Katër të rinj shqiptarë rezultojnë të zhdukur përgjatë këtyre viteve në Angli, ndërkohë që shërbimet sociale i kanë kërkuar ndihmë publikut për gjetjen e vendndodhjes së tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata “Missing People” (Njerëz të Humbur), të cilave u referohet gazetari Muhamed Veliu njëri prej tyre kërkohet që prej vitit 2018.

Ai është Bledar Ismailaj, i cili në kohën e “zhdukjes” ishte 17 vjeç dhe jetonte në zonën e Kings Lynn, Norfolk.

Ervis Ndreca 17 vjeç, është një tjetër i ri që kërkohet pasi është larguar nga shërbimet sociale në Hove, East Sussex prej datës 14/07/2022.

Nga zona Sussex është shpallur si i “zhdukur” Akil Dervishi edhe ky i moshës 17 vjeç, i parë për herë të fundit në 04/05/2022.

Po ashtu kërkohet ndihma e publikut edhe për gjetjen e 17-vjeçarit Denis Haliaj, i cili pasi kishte mbërritur në Angli ishte akomoduar në Manchester. Kontakti i fundit me Denisin ishte në 15/08/2021.

Sipas një raporti të BBC të Dhjetorit 2022, “deri në 20 % e fëmijëve emigrantë shqiptarë që u vendosën pranë një këshilli lokal në Angli, në vitin 2022 janë klasifikuar si të zhdukur.”

Këshilli rajonal i Kentit pranoi 197 fëmijë emigrantë shqiptarë të pashoqëruar deri më 31 tetor 2022, por shifrat tregojnë se 39 prej tyre janë zhdukur.

Raportet e medias britanike theksojnë se këta fëmijë të konsideruar si të zhdukur janë në risk ekstrem për t’u bërë viktimë e trafikimit njerëzor, skllavërisë moderne, shfrytëzimit për punë në ndërtim ose lavazhe makinash, si dhe shfrytëzimit kriminal në ferma kanabisi ose në rrjetet e shpërndarjes së drogës./ Top Channel