KORÇË – Vajzat adoleshente të familjes Dhëmbi kanë tentuar të vetëvriten. Rasti i fundit u shënua të enjten, ku 14-vjeçarja ka tentuar të hidhet nga kati i tretë i pallatit ku jeton me nënën, dy motrat dhe vëllanë. Fatmirësisht, ajo u shpëtua nga një banor i lagjes që ishte aty në momentin e rrezikut. Ndërsa në tetor të vitit të kaluar kishte tentuar vetevrasjen dhe motra e saj më e rritur.
Banorët e lagjes tregojnë se tensionet janë të përditshme, ndërsa fëmijët rriten vetëm me nënën, pasi babanë e kanë në burg.
“Gjithmonë kanë debate në familje. Keq na vjen, është gjynah, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të veprojnë institucionet", tha fqinji
Pyetur për këtë situate, Maria Dojçe, pedagoge në Universitetin e Korçës dhe specialiste në çështjet sociale tha se nuk duhet parë vetëm si problem individual.
Eshtë tragjike të mendosh një adoleshente që kërkon t'i japë fund jetës së saj. Kjo tregon se ka pasur kushte sociale dhe ekonomike shumë të rënda, sepse gjithmonë i referohemi gjendjes psikologjike, por ajo shpesh është pasojë e faktorëve sociale.
Situata bëhet edhe më shqetësuese kur fenomeni përsëritet.
“Ajo që e bën më shqetësuese situatën është se dy vajza brenda familjes kanë bërë të njëjtin veprim. Kjo tregon që brenda familjes diçka nuk funksionon dhe se ajo ndodhet në një krizë të thellë. Është e domosdoshme të analizohen marrëdhëniet me prindërit, kujdesi ndaj fëmijëve dhe gjendja ekonomike e familjes”, shton Dojçe.
Për këtë arsye, ndërhyrja e institucioneve bëhet thelbësore.
“Institucionet duhej të kishin ndërhyrë që në rastin e parë. Punonjësit e Shërbimit Social duhet të kishin vizituar familjen, të vlerësonin gjendjen psikologjike të nënës dhe marrëdhënien e saj me babain, i cili është në burg. Gjendja psikologjike dhe ekonomike e nënës ndikon direkt tek fëmijët, dhe duhet të kontrollohej edhe gjendja psiko-emocionale e vajzave. Në këtë mënyrë, mund të ishin marrë masa parandaluese".
Ndërkohë, tjetër faktor që ndikon është bullizmi.
“Bullizmi, mungesa e mbështetjes në ambientin shkollor janë faktorë shtesë që ndikojnë në degradimin psiko-emocional. Rasti tregon se familja është në krizë të thellë por edhe shoqëria, shkolla është pjesë e këtij problemi”.
Rreziku është i lartë nëse nuk ndërhyhet menjëherë për shpëtimin e vajzave nga gjendja e rëndë ku ndodhen për shkak të problemeve familjare.
Komente









