Anija minakërkuese franceze "Lyre" ka mbërritur në portin e Durrësit ku pritet të nisë stërvitjen e përbashkët me marinën shqiptare në operacionet e zhytjes dhe kërkimit të minave detare.

Në ditën e dytë të qëndrimit në portin e Durrësit anija është vënë në dispozicion të medias për një vizitë njohëse të saj.

Kapitenia e anijes, e cila e drejton minakërkuesen Lyre që nga filli i këtij viti, Anne Sophie Borrad është shprehur se qëllimi i vizitës në Shqipëri është përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe me ushtrinë shqiptare për një stërvitje katërditore për zbulime në thellësi të ndryshme të detit bashkë me zhytësit e marinës shqiptare. 

Mirëseerdhët në anijen minakërkuese franceze ‘Lyre’. Është një nga 11 anijet minakërkuese të flotës ushtarake franceze. Ne synojmë që të forcojmë bashkëpunimin me flotën detare shqiptare. Do të qëndrojmë për katër ditë këtu dhe do të organizojmë një bashkëpunim në fushën e zhytjes me forcat e marinës shqiptare. Qëllimi ynë është që të kryejmë një trajnim të forcave të marinës shqiptare dhe ti njohim ata me teknikat tona” tha kapitenja e marinës franceze.

Anija ushtarake franceze Lyre ka një gjatësi prej 50 metrash dhe është e specializuar për të kryer ndërhyrje nënujore dhe çminime.

Ajo është e pajisur me sonar, robotikë nënujore dhe një ekip zhytësish për çminime që mund të kryhen deri në 120 metër thellësi. 

[gallery]19248[/gallery]

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)