet. Dhe thuhet se subjektet e SPAK-ut nuk përfitojnë nga kjo gjë.  Një drejtor drejtorie përjashtohet nga Amnistia kur ai hetohet kur po hetohet për deklarimin e pasurisë. Por nëse një drejtor është duke u hetuar për fyerje, që nuk është subjekt i SPAK-ut përjashtohet. Veprat penale të korrupsionit, nuk përfitojnë. Asnjë që akuzohet për korrupsion nuk përfiton nga Amnistia. Vepra penale e korrupsionit është 14 vjet, tavani tek kjo amnisti është 2 vjet, nuk ekziston kjo frikë”- tha Ndreca.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PD, Rezart Kthupi i qëndroi tezës së Bashës duke argumentuar se demokratët kishin interes të votonin ligjin për të shpëtuar protestuesit e opozitës që ndiqen për pjesëmarrjen e tyre në protestë por theksoi se riformulimi i amendamentit, do të shpëtojë zyrtarë të korruptuar.

“Ne kishim të gjithë interesin të votonim këtë ligj. Ne kishim qëllim të shpëtonim ato që ne i konsiderojmë protestues të opozitës për shkak të ndjekjes penale për pjesëmarrje në protestë.  Në mënyrën sesi u riformatuan këto 2 pika, gjykojmë se ka shteg që zyrtarë që janë nën hetim apo nën korrupsion ti shpëtojnë gjykimit nëpërmjet Amnistisë Penale”- u shpreh Kthupi.

Ndërsa më tej ai theksoi se në mënyrë që të votojë Amnistinë Penale, PD kërkon që të bëhen 2 ndryshime në projektligj, konkretisht, të përjashtohen nga ulja e dënimit personat e gjykuar nga GJKKO si dhe të ketë një afat kohor nga 2018 deri në 2020 për protestuesit e opozitës që përfitojnë nga amnistia. 

Gjatë emisionit, pati një ndërhyrje nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili e cilësoi kundërshtimin e PD-së së Bashës si një lajthitje juridike dhe nënvizoi se ulja e dënimit nuk është amnisti pasi nuk e shuan dënimin. Për pasojë, sipas Manjës, rrëzohen pretendimet e opozitës se me amnistohet korrupsioni apo shpërdorimi i detyrës i zyrtarëve të lartë. 

"Drafti i amnistisë që ka miratuar komisioni i ligjeve ne thelb ka synuar të garantojë zbatimin e nenit 18 te kushtetutës dhe që ka të bëjë me parimin e barazisë para ligjit që në hierarki të parimeve kushtetuese është parim themelor dhe kete detyre ka Kuvendi ! Tani pyetja eshte shumë e thjeshtë ulja e dënimit është amnisti apo jo ? Sigurisht që nuk është amnisti sepse ulja në thelb nuk e shuan dënimin dhe deklarimet e opozitës se me uljen amnistohet korrupsioni apo shpërdorim detyres eshte lajthitje juridike me pakta dhe populizëm politik me hallet e atyre që presin amnistinë!"- shkroi mes të tjerash Manja. 

Amnistia penale u paraqit në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar dhe mungesa e shumicës së cilësuar prej 84 votash, e ka shtyrë për më shumë se dy muaj. Deputeti socialist, Plarent Ndreca bëri me dije se nëse në Kuvend nuk arrihet shumica e cilësuar e votave për projektligjin, atëherë do të shtyhet miratimi për një seancë tjetër plenare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Kundërshtitë e PD për Amnistinë Penale, Kthupi: Këto janë 2 pikat që duam të ndryshohen në projektligj

 

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Rezart Kthupi i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ foli për mosdakordësitë e PD-së së Bashës sa i takon Amnistisë Penale që pritet të votohet nesër në Kuvend.

Kthupi tha se PD nuk është dakord që të ketë ulje dënimi edhe për personat e gjykuar nga GJKKO si dhe për çështjen e protestuesve, pasi Basha ngulmon që të ketë amnisti për protestuesit e opozitës nga 2018 deri në 2020.

“Për të arritur në një draft të dakordësuar duhet të dakordësohet në komision Të rishikohet në komision drafti. Marrëveshje jo publike nuk mund të bëhen. Sa i takon uljes së vuajtjes së dënimit me 1 vit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë, nuk duhet ta përfitojnë personat që janë gjykuar nga GJKKO. Kjo është taksative. Pika 3 e nenit 6 për protestuesit të rikthehet në pikën si ishte”- nënvizoi Kthupi.

Ndërsa deputeti Plarent Ndreca iu përgjigj duke thënë se në projektligjin për amnistinë janë përfshirë edhe protestuesit e opozitës por me ndryshimin që nuk do të ketë afat kohor për protestat ku kanë marrë pjesë dhe se ata të cilët kanë kryer vepra të tjera penale si shkatërrimi i pronës apo kundërshtimi i policisë, të mos përfshihen.

