Protesta e qytetarëve në Durrës
Ndërsa anija që ka sjellë kontejnerët me 2100 tonë dhe që dyshohen mbetje të rrezikshme të nxjerra nga kompania “Kurum” te ajo “Sokolaj”, e më tej me destinacion Singaporin dhe Tajlandën, po pret të ankorohet në Portin e Durrësit, nuk mungojnë protestat nga qytetarët dhe shoqëria civile.
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi sot nëpërmjet rrjetit social Facebook, me disa foto nga protesta e PD dhe qytetarëve, duke kujtuar se “mbetjet u kthyen te qeveria e plehrave, që i ka biznesin e preferuar”.
Edhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ka reaguar në lidhje me mbërritjen në Durrës të anijes me 102 kontejnerë.
“Përsërisim kërkesën për testim transparent të mbetjeve dhe në sytë e medias, publikut, dhe ekspertëve ndërkombëtare. Sipas hetimit të kryer nga rrjeti i Bazelit në Tajlandë, në mostrat e marra nga dheu pranë konteniereve, janë gjetur te dhëna tronditëse. Bëhet fjalë për të dhëna alarmante toksike të lëndëve të rrezikshme”, tha ai, teksa shtoi se PD nuk do të lejojë që e vërteta të fshihet.
Kurse Xhixho e cilëson si “operacioni mafioz ndërkombëtar, i cili u bë me bekimin e qeverisë së inceneratorëve”, e që sipas saj, “mori fund sot (28 Tetor), duke risjellë në Shqipëri dy anijet me mbetje”.
“Udhëtimi i 102 kontejnerëve me mbetje zgjati më shumë se tre muaj, për të përfunduar aty ku nisi: në portin e Durrësit. Një shuplakë në fytyrën e qeverisë, falë alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit, sepse të gjitha institucionet e sigurisë së vendit mbyllën sytë me urdhër. Në përpjekje për të shpëtuar nga një skandal tjetër në zinxhirin e shumë të tillëve, dyshimet për manipulimin e testimit mbeten shqetësimi më i madh i qytetarëve”, shkruan Xhixho.
Më tej ajo thekson se Partia e Lirisë mbetet në krah të qytetarëve që protestuan dje (27 Tetor), duke kërkuar me forcë transparencë maksimale në testim dhe zbardhjen e gjithë skemës mafioze.
“Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të fshihet më! Dy anijet e kthyera sot janë vetëm maja e ajsbergut. Projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, është përpjekja kriminale e radhës për të shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike. Ne do të përdorim çdo mjet demokratik së bashku me mbështetjen e mijëra qytetarëve dhe shoqërisë civile, për të ndalur planin ogurzi të kësaj qeverie për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbeturinash”, përfundon Xhixho.
Postimi i Erisa Xhixhos
Lajmi kryesor: