Por halli se në Voskopojë nuk ka ferra, ka vetëm pisha, dëllinja, kumbulla të egra, që nuk bëjnë për supë. Për më tepër, kur varianti i largimit të urisë me gavetë, shkrepse, zjarr, gjethe ferre, kripë, u shqyrtua më nga afër, u arrit në përfundimin se një variant i tillë i largimit të urisë zor se mund të zbatohej para syve të aq shumë spiunave që mezi çprisnin të denonconin për agjitacion e propagandë, depërtim të armikut në rradhët tona, e të tjera e të tjera.
Pasi ky variant ra si binte predha e mortajës së zborrit, që ngjitet lart dhe bie pingul prapa kodrës, të tjerë zborrista sugjeruan tjetër variant; Përderisa oficerat i kemi aq të grykës sa janë gati ata të na hanë ne, pse të mos i hamë ne ata ? Varianti kanibalesk i heqjes së urisë u hodh menjëherë poshtë. Jo si tepër i egër. Si mish oficeri ushqim i pakëndshëm me pasoja të paparashikueshme për organizmin.
Disa zborrista antikanibalistë me frymëzim vegjetarian argumentuan se oficerat edhe mund të hahen, por del pyetja; Kush do të na mësojë si të tërheqim këmbëzat, si të rrotullojmë shulat, si të mbushim topat për t'i bërë ballë agresionit ushtarak kapitalisto revizionist që mund të ndodhi nga çasti në çast kundër Shqipërisë shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut? Kur u pa se as me supë ferre dhe as me kanibalizëm ndërshiptaresk uria nuk mund të largohej, zborristat e Voskopojës, vetë Voskopoja, pishat, kishat, manastiret, muret e vjetër, ranë në një dëshpërim të thellë.
Tek u pa qartë se pas pak oficerat do pëllcisnin nga fryrja e stomakut dhe zborristat do vdisnin nga ngjitja e zorrëve, një skraparlli nga Backa bëri një tjetër propozim. Backalliu sugjeroi heqjen e urisë me anë të ëndërrës. Duke ju lutur në gjumë për largimin e urisë shënjtorëve, Shën Thanasit, Shën Kollit, Shën Podhomit, Shën Karallambit, dhe të tjerëve Shënjtorë mbi muret dhe altaret e kishave dhe manastireve të Voskopojës.
Por Shenjtorëve dëshmitarë të ngjarjeve të mëparshme shumë më dramatike se uria e zborristave, lutjet ëndërrtare të zborristave të uritur nuk u bënë asnjë përshtypje. Fytyrat e urta, kokat përunjësisht të mënjanuara rrethuar me aureola me sy të nxjerra me maja bajonetash nga ushtarët e kurvit dhe hallexhinjtë që besonin se prej tyre mund të merrnin jetë, dukej sikur thoshin; Vetë e keni fajin për si jeni katandisur.
Pas indiferencës së shenjtorëve ndaj urisë së zborristave, doli varianti i ëndërrës gjatë së cilës atë që do të shohësh, dhe më pas realizosh, e cakton vetë. Pra ëndërra e pa gjumë, ajo me mbyllje sysh dhe gjithë të mirat përpara. Sofra të shtruara. Mish në hell. Pilaf që nxjerr avull. Ëmbësira nga më të ndryshmet. Meazallah. Uria nuk nuk u largua as me ëndërra nën diell.
Ndaj një situate kaq dramatike, Çartallozi ç'bëri ? Priti sa erdhi pushimi i mesditës. Iku te pylli me pisha. Ndali te një vend ku ishin dy gurë një i vogël një i madh, mbi gurin e madh një dëllinjë. Gurët dhe dëllinja ngjanin si varr. Me një hekurishte, mbi pjesën e lëpirë të gurit të madh nisi të gdhendë disa fjalë.
Ca gërma sot ca gërma nesër, për shtatë ditë rresht gjatë pushimit të mesditës, Çartallozi shkroi mbi gur; VARRI I ZBORRISTIT TË URITUR. Nuk vuri pikë në fund. E pa të mbaruar kryeveprën e gdhëndur. Mori frymë thellë. U largua. Thirri një spiun që s'merrej vesh pse vente e vinte çdo ditë në Strelcë. I tha Çartallozi spiunit; Kur të ikësh në Strelcë, thuaju strelcarëve; Mos i lini zborristat e Voskopojës të ngordhin urie. Silluni për të ngrënë. Thuaji nënës time me zë të lartë ta dëgjojnë të gjithë; Po nuk solle ushqime, eja në Voskopojë te VARRI I ZBORRISTIT TË URITUR. Gërmoje. Nxirre djalin nga gropa. Merre të vdekur.
Vajti spiuni në Strelcë e kreu porosinë. Ndonjëherë spiunat janë punëmbaruar. I grumbulluan strelcarët ku i kishin ku s'i kishin, miell, bukë, djathë, gjizë, hirrë, pastërma, poqën byreqe në saç. I ngarkuan mbi dy kuaj dhe një mushkë. I nisën në Voskopojë te zborri i të uriturve. Një të parë karvanin me ushqime, oficera e zboristë shqyen sytë. Ju vërsulën të ngrënave. Me gojën plot me byrek dhe bukë, thumbo e kritiko Çartallozin; Na knaqe o Çartalloz me fasulnik dhe mish. Je bërë shkrimtar me daltë që shkruan përmbi varre si Homeri dhe Migjeni. Por të mungon syçelësia ndaj armikut.
Kur pilafrat dhe byreqet mbaruan dhe oficerë e zboristë skishin më gjë nën dhëmbë për të kafshuar, të qeshurat ndalën, të tallurat u shndrruan në sharje, kritikat u bënë kërcënime. U tha se ndaj armikut që ka depërtuar në rradhët tona përmes mbishkrimeve nënkuptuese mbi varre, s'mund të rrihet duarkryq. Duhet njoftuar komisari për daljen nga binarët. Komandanti për rrezikimin e fitoreve. Ministria për të marrë masat e duhura. Duhen bërë autokritikat e thella për tu pasuar nga vendimet përkatëse. Duhet thirrur Prokurori të caktojë nenet, dënimet.
Mirpo meqënse mbeturinat e byreqeve dhe bakllavave ishin ende nëpër dhëmbë, stomaqet e fryra ende nuk ishin zbrazur, por sidomos nga frika e pyetjes; Mirë Çartallozi, po ju ku i patët sytë që ju plaçin? kërcënimet nuk qenë fort të idhëta. E urdhëruan Çartallozin; Shko prishe mbishkrimin dhe varrin!
Vajti Çartallozi te varri. Ju kujtua Shekspiri, helmi në vesh, dyshimet e Hamletit, Dantja në Ferr, Mikelanxhelo që i thyen diçka me çekiç kryeveprës së sapo mbaruar, thënia e një filozofi; "Me daltë e penë e guxim mund të mbarohen disa punë që nuk i bën dot as dinamiti". Me majën e një bajonete të ndryshkur e thërrmoi kryeveprën. La mbi gur vetëm fjalën VARR. Sot për atë varr mbi gur turistave u thonë se është Kishë e vjetër që i përket një Shënjtori anonim.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com