Ora 22:20
PD refuzon të votojë Amnistinë Penale, Manja reagon për ‘Repolitix’: Lajthitje juridike e tyre! Nuk amnistohet korrupsioni i zyrtarëve të lartë

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv sa i takon kërkesave të PD-së së Lulzim Bashës për Amnistinë Penale. Ai i konsideroi si ‘lajthitje juridike’ pretendimet e opozitës se me uljen e dënimit amnistohet korrupsioni i zyrtarëve të lartë.

Në fund të reagimit të tij Manja sqaron se PS mbetet e hapur për të adresuar pretendimet e opozitës lidhur me pika të tjera të Amnistisë.

“Denis ndjehem i trishtuar dhe i keqardhur nga gjithë kjo “ dashuri “ për “ burgun”  dhe askush nuk mendon për kostot finaciare dhe sociale eqe ka mbi taksapaguesit shqiptare mbajtja e një të dënuari në burg ! Askush nuk duhet ta përdorë këtë amnisti për qëllime të vogla politike të ditës , amnistia është akt meshire dhe si e tillë duhet të respektojë parimin e barazisë para ligjit ! Amnistia është mbi dënimin dhe vepren dhe nuk ka të bëjë me kompetencën e gjykatës që e ka dhënë vendimin e formës se prerë dhe kete e dine shume te gjithe juristet pavaresisht partive ku gjenden të rreshtuar sot ! Avokati  Karaj ka të drejtë kur thotë se kjo amnisti ka përjashtuar 95% te veprave të kodit penal nga amnistia dhe nuk konsiderohet amnisti e gjerë ! Keshtu është në fakt! Drafti i amnistisë që ka miratuar komisioni i ligjeve ne thelb ka synuar të garantojë zbatimin e nenit 18 te kushtetutës dhe që ka të bëjë me parimin e barazisë para ligjit që në hierarki të parimeve kushtetuese është parim themelor dhe kete detyre ka Kuvendi ! Tani pyetja eshte shumë e thjeshtë ulja e dënimit është amnisti apo jo ? Sigurisht që nuk është amnisti sepse ulja në thelb nuk e shuan dënimin dhe deklarimet e opozitës se me uljen amnistohet korrupsioni apo shpërdorim detyres eshte lajthitje juridike me pakta dhe populizëm politik me hallet e atyre që presin amnistinë ! Por mbetemi të hapur per te  adresuar cdo pretendim sepse qëllimi ynë as ka qenë e as është të amnistojmë korruspionin !”- thuhet në reagimin e Manjës për Repolitix.

Ora 22:08
Paradoksi i Rithemelimit për amnistinë penale, deputeti i PS: Kanë dorëzuar propozime që i kemi përfshirë dhe paralajmërojnë se nuk do t’i votojnë

Deputeti i PS, Plarent Ndreca i ftuar në ‘Repolitix’ në Report Tv tha se Rithemelimi ka bërë veprime paradoksale në raport me Amnistinë Penale, pasi më herët Ervin Salianji dhe së fundmi Bledion Nallbati kanë dorëzuar propozime me shkrim.

Ndreca tha se pavarësisht këtyre propozimeve, Rithemelimi ka paralajmëruar se do të vijojë kaosin edhe në seancën e nesërme plenare ku do të votohet Amnistia Penale.

“Nallbati ka bërë një propozim me shkrim. Këta edhe bëjnë propozim edhe nuk vijnë. Propozimi është reflektuar në draftin tonë. Kemi menduar se nëse i marrim në konsideratë do vijnë ta votojnë. Me të njëjtën logjikë kemi bërë edhe këtë të Alibeajt që e kemi pranuar 70%, në mënyrë që ta votojnë. Unë as nuk e fyej as nuk shpif, po bëj krahasim të sjelljes së tij politike. Janë 3, Nallbati, Salianji, Xhaferri. Sot i panduari i Berishës (Gazment Bardhi) del dhe thotë çfarëdo të ndodhë, nuk vijmë. A janë për të punuar apo për të bërë fishkëllima në parlament?”- tha Ndreca.

Ora 22:06
Avokati Karaj: Në amendamentin për Amnistinë Penale duhet të ishte përfshirë një gamë më e gjerë e veprave penale

Avokati Leonard Karaj i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv tha se Amnistia Penale që pritet të votohet nesër në Kuvend, përjashton rreth 95% të Kodit Penal.

Sipas tij, duhet që në amendamentin e PS për Amnistinë duhet të përfshihet një gamë më e gjerë e veprave penale për të cilat përfitojnë të dënuarit.

“Unë mendoj se më mirë duhet të ishte bërë ligj falje sesa amnisti sepse amnistia duhet të përfshijë një gamë të gjerë të veprave penale. 95% e kodit penal përjashtohej, kjo nuk është amnisti atëherë. Amnistia në koncept është vepër humane që ligjvënësi ia vendos në pjatë qytetarit dhe duhet të përfshinte një gamë shumë më të gjerë.”- tha Karaj.

B.V/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur