Analizë/ Tregu i karburanteve nën sitën e kontrolleve

/ATSH-Nini Mano/-Qeveria e ka shpallur këtë vit si vitin kundër informalitetit në tregun e hidrokarbureve, ku hapi i parë përfshin ndryshimin e ligjit, që rregullon këtë treg. Pranë ministrisë së Energjisë dhe Industrisë është ngritur një grup pune me ekspertë të tatimeve, doganave, Inspektoriatit Qendror Teknik dhe Metrologjisë, që do të punojnë për ndryshimet ligjore, me qëllim, kontrollin e cilësisë dhe shmangien e evazionit fiskal në treg, bëjnë të ditur burimet nga MEI.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e aksioni të ri kundër çdo tregtari që mashtron konsumatorët me cilësinë e karburantit. "Kush u shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e parashikuara të cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t'u kthyer njëherë e përgjithmonë brenda kornizës së parashikuar nga ligji", tha kreu i qeverisë.
Sipas INSTAT, ndërsa nafta ka ulur peshën e eksporteve shqiptare, ku mallrat që eksportohen pësuan rënie me 12% krahasuar me një vit më parë, me ulje rezultojnë edhe sasitë e importuara të karburanteve. Gjithashtu, ndërsa në muajin shkurt sivjet indeksi i cmimeve (ICK) në grupin "Transporti" u rrit 1,0 % krahasuar me muajin shkurt 2014, çmimi i eurodiezelit u rrit 3,4% dhe benzina 2,5 %.
Sipas statistikave zyrtare, tregtia me pakicë e karburanteve shënoi ulje 0.8% në tremujorin e fundvitit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-tës dhe 11% më pak nga tremujori i tretë 2014.
Ulja e sasisë së karburanteve të importuar duket se ka disa arsye. Ndërsa tregtarët mbrohen me nivelin e lartë të akcizës, ku cdo litër karburant kushton 30 lekë/litër më shtrenjtë se rajoni, po vjen në rritje numri i përdoruesve të automjeteve, që kanë kohë që furnizojnë cdo javë mjetet e tyre në Malin e Zi dhe Maqedoni, ku cmimet dhe cilësia e karburanteve kanë më avantazh.
Në shkurt çmimet e karburanteve paraqitën dy pamje: në fillimin e muajit pësuan ulje, ndërsa u rritën javën e fundit dhe në tregun e pakicës të kompanive kryesore, një litër naftë u tregtua 165-170 lek/litër, nga 155-160 lek/litër, që ishin në muajin janar, me një rritje 6% dhe tregtarët u shfajësuan me një shtrenjtim shumë të përkohshëm të naftës në tregjet ndërkombëtare me 18 cent, ose 60.39 usd/fuci naftë. Sipas "Open Data", çmimi i karburanteve në Shqipëri është 36% më i lartë nga çmimi i mesatares botërore.
Së fundi, pas arritjes së marrëveshjes për çështjen e programit bërthamor të Iranit, çmimi i një fuçie nafte Brent ra ndjeshëm me 3.8% dhe në Teksas në SHBA çmimi i naftës së papërpunuar u ul me 1,9% dhe një cmim 49,14 usd/fuci naftë.
Beteja për çmimin e karburanteve dhe cilësinë e tij në treg ka vite që vijon pa gjetur asnjë zgjidhje të saktë dhe konsumatori vijon të ndëshkohet padrejtësisht.
Ekspertë të këtij tregu shprehen se mashtrimi me sasitë në tregun e karburanteve mbetet pjesë organike e aktivitetit në këtë treg, ku stacionet vjedhin blerësit përmes përdorimit të pajisjeve dhe pompave.
Llogaritet që në teritorin e Shqipërisë janë rreth 1200 pika tregtimi të karburanteve me pakicë, ku prej kohësh, mjaft prej tyre janë gjobitur edhe nga Inspektoriati Qëndror për mënyrat se si ato operojnë në treg.
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot