Përqafime dhe lot gëzimi pas disa vitesh ndarje… Kjo është panorama që shoqëron zbatimin e amnistisë penale në dyert e burgjeve. Dhjetëra familjarë pritën të afërmit e tyre që rifituan lirinë.

Këtë të mërkurë lanë qelitë 553 të dënuar në mbarë vendin. Mes tyre edhe disa emra të njohur; Rozeta Dobi, sanitarja e dënuar për vjedhjen e parave në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi. Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t, e dënuar per kanabis. Marsela Pushani, mësuesja e dënuar për vrasjen e motrës. Florian Përvathi, i dënuar me 8 vite burg se mori gjakun e të atit, kur ishte i mitur. Edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i dënuar për dhune ka lënë qelinë.

Në Korçë fituan lirinë 60 të dënuar, ndërsa nga burgu i grave në Pojskë u liruan 11 gra dhe 8 të tjera përfituan ulje dënimi.

Mes të liruarve është Besmir Gjezari, i cili pretendon se është dënuar padrejtësisht për trafik droge dhe paralajmëroi se do të ndjekë rrugën ligjore.

"Jam dënuar padrejtësisht. Tani do t'i nis të gjitha nga e para dhe do të kërkoj drejtësi."

"Edhe një vit kisha... deshëm ca burg se djemtë duhet të bëjnë ca burg."

Për një tjetër që vuajti 5 vite burg, liria është fillimi i një sfide të re.

"Një jetë e re. Do ta kem të vështirë të gjej punë."

Në burgun e Reçit përfituan nga amnistia 101 të burgosur. Mes tyre dhe Igli Muhameti, i cili doli duke falenderuar Zotin....

"Kam tre fëmijë jashtë që më presin... ka shumë njerëz të pafajshëm brenda”, thotë ai.

Ndërsa Ilir Shkafja, që përfitoi vetëm 11 ditë ulje dënimi, kritikoi kushtet në burg.

"Ushqim katastrofë, as derrat nuk e hanë."

Rikthimi në jetën normale nuk do të jetë i lehtë për të liruarin në Fier:

"Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin... bën vaki të kthehem prapë."

Në total nga amnistia përfituan mbi 1300 të burgosur. Përveç 553 personave qe fituan lirinë, 863 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Bëhet fjalë për të dënuarit me vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026, mes tyre burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose që u kishin mbetur deri në 3 vjet. Gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose që u kishin mbetur deri në 4 vjet dënim, si edhe burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën 18 vjeç në kohën e kryerjes së veprës penale, nëse plotësonin kushtet e përcaktuara në ligj.

Ndërsa jashtë amnistisë mbeten autorët e vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda, të dënuarit e GJKKO-së apo personat nën hetim nga SPAK.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Amnistia penale, Gogu: Përqafime që flasin më shumë se fjalët! Pas çdo fotografie, një mundësi e dytë dhe përgjegjësia e një kapitulli të ri

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka ndarë një reagim në rrjetet sociale për zbatimin e amnistisë penale që sot u dhuroi lirinë 553 të dënuarve në të gjithë Shqipërinë.

Krah disa fotove të postuara në rrjetet sociale ku ish të burgosurit përqafohen me familjarët, Gogu thotë se vjen edhe një mundësi e dytë dhe përgjegjësia e një kapitulli të ri. Ai e venedos theksin te humanizmi dhe shteti i së drejtës, shanset e dyta dhe mbrojtja e sigurisë së shoqërisë.

“Nga sot, amnistia është realitet.

Ka përqafime që flasin më shumë se fjalët.

Pas çdo fotografie është një histori, një familje që pret dhe një mundësi e dytë që sjell me vete edhe përgjegjësinë për të nisur një kapitull të ri.

Humanizmi dhe shteti i së drejtës ecin së bashku. Ky është kuptimi më i thellë i ligjit: t'i japë një shans të ri kujt e meriton, duke mbrojtur njëkohësisht interesin publik dhe sigurinë e shoqërisë”, shkruan Gogu.

Ora 11:39
94 të burgosur në Rrogozhinë lënë qelinë (VIDEO)

 

94 të burgosur kanë lënë ambientet e burgut të Rrogozhinës pas zbatimit të amnistisë penale. Ata janë pritur jashtë nga familjarët.

Ora 11:11
127 të burgosur në Kosovë të Lushnjes përfitojnë nga amnistia penale (VIDEO)

127 të dënuar kryesisht për vepra të lehta penale kanë përfituar nga amnistia në burgun e Kosovës në Lushnje. 

Të liruarit kanë qenë të dënuar kryesisht për vepra të lehta penale si përdorimi dhe shitja e narkotikëve, si dhe vepra të tjera me marzh të ulët rrezikshmërie.

Në këtë burg të sigurisë së ulët me kapacitet prej 190 personash, përfitojnë ulje dënimi dhe rreth 40 të burgosur të tjerë.

Ora 10:53
Lirohen 60 të burgosur në Korçë: Duhej! Më pret një jetë e re

60 të dënuar janë liruar nga burgu i Korçës ditën e sotme si rezultat i amnistisë penale, ndërsa nga burgu i grave në Pojskë kanë fituar lirinë 11 të dënuara dhe 8 të tjera kanë përfituar ulje të dënimit me 1.5 vite.

Një i burgosur për trafik ndërkombëtar droge, thotë se i kishin mbetur edhe 20 muaj burg nga 6.8 që ishte dënimi. Gjysmën e dënimit e ka kryer jashtë kufijve dhe ka përfituar nga dy amnisti.

“Edhe 1 vit kisha, jo më shumë. Deshëm ca burg se djemtë duhet të bëjnë ca burg. Duhet të hyjë njëherë djali. Edhe vështirë, edhe mirë”, shprehet ai.

Ndërsa një tjetër, i dënuar me 9 vite burg prej të cilave vuajti 5, thotë se e pret një jetë e re, por jo pa sfida.

“Shumë e vështirë ishte. Një jetë e re. Do ta kem të vështirë të gjej punë”, tha ish i burgosuri.

Ora 10:35
Amnistia penale/ Vodhi mbi 500 mijë euro në shtëpinë e Alda Klosit, lirohet sanitarja Rozeta Dobi (VIDEO)

Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e më shumë se 500 mijë eurove nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale.

Emri i saj u bë i njohur në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa ku punonte si pastruese prej disa vitesh.

Hetimet zbuluan një shumë edhe më të madhe parash. Gjatë kontrollit në banesën e Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit. Gjithashtu, u sekuestruan 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.

Ora 10:19
I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar edhe për burgun, më ka bërë mirë

Nga amnistia penale kanë përfituar 101 të burgosur në Reç.

Sapo doli nga burgu i Reçit, Igli Muhameti falënderoi Zotin për këtë moment dhe tha se vuajtja e dënimit ishte një përvojë e vështirë, por ka nxjerrë mësime.

“Jam krenar edhe për këtë burgun që kam bërë, më ka bërë mirë. Në Shqipëri nuk rrihet. Kam 3 fëmijë dhe s’më takon të bëj kaq burg sa kam bërë se dola përdorues. Duhet ndonjëherë të bësh, por sa më pak. Ka shumë njerëz të pafajshëm brenda”, u shpreh Muhameti.

Ilir Shkafja, i cili ka përfituar vetëm 11 ditë nga amnistia, pati rezerva për këtë periudhë.

“Periudhë shumë e keqe. Ushqim katastrofë, as derrat nuk i hanë. Kushtet nuk janë siç thotë Edi Rama”, tha ai.

Ora 10:07
Rifitoi lirinë prej amnistisë, ish i burgosuri në Fier: Në Shqipëri s’jeton dot pa shkelur ligjin, bën vaki rikthehem

 

Një i burgosur që ka fituar lirinë pas vuajtjes së dënimit prej 3 vitesh në burgun e Fierit, thotë se në Shqipëri është e pamundur të jetosh nëse nuk shkel ligjin.

“Vuajta 3 vjet, për shkelje të ligjit. Përfitova 2 muaj. Sot do të iki në Tepelenë. Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin. Nuk di me çfarë do ta mbaj familjen. Bën vaki të kthehem prapë, ku ta dish”, përfundoi ai.

Ora 09:45
I burgosuri në Korçë lë qelinë: U dënova padrejtësisht, do të kërkoj drejtësinë! Mbi dy vjet pa takuar familjen

 

Besmir Gjezari është një nga të burgosurit në burgun e Korçës që lënë qelinë duke përfituar nga amnistia penale. Në një deklaratë për mediat, ai tregon se është dënuar me 5 vite dhe ka vuajtur 2 vite e 7 muaj, për prodhim dhe shitje droge.

Këtë akuzë ai e mohon dhe thotë se është dënuar padrejtësisht, teksa akuzon oficerin e Policisë Gjyqësore, Mariglen Beqon. Sipas Gjezarit, Beqo ka marrë kërcënime nga njerëz të drejtësisë. Ish i burgosuri thotë se tani do të kërkojë drejtësi pasi për dy vite nuk është lejuar as të takojë familjarët.

“Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj. Dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës, dhe këtë e kam nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo. Dhe më ka marrë dhe familjen në qafë ai dhe kam dy vite e kusur këtu që s'po takoj dot familjen time. Do ta kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t'i nis të gjitha gjërat nga e para. Nuk i kam takuar familjarët se nuk i ka lejuar prokurorja. Atë çështje që s'kam pasur, dhe ky ndikim ka qenë nga oficeri i policisë gjyqësore për të më hequr dhe padrejtësisht takimin, të drejtën e fëmijës. Se kam një fëmijë të mitur, të moshës 3 vjeçare dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë. Nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. Ai ka marrë dhe presion e kërcënime nga njerëz të drejtësisë, dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë dhe familja ime. Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë, oficeri i policisë gjyqësore se unë nuk e di dhe nuk e kuptoj akoma përse, arsye. Për çfarë ka ndikuar mos takimi me familjen dy vite e kusur këtu, takimet me njerëzit e mi? Unë nuk e kuptoj se çfarë ka bërë vaki këtu. Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht, se ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai, dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësinë. Po, normale, që po, normale. Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin, dhe dua t'i përkushtohem familjes”, përfundoi ai.