Politika shqiptare ka dhënë ndër vite prova të shumta të sjelljeve paradoksale, por ajo që po ndodh tani meriton një kapitull më vete. Gazetarja Jonida Shehu, e njohur për rolin e saj si analiste në “sallonin çimpekist” dhe editorialiste e ''Piranja'' gjithnjë në televizionin e Berishës, Syri TV, dhe për qëndrimet e saj haptazi anti-Rama, është emëruar zëdhënëse e grupit parlamentar… socialist.
Po, socialist.
Një figurë që ka akuzuar publikisht Edi Ramën për përqendrim pushtetesh, për shtypje të lirisë së informimit, për manipulim dhe vjedhje zgjedhjesh dhe ne fund si të paaftë për të ndërtuar pas 3 mandate e gjysmë ''një shtet ligjor'', sot do të ketë detyrën institucionale të mbrojë pikërisht atë shumicë që ka sulmuar. Një transformim politik dhe profesional që nuk shpjegohet as me evoluim ideologjik, as me reflektim kritik, por vetëm me një akt emërimi të pashpjeguar.
Nuk dihet kush e ka propozuar këtë zgjedhje, por këtu lind pyetja thelbësore: çfarë vlere ka fjala publike, analiza politike dhe koherenca profesionale?
Ndryshimi i mendimit është e drejtë legjitime e kujtdo. Por ndryshimi i narrativës pa asnjë shpjegim, pa asnjë autokritikë dhe pa asnjë transparencë është diçka tjetër. Në këtë kuptim, do të ishte interesante që tani, si ish-opozitare e penduar, Jonida Shehu të ndihmonte institucionet tatimore duke sqaruar për shembull mënyrën se si paguhej nga Syri TV, një televizion me llogari bankare të bllokuara për evazion fiskal dhe i njohur për pagesat "në të zezë" ndaj gazetarëve dhe analistëve. Praktika të paligjshme kundër të cilave pikërisht shumica socialiste, që ajo tani do të përfaqësojë, ka folur dhe ka denoncuar vazhdimisht.
Por absurditeti nuk mbaron këtu. Gazetarët që opozita i etiketon si miq të Ramës, damkosen publikisht nga eksponentë të lartë të qeverisë si Belinda Balluku si “superkurva”. Ndërsa gazetarët që socialistët i kanë quajtur për vite anti-Rama, sot i rekrutojnë si zëdhënës të tyre zyrtarë.
Në psikiatri ekziston një çrregullim i njohur si ''Sindroma e Stokholmit'', që të shtyn të dashurosh armiqtë e tu. Tani politika shqiptare ka nevojë të regjistrojë një patologji të re: ''Sindromën e Tiranës'', e cila të shtyn jo vetëm të falësh armiqtë, por edhe të urresh dhe poshtërosh miqtë e tu.

Jonida Shehu, editorialist tek 'Piranjat' në Syri Tv
Komente












Ha ha ha she is so funny. She has done the exact think as others before her. This is called being coherent in thoughts and actions.
PërgjigjuKëshij njerëzish i duhen Shqipërisë! Që të shpifin për një parti pastaja ti bashkohet asaj parti shkurt prostituta politike!
Përgjigju