Talenti i ri italian i botës së shpejtësisë, Andrea Kimi Antonelli ka shprehur ambicien e tij të madhe për të triumfuar në Formula 1, duke vendosur si objektiv kryesor fitimin e titullit kampion me Mercedes në Formula 1.
Në një intervistë për mediet italiane, 19-vjeçari u shpreh optimist, por edhe realist për sfidat që e presin në vijim të sezonit.
“Jam ende duke festuar për fitoren në Kinë, por e kuptoj se garat e tjera do të jenë edhe më të vështira, pasi të gjithë e dinë tashmë se çfarë ofron makina jonë”, deklaroi Antonelli.
Pavarësisht moshës së re, piloti italian nuk e konsideron si tabu luftën për titullin botëror. “Do të bëj maksimumin për të fituar kampionatin”, u shpreh ai për “Sky Italia”, duke treguar qartë ambicien dhe besimin në potencialin e tij.
Pasi u bë më i riu që fitoi një 'pole position' në botën e Formula 1, Antonelli kaloi i pari edhe vijën e finishit në garën e dytë të sezonit në Kinë, me Mercedes që dominon këtë fillim sezoni në F1 me dy fitore, një të George Russell dhe një të Antonellit.
Komente







