Referendumet popullore për ndryshimet në Kushtetutë nuk janë zgjidhje për Shqipërinë. Këtë qëndrim ndajnë ish-deputeti Ralf Gjoni dhe Andi Mustafaj nga PD.

Të ftuar në “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, të dy dolën kritikë ndaj përdorimit të referendumit si mekanizëm vendimmarrjeje siç është propozuar nga mazhoranca.

Pak ditë më parë, nga asambleja e PS-së kryeministri Edi Rama hodhi idenë e referendumit për uljen e numrit të deputetëve në parlamentin e Shqipërisë dhe projektligji është gati. Sipas kreut të grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, ambicia është miratimi ligjit të referendumeve gjatë këtij sesioni parlamentar ose në atë vjeshtës 2026.

Ralf Gjoni u shpreh hapurazi kundër, duke theksuar se vendimmarrja duhet t’i mbetet parlamentit.

“Mire eshte qe populli te kete një zë por zëri i popullit shprehjet me zgjedhje parlamentare, një herë në 4 vjet. Kjo është demokracia parlamentare. Churchill dhe politikanë të famshëm kanë qenë kundër referendumeve.  Me fjalët e Ricky Gervais “pse duhet lënë njeriu i thjeshtë të vendosë sepse bën katrahurë’. Problemi me referendumet është që zgjedhja e qytetarit udhëhiqet nga ndjenja emocionale populiste. Rama dhe Berisha janë piktorë të fabulave imagjinare. Ata e bëjnë popullin të besojë në përralla me Hirushe e Borëbardha që këta i kanë veshur petkun e integrimit europian, përfundojnë në një konotacion populizmi. Nuk ka nevojë për referendum. Unë jam kundër referendumit. Realisht mendoni që populli i thjeshtë ka kapacitet për të votuar në një çështje referendumi? Kjo i takon parlamentit dhe ka një ekzekutiv ndaj le të marrë një vendim. Sot duhet të jesh realisht idiot të mendosh që referendumi do të funksiononte në një terren si Shqipëria” tha Ralf Gjoni

Në të njëjtën linjë ishte edhe Andi Mustafaj, i cili paralajmëroi për efektet që mund të prodhojnë referendumet.

“Referendumet shpesh prodhojnë pasoja që nuk kanë lidhje me pyetjen e referendumit. Studimet tregojnë që njerëzit nuk i përgjigjen pyetjes së referendumit por i përgjigjen pyetjeve anësore. Ndaj shtetet me demokraci të zhvilluar sot përdorin shumë pak referendumet, u shpreh ai.

Mustafaj kritikoi edhe idenë për uljen e numrit të deputetëve, duke thënë se problemi nuk është numri, por përfaqësimi. Për më tepër ai paralajmëroi se me referendumet, mazhoranca po e bën popullin të jetë fajtor i dënimit të vet.

“Duhet pasur shumë kujdes në Shqipëri. Rama po përdor mjete ligjore për t'i thënë popullit të jetë fajtor i dënimit të vet. Në rastin e 101 deputetëve është e pakuptimtë. Një reformë vjen për tiu përgjigjur një nevoje apo mangësie. Ne kemi 140 deputetë dhe problematikat nuk lidhen me numrin e tyre. Problematika e parë është politike shoqërore sepse sot deputetët nuk përfaqësojnë asgjë. Ulja e numrit të deputetëve nuk e zgjidh krizën e përfaqësimit. Problematika e dytë është kriza institucionale. Prej 10 viteve, deputetët nuk kanë kaluar asnjë ligj. Parlamenti nuk po kryen rolin ligjvënës. Nëse ne ulim numrin e deputetëve ne thjesht institucionalizojmë emrin deputet” tha  Mustafaj.